Fryma e Re Demokratike finalizoi procesin e shtrirjes së saj në të gjithë vendin me një aktivitet të organizuar në Tiranë, ku FRD ka pretendime të forta. Kryetari i kësaj force politike, Bamir Topi, tha se kjo qeveri është kthyer në një kërcënim për çdo shqiptar. Ai tha se qeveria e sotme nuk ka më asgjë për të ofruar. Topi përsëriti se duhet larguar stalinisti i fundit, duke nënkuptuar kryeministrin Sali Berisha. “Parlamenti është kthyer në një institucion shumë fiktiv, që në gjuhën sportive thuhet tenton të luajë vetëm me një këmbë. Aspirata e kombit për të shkuar në BE pengohet nga këta. Harrojnë që monitorohen, harrojnë që problemi nuk është vetëm te 3 ligjet që nuk miratohen, por problemi është më kompleks. Europa, SHBA vazhdimisht kanë bërë thirrje për performim të lidershipit demokratik. Keni parë se si kërcënohen drejtpërdrejt deputetët, keni parë se si janë dominuar të gjitha institucionet dhe kanë rënë në një dorë. Është e njëjta sjellje si në kohën e monizmit”, u shpreh Topi. Sipas Topit: “FRD nuk është një emër më shumë në skenën politike, por është një parti e njerëzve me vizion dhe përvojë, e qytetarëve që e lidhin politikën me ide afatgjata në shërbim të shoqërisë dhe të shtetit. Shqipëria sot ndodhet përballë sfidash të mëdha, ne jemi këtu për tu përballur me to, dhe jo për të gjetur alibi për paaftësinë e zgjidhjes së tyre, siç bën pushteti i sotëm dhe modeli siamez në opozitë. Me kurajë, votë dhe qytetari do të mund të bëjmë reale ëndrrën e etërve të shtetit shqiptar, për një Shqipëri të zhvilluar dhe evropiane”. Kurse Sekretari i Përgjithshëm i FRD, Gazmend Oketa, tha se shqiptarët kanë mbetur të fundit. Ai kërkoi që të rinjtë të votojnë për ndryshimin.