Ish-Presidenti Bamir Topi e cilësoi qeverisjen aktuale si më demokratike krahasuar me qeverisjen e kaluar. I ftuar në emisionin “Tête-à-tête” në “A1 Report”, ish-kreu i shtetit, njëherësh kryetar i FRD, tha se qeveria aktuale duhet të vijojë në këtë rrugë, ndërsa theksoi se opozita e sotme ka nevojë për ri-formatim dhe vizion të ri. Topi tha se forca politike që ai drejton është në opozitë, por jo pjesë e opozitës institucionale.
“Jemi një parti e qendrës së djathtë, e vendosur në opozitë, por s’jemi pjesë e kësaj opozitë institucionale që ka braktisur bërjen e detyrës reale të saj. Po drejtohet drejt ujërave të turbullta kjo opozitë. Ne kemi qenë në një pozicion shumë objektiv, duke bërë vërejtjet tona. Nga pikëpamja e profilit demokratik qeveria e sotme është shumë më demokratike se qeveria e Berishës, duhet të jetë në rrafsh politik për të zhvilluar pjesën tjetër të programit. Qeveria e djeshme që iku me votën e 23 qershorit, ka qenë e një profili me demokraci të ulët. Shpresojmë që kjo qeveri të sjellë një profil ndryshe. Ky është qëndrimi ynë objektiv, nuk ka të bëjë me termat për t’u afruar apo bashkëpunuar. Sot Shqipëria ka nevojë për një ri-formatim të opozitës, dhe një opozitë që ka një vizion të qartë. Por situata e sotme në opozitë është komplekse dhe e rëndë, dhe është e kapur peng nga një individ, që pas dorëheqjes duhet të kishte dalë nga kjo rrugë”, tha ish presidenti BamirTopi.
Sa i takon vendimit të vendeve të BE për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë në Qershor, Topi tha se është një ngjarje e dëshiruar për shqiptarët, por theksoi se kjo nuk duhet të jetë krenari e asnjë politikani, por e përpjekjeve të përbashkëta. Ish-presidenti tha se politika nuk duhet të luajë me fjalimet duke i quajtur ndërkombëtarët naivë, pasi kjo shihet më pas në rezultatet e “provimit”. Ish-presidenti më tej është ndalur edhe tek reforma në drejtësi, duke theksuar së është e rëndësishme një reformë rrënjësore dhe jo në pjesë të veçanta sipas interesave politike.
