Totozani: CEZ-Qeveri ta zgjidhin me njëri tjetrin, jo me qytetarët

redaktor

Në një intervistë dhënë dje për gazetën DITA, Avokati i Popullit shprehet që nuk mund të penalizohen qytetarët sepse ka dështuar një kontratë mes CEZ dhe Qeverisë.” Qytetari nuk është palë në ketë marrëdhënie. Natyrisht qytetaret kanë kontratën e tyre me CEZ dhe energjia është një mall që duhet paguar. Sot nuk është ky rasti” – thotë Totozani

 

1. Z.Totozani, keni marrë tashmë dijeni lidhur me ndërprerjen e energjisë elektrike në ujësjellësit në disa qyteteve e si rrjedhojë lënien e banorëve të këtyre qyteteve pa ujë të pijshëm. Cili është reagimi juaj lidhur me këtë veprim?

 

Në rastin në fjalë uji po ju mungon qytetarëve si një pasojë që nuk ka lidhje me veprime apo mosveprime të tyre. Mesa duket zbatimi i kontratës apo marrëveshjes CEZ-qeveri ka probleme por duhet që keto palë t’i trajtojnë dhe zgjidhin ato në rrugë ligjore. Qytetari nuk është palë në ketë marrëdhënie. Natyrisht qytetaret kanë kontratën e tyre me CEZ dhe energjia është një mall që duhet paguar. Sot nuk është ky rasti. Ndaj qytetarët nuk duhet të penalizohen për përgjegjësi që nuk janë të tyret. Shtojmë këtu që e drejta për ujë të pijshëm është një e drejtë themelore dhe thelbësore e njeriut e njohur tashmë edhe në nivel ndërkombëtar.

 

2. A mendoni se konflikti mes qeverisë dhe CEZ-it duhet të ndikojë mbi banorët? Aq më tepër kur këta të fundit janë pagues të rregullt të faturave të ujit të pijshëm?

Absolutisht jo, për arsyet që sapo ju përmenda.

 

3. Cila mendoni se është zgjidhja e duhur për këtë situatë në të cilën ndodhet tashmë një pjesë e qyteteve tona?

Çdo kontratë e lidhur midis dy apo më shumë subjektesh përveç të tjerave parashikon edhe detyrimet e palëve. Ato duhen zbatuar. Po kështu edhe mënyrën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Rruga e parashikuar në kontratë dhe legjislacioni në fuqi janë rruga e duhur. Por qytetari duhet lënë jashtë këtyre mosmarrëveshjeve dhe pasojave që rrjedhin prej tyre. Kur qytetari paguan atij i duhet dhënë shërbimi. Ndërsa palët, qeveria dhe CEZ duhet të kujtojnë se janë përgjegjës ndaj qytetarëve për ofrimin e këtij shërbimi.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *