Trafiku i rënduar që krijohet në fundjavë në akset që të çojnë drejt vijës bregdetare të Durrësit ka mobilizuar Policinë Rrugore, që këtë të diel me një njoftim për mediat i bën thirrje drejtuesit të mjeteve, që frekuentojnë aksin dytësor Plepa –Golem, të lëvizin në drejtim të Mbikalimit të Kavajës.
Njoftimi i policisë:
Nisur nga fluksi i madh i mjeteve që qarkullojnë në fundjavë në segmentin rrugor Plepa–Golem, Policia Rrugore Durrës me qëllim sigurimin e lëvizjes së lirë dhe pa probleme në këtë aks këshillon drejtuesit e mjeteve sa më poshtë:
– gjatë orarit të pasdites të qarkullojnë në intervale kohe të ndryshme dhe jo në mënyrë të menjëhershme;
-të mos kryejnë manovra të gabuara si: parakalime, mos-respektim të normave të shpejtësisë, mos–ruajtje të distancës së sigurisë së mjeteve në lëvizje etj.
– drejtuesit e mjeteve që kanë ardhur me pushime në zonën e Golemit, Mali i Robit të qarkullojnë në drejtim të Mbikalimit të Kavajës për të dalë në autostradë për në Tiranë për shkak të ngarkesës.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor Durrës do të ndëshkojnë çdo drejtues mjeti që shkel normat e Kodit Rrugor.
a.s/dita
