Televizioni francez TF1 ka bërë një kronikë të gjatë për një grup që trafikon lëndë narkotike.
Sipas kronikës, në Annecy, një qytet në afërsi të kufirit me Zvicrën, një rrjet i mafies shqiptare qarkullon sasi të mëdha të heroinës me çmime me të cilat po sfidon të gjithë konkurrencën.
Një gram shitet për 20 euro, ndërsa çdo pikë shitje bën 100 mijë euro në muaj, çka do të thotë 1 milion euro për të gjithë zonën.
“E sjellë nga Shqipëria, droga ka mbërritur deri në kufirin francez. Komuniteti po u bie kambanave të alarmit”, thotë kjo media franceze.
TF1 është e bindur se droga prodhohet në Dibër, duke e ilustruar edhe me një hartë, ku heroina përfundon në Annecy, në Francë.
TF1 thotë se dy shpërndarës shqiptarë u dënuan me tre dhe pesë vjet burg, ndërsa 13 shqiptarë, shpërndarës dhe trafikantë droge, janë arrestuar vetëm këtë vit në Jug të Francës.
“Grupi i tyre kontrollohet nga Gjeneva, në Zvicër”, vijon TF1.
