Shmangin diskutimin për 7 raporte mbi të drejtat e njeriut – thotë Totozani dhe pranon vështirësi në marrëdhëniet me Kuvendin. Rrëfen në Ora Neës takimet në Kosovë: “Takova profesor Qosen, nëpërmjet tij kam njohur historinë e Kosovës”
Disa javë më parë Avokati i Popullit formuloi zyrtarisht dy propozime për vendin e një prej 3 komisionerëve të këtij institucioni. U prezantuan dy kandidatura nga kategoria e personave me aftësi të kufizuar, konkretisht dy juristë nga shtresa e të verbërve. Ligjërisht i takon tashmë Kuvendit t’i marrë në shqyrtim e t’i votojë. Por çfarë po ndodh me këto kandidatura?
“Nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Kuvendi për komisionerët tanë – thotë Avokati i Popullit Igli Totozani në një intervistë në televizionin Ora Neës. Dhe jo vetëm kaq. Totozani thotë se Kuvendi zvarrit dhe nuk shqyrton prej muajsh raporte shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut në Shqipëri, madje tashmë kanë nisur të shmangin edhe asistencën e ekspertëve në ligje delikate për këto të drejta siç është ai i përgjimeve, i nëpunësit civil etj.
Thotë Totozani duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit lidhur me marrëdhëniet AP-Kuvend: “Po mundohemi të kemi një bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin e Shqipërisë, duke qenë se edhe nga pikëpamja hierarkike, jemi Ombudsmanë parlamentarë, pra e kemi shumë të rëndësishëm dhe jetik bashkëpunimin dhe ndihmën e Kuvendit në punën dhe aktivitetin e përditshëm të Avokatit të Popullit. Ajo që do të konstatoja është se megjithë kërkesat tona, të vazhdueshme gjatë këtij viti që ky bashkëpunim të jetë sa më i ngushtë, kjo nuk ka ndodhur. E kemi furnizuar vazhdimisht Parlamentin me rekomandimet tona, me raporte të veçanta, me analiza të ekspertëve të institucionit në lidhje me ligje të veçanta, por…. Mund t’ju them që gjatë këtij viti ne kemi dërguar 7 raporte të posaçme Parlamentit të Shqipërisë. Natyrisht parlamenti nuk është i detyruar që t’i diskutojë, por është një ndihmë e madhe për Avokatin e Popullit, është një ndihmë e madhe gjithashtu për qytetarët, për shoqërinë civile, për komunitetin ndërkombëtar që punon vazhdimisht për përmirësimin e standardeve në Shqipëri që këto raporte të diskutoheshin. Dhe herë tjetër e kemi thënë që sipas ligjit të Avokatit të Popullit nëse këto raporte nuk diskutohen në Parlament, ato është e pamundur që të bëhen të njohur për publikun e gjerë shqiptar, por ky publik ka nevpjë të diskutojë dhe të shikojë në mënyrë transparente problematikat e të drejtave të njeriut në fusha të caktuara. Si institucion gjithashtu thirremi rrallë gjatë diskutimit të ligjeve, të cilët janë të një rëndësie të veçantë. Nuk ndodhi psh kur u diskutua në parlament ligji për përgjimet dhe ju e dini që ky është një ligj mjaft specific dhe i veçantë, i cili do një këndvështrim të të drejtave të njeriut. Gjithashtu me sa di në strukturat parlamentare po qarkullon ligji për nëpunësin civil, një nga tre ligjet që Europa i kërkon Shqipërisë, ne kemi dërguar një mendim.. Janë ligje që prekin të drejtat e njeriut dhe jo vetëm ne, por kërkesa jonë ka qenë që të ftohemi ne dhe shoqëria civile…”
PYETJE – A ka pasur pasoja ky moskonsultim në ligjet, apo në amendamentet që janë hartuar nga parlamenti?
PERGJIGJE – Për të dalë tek pyetja juaj, çështja e komisionerëve është një çështje, e cila natyrisht ka filluar të na shqetësojë se puna vazhdon në institucionin e Avokatit të Popullit, një nga seksionet ka mbetura titullar, numri dy që mbulon seksionin e administratës, që është dhe seksioni që ka numrin më të madh të ankesave ka mbetur pa titullar. Në këtë kuptim përfitoj nga ky takim bashkë për të nxitur parlamentin shqiptar, se sa më shpejt të diskutojë dy kandidaturat që vijnë nga aftësia e kufizuar dhe kjo e një rëndësie të veçantë, dhe t’i japi drejtim kësaj çështjeje, pasi tashmë kandidaturat gjenden në Kuvendin e Shqipërisë prej rreth 30 ditësh.
