Gushti po ikën e bashkë me të edhe vapa përvëluese. Këtë shtator fillon ushtrimi operativ i kompetencave të 61 kryebashkiakëve të dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit. Janë me qindra ish-punonjës komunash e bashkish që presin me ankth të madh largimin nga puna si rezultat i reformës së re territoriale.
Si dhe qindra të tjerë që mendojnë të punësohen në bashkitë e mëdha. Jo pak intelektualë presin të marrin haraçin e premtuar nga partitë dhe kandidatët fitues që siç ndodh rëndom premtohen vende pune nëpër fushata zgjedhore.
Ndaj mund të themi pa pikë dyshimi se kjo vjeshtë do të vijë me rritje të temperaturës politike, nxehje gjakrash ndofta shumë divorce dhe kurorëzime të reja brenda kampeve politike. Nuk përjashtohet mundësia e pazareve dhe hatërmbetjeve për vete faktin se torta nuk është e mjaftueshme për numrin e madh të dasmorëve të 21 qershorit.
