Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, i drejtoi një apel politikës që të bëjë më pak propagandë, duke theksuar se asnjë pushtet nuk do të ketë mbështetje, nëse nuk garantohen instrumentet e shtetit. Nga qyteti i Korçës, duke komentuar vrasjen e bankierit Artan Santo, Topi tha se fakti i vrasjes së tij në vendin e punës, tregon që krimi ka kohë të mendohet dhe të japë sinjale për ata që janë në pushtet. Sipas Topit, kjo nuk është thjesht një çështje e qeverisjes, por që ka të bëjë sipas tij me garancinë e instrumenteve ligjore. “Politikanët të bëjnë më pak propagandë dhe asnjë pushtet të mos mendojë se do ketë mbështetje nëse nuk garanton instrumentet e shtetit. Çdo vrasje është e rëndë. Këtu është çështje e garancisë se instrumenteve ligjore. Të shkojë me paramendim për ta vrarë aty ku ishte vendi i punës, tregon që krimi ka kohë të mendohet dhe të japë sinjale për ato që janë në pushtet. Askush nuk mund të japë nota pozitive për një situatë që ofron ngjarje nga më të tmerrshmet. Çështja nuk është thjesht tek qeverisja”, tha Topi.
