Në një intervistë për emisionin “5 pyetjet nga Babaramo” në televizionin A1Report, kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, njëherësh ish-president i Republikës komenton çështje aktuale të politikës shqiptare, të cilat njëkohësisht kanë pasur edhe vëmendjen e ndërkombëtarëve.
I pyetur lidhur me deklaratat nacionaliste të bëra publike kohët e fundit nga Kryeministri Berisha, kreu i FRD tha se Shqipëria nuk ndikohet fare nga ky element, në momentin kur faktori shqiptar në Ballkan po vjen duke u forcuar.
“Shqiptarët kanë një gen që i kanë rezistuar situatave mjaft të vështira, një popull që ka rilindur plotësisht dhe në kohët moderne është bërë faktor i rëndësishëm për ruajtjen e paqes në Rajon. Më shumë se 700 mijë shqiptarë janë në Greqi si pjesë e emigracionit. Janë kthyer në faktor të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve mes vendeve. Rikthimi në retorikën nacionaliste do ta bënte të panevojshme kur faktori shqiptar në Ballkan po vjen duke u forcuar,” u shpreh Topi.
Sipas kreut të FRD-së, “profilet me dominancë nacionaliste nuk i shkojnë më kohës”.
Topi bie dakord me shqetësimin e ambasadorit amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu lidhur me këto deklarata.
“Është shqetësimi i përfaqësuesit të SHBA të cilat janë investuar në mënyrë të jashtëzakonshme në rajonin ballkani,” u shpreh Topi.
Duke komentuar deklaratën e shefit të qeverisë lidhur me premtimin për shtetësi shqiptare të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, ish-presidenti i Republikës tha se nuk është kundër kësaj iniciative, por ai shprehet dyshues me faktin nëse Berisha do të mbajë fjalën për çka thotë. Sipas Topit, kjo është një marrëdhënie institucionale, por sipas tij janë bërë edhe deklarata të mëparshme të cilat nuk janë mbajtur.
Për kreun e FRD-në e rëndësishme është të premtohet ajo që mund të realizohet.
I pyetur nga gazetari Ilir Babaramo lidhur me rezolutën për çështjen çame të sjellë në Kuvend nga PDIU-ja (e cila nuk u mor në shqyrtim në Parlament), Topi u shpreh sërish kritik ndaj deklaratave nacionaliste të kryeministrit Ai tha: “Ata që flasin për nacionalizmin, heshtin për rezolutën çame”.