I pyetur mbrëmë në emisionin “Prizëm” në “AS” për akuzat e kryeministrit Berisha adresuar tij në mbledhjen e kryesisë së PD-së, Topi u përgjigj: “Ky personazh që ne pamë, që kam bashkëpunuar dhe nuk jam bërë pishman, vjen dhe degjeneron çdo ditë e më shumë. Po aplikon gjëra që i mungojnë në rininë e tij. Unë që pesë vjeç dilja me sandale në sheshin e Tiranës, ky ka ardhur 20 vjeç në Tiranë. Ka handikap në mënyrën se si ka jetuar. U fut në Partinë e Punës dhe militoi aty, ndërsa sot është kthyer në një plak rrugaç”, – tha mbrëmë Topi duke shtuar se një njeri i tillë nuk mund të aspirojë frymë demokratike në PD, përveçse diktat. “Sot, kush guxon të flasë ikën nga puna. Kujdes se historia nuk përfundon këtu. Kemi informacione të plota dhe nuk është deklaratë abuziviste, se po keqpërdor në mënyrë katastrofike pushtetin, po e përdor edhe në survejimin e FRD-së. Them kujdes se kam qenë kryetar shteti, kam informacion të plotë se qytetarët vijnë e na thonë se po bëhet gjueti shtrigash, po i heq njerëzit nga puna. Kemi vënë në dijeni partnerët ndërkombëtarë. Nëse ky ka ndërmend të vendosë diktaturën, atëherë më 23 qershor qytetarët do të shporrin Stalinin e fundit”, – tha Topi. I pyetur pikërisht mbi deklaratën e Topit se FRD-ja po survejohet dhe se pse ka frikë kryeministri nga kjo parti, Topi tha se FRD-ja tashmë nuk është inekzistente. ”Forca jonë është tek ata qytetarë që kontestojnë qeverinë për denatyralizimin, është tek ish- të përndjekurit, ish-pronarët, të verbrit, invalidët e gjithë kategoritë… FRD shtrihet në të gjithë vendin. Sallat nuk po i mbajnë dot njerëzit që duan të jenë pjesëmarrës. Ai ka frikë se mbështetësit po i ikin nga partia e tij”,- shtoi ai. Kryetari i FRD-së komentoi edhe qëndrimin e partisë që ai drejton ndaj PS-së. Topi sqaroi se dy parti me programe të ndryshme nuk mund të përputhen në terren. “Ne nuk kemi dalë të ndihmojmë Ramën për hallet e tij për pushtet. Ne jemi qendra e djathtë. Ai ka një parti të majtë. Duhet të jemi seriozë, ne s’përputhemi në terren. Vërtet jemi në opozitë, por secili në pozicionet e veta”, – shtoi ai. I pyetur për raportet me Aleancën Kuq e Zi, ai u përgjigj : “Raporte normale, korrekte, secila nga partitë tona ka një program specifik, pak interferojnë me njëra –tjetrën. Përderisa kemi lënë të hapur në parim aleancat me partitë e tjera, përveç dy të vjetrave, atëherë kjo është e mundur, por këtë nuk mund ta them sot”. Topi sqaroi gjithashtu se do të garojë për deputet në Tiranë dhe se nuk do të synojë asnjë post përveç atij të deputetit.