Qyteti i Tiranës përballet me ndotjen më serioze të ajrit në Shqipëri. Ky është dhe përfundimi që kanë nxjerrë ekspertët e shëndetit publik në raportin e monitorimit të cilësisë së ajrit gjatë vitit të shkuar. Shifrat e ndotjes janë shumë herë më të larta sesa ato që raportojnë vendet fqinje dhe ato evropiane. Megjithatë, niveli i ndotjes pohohet të jetë përkeqësuar edhe më shumë gjatë muajve të fundit, duke qenë se Tirana është shndërruar në një kantier ndërtimi dhe sasia e pluhurit, si dhe gazrave të dëmshëm në ajër ka pësuar rritje të ndjeshme. Ky fenomen rëndohet edhe më shumë nga djegiet e pakontrolluara e mbeturinave, lëndëve djegëse, si dhe grimcave që lëshohen në sasi të larta gjatë lëvizjes së përditshme të automjeteve.
Ekspertët e shëndetit publik vënë në dukje se trafiku rrugor është burimi kryesor i ndotjes, të cilit i shtohen aktiviteti i ndërtimit dhe ngrohja e banesave.

Tirana tashmë mund të konsiderohet një zonë problematike për përmbajtjen në ajrin e vet të grimcave të imta e të dyoksidit të azotit PM10 është lëndë e grimcuar e imët, me diametër grimcash më të vogël se 10 mikron”, detajohet në raportin e ISHP-së.
Ndotësit e krijuar nga trafiku përfshijnë hidrokarburet, oksidet e azotit, lëndën e grimcuar dhe monoksidin e karbonit. Ekspozimi ndaj ndotjes se ajrit mund të japë efekte të shpejta në shëndet. Disa njerëz janë më të ndjeshëm ndaj efekteve të ndotjes së ajrit se të tjerët. Njerëzit me sëmundje ekzistuese të zemrës apo të mushkërive, fëmijët dhe të moshuarit janë veçanërisht të ndjeshëm.
“Këto lloj grimcash të ajrit konsiderohen aktualisht prej Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) si ndotësit më të rrezikshëm urban për shëndetin e njeriut. Cilësia e keqe e ajrit shkakton më shumë vdekje dhe sëmundshmëri se sa duhan pirja pasive, aksidentet rrugore dhe obeziteti. Megjithatë, ajo ka pak apo aspak vëmendje nga dikasteret shtetërore përgjegjëse.
Treguesit sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë
Efektet shëndetësore të ndotjes së ajrit
Monoksidi i karbonit
Monoksidi i karbonit është një gaz pa erë dhe ngjyrë. Ai prodhohet nga djegia jo e plotë e lëndëve djegëse. Ai kapet më lehtë se oksigjeni prej rruazave të kuqe të gjakut dhe ndërhyn kështu me furnizimin e organizmit të njeriut me oksigjen. Ai është helmues në përqendrime të lartë, që nuk hasen normalisht në ajrin e jashtëm. Në përqendrime të ulta ai mund të japë një pakësim të vogël të performancës maksimale fizike të individëve të shëndetshëm, teksa është vënë re që shpejton fillimin e anginës te individët me sëmundje koronare arteriale.
Dioksidi i azotit
Dioksidi i azotit është një gaz irritues, që ka ngjyrë të kuqërremtë dhe shije të hidhur në përqendrime shumë të lartë. Në nivele të lartë NO2 shkakton inflamacion të rrugëve të frymëmarrjes. Te njerëzit me shenja azmatike ekspozimi ndaj tij sjell efekte të rënda në funksionin e mushkërive, dhe mendohet se shkakton reagim të ekzagjeruar ndaj alergenteve, ajrit të ftohte dhe aktivitetit fizik. Ekspozimi ndaj tij i vendos fëmijët nën rrezik të rritur për sëmundje të frymëmarrjes
Dioksidi i squfurit
Dioksidi i squfurit është një gaz pa ngjyrë me një erë disi të ëmbël e mbytëse. SO2 prodhohet prej djegies së lëndëve djegëse industriale e shtëpiake. Ekspozimi afat shkurtër ndaj përqendrimeve të larta të SO2-shit, rezulton në reduktim të funksionit të mushkërive. Ekspozimi afat gjatë mendohet se çon në sëmundje respiratorë të fëmijëve dhe vdekshmëri të rritur të gjitha moshave. Fëmijët e vegjël dhe njerëzit që vuajnë prej azmës dhe sëmundjeve kronike të frymëmarrjes janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj këtij gazi ndotës.
Grimcat e pluhurit
Ndotja nga grimcat përbëhet prej një varieteti të gjerë dhe rrezikshmëria e tyre varet nga përmasat e sa. Grimcat identifikohen ose si PM10 (grimca me diametër aerodinamik më të vogël se 10 μm) ose si PM2.5 (grimca me diametër aerodinamik më të vogël se 2.5 μm). Ekspozimet si afatshkurtra dhe afatgjata kanë treguar se shkaktojnë sëmundje të frymëmarrjes dhe të zemrës, efekte të tjerë të dëmshëm shëndetësore që ndikojnë në rritjen e nivelit të vdekshmërisë. Ekspozimet afatgjata kontribuojnë në rrezikun e kancerit të mushkërive.
Hidrokarburet aromatike
Hidrokarburet aromatike janë kancerogjenë të njohur, që kanë një numër burimesh. Benzeni është ai që ka më shumë rëndësi e që monitorohet dy vitet e fundit edhe në kryeqytet. Burimet kryesore të tij janë djegiet shtëpiake e industriale, si edhe transporti rrugor. Po ashtu edhe tolueni është një tjetër grimcë e dëmshme. Ekspozimet afatshkurtër e afatgjatë ndaj toluenit prekin sistemin nervor qendror, dhe tolueni mendohet se shkakton defekte në lindje dhe në zhvillim. Hidrokarburet aromatike digjen lehtë duke prodhuar monoksid karboni dhe dyoksid karboni. Frymëmarrja e hidrokarbureve aromatike në përqendrime të larta për periudha të gjata kohe shkakton lodhje, dhembje koke, marrje mendsh dhe të vjella.