Kryetari i Frymës së Re Demokratike Bamir Topi akuzon klasën politike se po shkëput marrëdhëniet me bazën. Topi deklaroi se ndërkombëtaret nuk duhet të jenë përherë ndërmjetësit për zgjidhjen e sherreve të aktorëve politikë në vend, ndërsa kërkoi rishikim të kodit zgjedhor.
“Akoma e mbajnë ligjin zgjedhor, kanë frikë, ata e dinë çfarë frike kanë. Një ligj zgjedhor mizerabël që e ka origjinën tek 2008 kur ndryshuan Kushtetutën, një KQZ i cili duhet ta kishte vendin para drejtësisë”,tha ai. Kreu i FRD –së nuk la pa shënjestruar opozitën, kur tha se problemi nuk qëndron te futja në parlament, por sa efektivë janë. “ Një shpresë që opozita ti japë shpresë njerëzve kur janë të mërzitur me pushtetin që ti kthejë në pushtet. Jo. Kjo është një pozitë, opozita nuk ekziston. Pse? Është bërë opozitë nepotike, opozitë e familjes”, tha Topi.
Gjatë një takimi me strukturat e kësaj force politike në Fier, Topi ka deklaruar për median dakordësinë mbi reformën territoriale për të cilën është shprehur se duhej të ishte kryer kohë më parë, ndërsa ardhjen e parlamentarëve evropianë e ka cilësuar si të tepruar dhe në një moment jo të përshtatshëm.
“Shqipëria ka të tjera nevoja dhe jo të pajtojë çiliminj të politikës”, është shprehur Topi.
Ai ka kërkuar nga përfaqësuesit e PPE dhe PE ta shohin më me shqetësim situatën politike në Shqipëri pasi PD, që e ka konsideruar si një parti të familjes, jo demokratike, e ka lenë vendin pa të djathtë dhe pa opozitë. Sipas kryetarit të FRD, historia e së djathtës në Shqipëri duhet të rikonsiderohet pasi nuk mund të shkohet më përpara me Sali Berishën.
