FRD do të vendosë për koalicionet vetëm pas zgjedhjeve. Kështu është shprehur në një intervistë për gazetën “Shqip” kreu i kësaj partie, Bamir Topi.
“Ne do të jemi të kujdesshëm kur të premtojmë, por atë që do ta premtojmë, do ta mbajmë. Ne kemi bindje të plotë, bindje që vjen nga të gjitha kontaktet që kemi me qytetarët dhe nga sondazhet tona, që FRD do të jetë forcë përcaktuese për sa u përket vendimmarrjeve të rëndësishme politike dhe institucionale, një forcë politike dhe institucionale dhe një forcë qeverisëse pas zgjedhjeve të këtij viti”.
Kreu i Frymës së Re Demokratike ka paralajmëruar ata që mund të mendojnë për manipulime se fuqia e ligjit do të veprojë mbi ta pas 23 qershorit.
“Të mos i shkojë mendja askujt për të manipuluar rezultatin, nuk është thjesht momenti i llogaritjes finale të votave, është i tërë procesi. Fakti që KQZ e fillon duke na atakuar drejtpërdrejt, duke përjashtuar FRD nga financimi, ndërkohë që FRD është një parti parlamentare dhe i ka përfaqësuesit e saj në Kuvend, tregon që janë futur në rrugë të gabuar. Unë i paralajmëroj që fuqia e ligjit do të funksionojë në çdo moment dhe në distancë kohore, nga përfundimi i zgjedhjeve 2013”.
Më tej, Topi është ndalur në akuzat e ndërsjella PD-PS për pasuritë e familjarëve. Ai është shprehur se FRD do të denoncojë fenomenin e korrupsionit, por kurrsesi nuk do të merret me familjarët.