Përgjimet zbulojnë trafikun e armëve nga Rrogozhina në drejtim të Kavajës dhe më pas shitja e tyre jashtë vendit. Policia e Kavajës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë finalizuar operacionin e koduar “Rrethimi” gjatë pasdites së djeshme, duke arrestuar të dyshuarin Kujtim Prroshka, që transportonte me makinën e tij një arsenal të tërë armatimi dhe municionesh. Madje ka goditur me mjet postbllokun, duke lënduar dy prej efektivëve në aksion. Ndërsa në Kurbin u zbulua një tjetër bazë me 22 kallëpe tritoli e 20 granata, ndërsa u ndalua një i dyshuar.
Policia e Kavajës ka marrë informacion se i arrestuari Kujtim Prroshka, 39 vjeç, banues në Rrogozhinë, udhëtonte me automjetin me targa AA453FU, “Mercedes Benz”, të mbushur me armë. Në vendin e quajtur “Bishti i Zhurit”, u ngrit një postbllok i befasishëm. Por kur ka parë efektivët e patrullës që i kërkuan të ndalonte, Prroshka ka menduar të hyjë në aventurë, duke goditur një prej tyre me mjet. Nga manovra janë lënduar dy prej efektivëve, por i dyshuari është larguar nga postblloku me shpejtësi. Menjëherë janë vënë në lëvizje edhe FNSH-të me mjete dhe pajisje speciale, duke e ndjekur dhe arrestuar 39-vjeçarin. Kurse nga kontrolli i kryer në mjet dhe banesë janë zbuluar 4 automatikë, dy prej të cilëve “Kallashnikovë”, një pushkë, dy armë gjahu, rreth 1500 fishekë të llojeve të ndryshëm, krehra të mbushur, pjesë armësh luftarake, celularë dhe makina me të cilën kryente transportin.
Policia tha se efektivët e dëmtuar nuk kanë rrezik jete, ndërkohë që kanë nisur hetime intensive për zbardhjen e këtij rrjeti trafiku dhe bashkëpunëtorëve të Prroshkës. Hetimet i ndjek Prokuroria e Kavajës për “kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Kurse Policia e Kurbinit sekuestroi dje 22 kallëpe tritoli dhe 20 granata. Sipas të dhënave të policisë municionet janë gjetur në një banesë në fshatin Shënmëri. Policia ka arrestuar një person si posedues të municioneve, por ende nuk bëhet i ditur identiteti i tij. Policia thotë gjithashtu se në banesën e tij kanë gjetur edhe një pushkë e disa fishekë. Hetimet për këtë ngjarje vijojnë.
Armatimi i sekuestruar:
2 automatikë “Kallashnikovë”
1 automatik kinez
1 automatik shqiptar
1 pushkë italiane “Terni”
2 armë gjahu teke
18 krehra me fishekë
1200 fishekë të ndryshëm
8 pjesë armësh luftarake
Mjeti “Mercedes Benz”
Telefona celularë
22 kallëpe tritoli
20 granata

Shume gabim i paskan ule vleren benzit….armatimi behet ose me karroc ose biciklet, ne te kundert ju heton Visho Ajazi…
Pergezime! Urimet me te mira policise se rilindur.
Me respekt V.Duka
Krenare per Policine e Shtetit tim.Hallall taksat e mia per ta.