Një sasi e konsiderueshme heroinë me vlerë mbi 100 mijë euro në treg u sekuestrua mbrëmjen e djeshme në qytetin e Korçës, ndërsa u arrestuan 6 persona të dyshuar si trafikantë dhe shpërndarës, mes tyre edhe një femër. Sektorit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, njoftoi se finalizoi pas disa ditësh hetimesh dhe përgjimesh operacionin e koduar “Fallxhorja”. Në qytezën e Bilishtit është arritur të lokalizohen në lëvizje dhe të sekuestrohen 2,6 kilogramë lëndë narkotike që dyshohet se është heroinë. Policia tha se ka arrestuar në kushtet e flagrancës Ardian Shurdha, 42 vjeç, Aleks Kreci, 36 vjeç, Ervis Hasankolli, 36 vjeç, Shyqyri Hasalla, 36 vjeç, Dritan Qesja, 35 vjeç dhe Eli Djali, 22 vjeçe, të gjitha banues në Elbasan dhe Peqin. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të dyshuarit ishin duke udhëtuar në mjetin tip “Benz”, me targë AA245AE, me qëllim shpërndarjen dhe transportimin për në shtetin grek të lëndës narkotike. Burime zyrtare sqaruan se po hetohet për përfshirjen edhe të personave të tjerë në këtë rrjet dhe zbardhjen e plotë, kurse dosja i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme, me akuzën “trafik narkotikësh”.
