Dy persona të dyshuar për trafik armësh drejt Kosovës u arrestuan dje nga policia e Kukësit. Burime zyrtare thanë se ndaluan Abdi dhe Riza Lleshi, 51 dhe 47 vjeç. Në total u sekuestruan 8854 fishekë, 15 armë, 40 granata dhe 4 mina kundër këmbësorisë. Operacioni u ndërmor pas dyshimeve për aktivitetin kriminal të dy të afërmve, se posedonin armatim dhe madje e trafikonin drejt shtetit fqinj nga zona e Hasit. Policia sqaroi se gjithashtu sekuestroi 16 granata dore, 8 predha antitank, 21 kapsolla, 4 kuti me kapsolla dhe llojet e fishekëve ishin të ndryshëm. Kurse mes armëve të zbuluara, 3 ishin automatik “Kallashnikov”, 5 pushkë, 1 mitraloz i lehtë, 2 pistoleta, dhe 2 armë gjahu çifte.