Përveç heshtjes, komunikim shkresor për të dhënë një përgjigje, të paktën do merren, apo s’do merren në shqyrtim. Nuk ka pasur asnjë lloj lëvizje për t’iu kthyer të paktën përgjigje?
Nuk kemi pasur asnjë përgjigje në rastin konkret, por edhe në përgjithësi kërkesat tona nuk kanë pasur përgjigje nga Parlamenti , edhe për tu dëgjuar në séance të caktuara, edhe për tu dëgjuar në komisione ku diskutohen ligjet, por dhe në rastin konkret nuk kemi asnjë informacion nga parlamenti se çfarë po ndodh me dy kandidaturat e propozuara nga Avokati i Popullit.
Vizita në Kosovë ishte vizita e parë zyrtare si Avokat i Popullit dhe ishte një vizitë mjaft e rëndësishme. Çfarë u diskutua atje?
Kjo ishte një vizitë e rëndësishme së pari për tu njohur më në detaje mbi mënyrën e organizimit të secilit organizëm dhe prioritetet që ka. Ajo që kuptova unë së pari është që kemi mundësia të mëdha bashkëpunimi midis nesh dhe kemi rënë dakord në disa pika. Në prill do të zhvillohet një vizitë zyrtare e kthimit e Ombudspersonit të Kosovës dhe mendojmë që të shkruhet një marrëveshje e dytë, e cila do të synojë në radhë të parë që institucioni i AP të përfitojë nga përvoja e zyrave rajonale të Ombudsmanit të Kosovës, sepse ombudsmani i Kosovës ka disa zyra rajonale, ne kemi vetëm dy zyra të tilla, të cilat nuk mbulohen dot me kohë të plotë për mungesë stafi. Gjithashtu ne do të marrim përsipër detyrimin që në të gjithë ato vende ku bëjmë pjesë të lobojmë për institucionin e Avokatit të Popullit të Kosovës. Vizita në Kosovë kishte rëndësi dhe për shumë gjëra të tjera. Kishim takime të ngushta me shoqërinë civile të Kosovës. Një moment tjetër i rëndësishëm i kësaj vizite ishte takimi me prof. Rexhep Qosen, natyrisht që ishte më tepër një dëshirë personale për ta takuar për ta falënderuar për faktin që le të themi që gjatë jetës sime intelektuale, akademike, nëpërmjet librave të profesor Qoses unë kam arritur të njoh Kosovën, historinë e saj, pra është një nga ata intelektualë së bashku me intelektualë të tjerë si Kadare, Ibrahim Rugova kanë arritur të na rrisnin ne si brez me librat e tyre, me idetë e tyre, me mjehstërinë e tyre në të shkruar na kanë ndihmuar që të rritemi intelektualisht .
Dhe takimi i fundit ishte me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z.Jakup Krasniqi duke e falënderuar në mënyrë të veçantë sepse zoti Krasniqi është një përkrahës i madh i Ombudsmanit të Kosovës. Ne e kemi thënë dhe herë tjetër që puna e Avokatit të Popullit dhe Ombudsmanit të Kosovës në vendet të cilat janë në tranzicion nuk është një punë e thjeshtë. Ende në këto vendet në tranzicion ka një mungesë të kulturës të demokracisë, ka një emancipim më të ngadaltë të shoqërisë dhe shpesh herë keqkuptohemi në rolet tona, keqkuptohemi në kritikat tona. Edhe puna e Ombudsmanit të Kosovës nuk i shmanget, sikurse dhe puna jonë e përditshme këtu në Shqipëri këtyre keqkuptimeve, por në fatin e tij të mirë ai kishte (dhe këtë e konstatova gjatë takimit me zotin Krasniqi), një mbrojtës të mirë që është Parlamenti, që është kryetari i Parlamentit. Ishte një kënaqësi e veçantë sepse për herë të parë takoja një kryetar parlamentar shqipfolës, sepse ende nuk e kam takuar zonjën Topalli megjithse ka kaluar një vit e një muaj. Ishte një vizitë mjaft frytdhënëse, një vizitë njohëse e realitetit kosovar dhe mbi të gjitha një mikpritje për të mos u harruar asnjëherë.