Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë i dha fund dje një procesi gjyqësor që zgjati më shumë se një vit në ngarkim të 2 vëllezërve të akuzuar për rekrutim nëpërmjet mashtrimit për martesë, trafikim dhe më pas shfrytëzim për prostitucion të vajzave të reja nga Shqipëria në Gjermani dhe Zvicër.
Trupi gjykues dha 30 vite burgim në total për të arrestuarit Shyqyri dhe Bledar Stafuka, por ata përfituan nga gjykimi i shkurtuar dhe u ulet një e treta e dënimit. Shyqyri Stafuka duhet të vuajë 12 vjet izolim dhe Bledari 10 vjet burg. Dëshmitë e dy vajzave nga Skrapari dhe Tirana, e para shtatzënë që abortoi fëmijën dhe e dyta gjimnaziste e mitur, gozhduan dy vëllezërit.
Rrëfimi i Danielës
Daniela B., më 23 prill 2013 denoncoi në Policinë e Tiranës dhe më pas te Krimet e Rënda të dënuarin Shyqyri Stafuka, që e kishte mashtruar, detyruar të abortonte fëmijën, trafikuar dhe më pas shfrytëzuar për prostitucion në Gjermani dhe Zyrih të Zvicrës.
Ajo ka dëshmuar se me Shyqyriun ishte njohur në lokalin e tij në 2012, ku punonte kameriere motra e saj. Ky i fundit krijon lidhje me të renë pas disa takimeve dhe vajza i tregon se ishte shtatzënë dy muajsh me të fejuarin e parë të saj. Shyqyriu i thotë se mjaftonte të abortonte fëmijën dhe më pas justifikohet se nuk e linin prindërit. Në këtë mënyrë Daniela pranon që të shkojnë në Gjermani pas abortit në një klinikë private në Laprakë.
Shyqyriu ikën në Gjermani dhe vajza shkon më pas me autobus nga Mali i Zi deri në Osnabruck ku e pret Stafuka dhe vëllai i tij Bledari. Shyqyriu hiqet sikur ishte burgosur nga policia dhe vëllai i tij e dërgon atë në Zvicër pasi nuk mund të rrinin në Gjermani. Pasi mbërrin në Zyrih, Daniela dhunohet dhe detyrohet të ushtrojë prostitucion në lokalet e natës në Zvicër. Ai i kërkon asaj të bëjë prostitutën pasi i duheshin paratë. Më vonë e lë Danielën në Zyrih dhe vetë kthehet në Shqipëri.
Daniela rikthehet në Zvicër në muajin mars, ku detyrohet në të njëjtin lokal të ushtrojë prostitucion. Çmimi sipas rrëfimit të saj ishte 100 franga për 20 minuta seks dhe kishte për 10 ditët e fundit para se të rikthehej përsëri në Shqipëri, kishte dorëzuar te Bledari 3 mijë franga. Rikthehet në Tiranë në prill 2013.
