Ndërsa 20 anëtarë të ekuipazhit të tragetit të mbytur në Korenë e Jugut, u siguruan që t’i shpëtonin të parët tragjedisë, tre persona zgjodhën vetësakrifikimin. Të parët përballen me gjykimin e ashpër të kombit, të dytët janë shpallur heronj
“Veprimet e ekuipazhit të tragetit ‘Sewol’ i fundosur me 476 pasagjerë në bord, janë të barabarta me vrasjet”. Me këto fjalë të rënda, presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun-hye, nënvizoi se bëhet fjalë për akte plotësisht të papërgjegjshme që i kushtuan jetën 104 personave në tragjedinë e së mërkurës, ndërsa rreth 200 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Komandanti i tragetit, dy asistentët e tij dhe 4 pjesëtarë të ekuipazhit janë arrestuar me akuzat se nuk i ndihmuan pasagjerët dhe se e braktisën të parët anijen që mbytej. E në një kohë kur vala e urrejtjes së familjarëve të viktimave vërshon pikërisht ndaj tyre dhe autoriteteve që edhe pas një jave, nuk po i gjejnë trupat, të paktën dy nga anëtarët e ekuipazhit dhe një mësues dhanë jetën për të shpëtuar të tjerët.
Yang Dae-hong
Teksa uji vërshonte brenda tragetit, oficeri 44-vjeçar, Yang Dae-hong, i telefonoi për herë të fundit së shoqes: “Anija po anohet… Përdori paratë në bankë për shkollën e fëmijëve”. Kur gruaja e pyeti se c’po ndodhte ai iu përgjigj: “Nuk mund të flas më gjatë… Duhet të ndihmoj fëmijët”. 325 nga të pranishmit në bord ishin nxënës.
Park Jee-young
Zoti Yang nuk ishte i vetmi martir. 25-vjeçarja Park Jee-young, e cila punonte në kafeterinë e tragetit, qëkur kishte braktisur universitetin për të ndihmuar familjen në vështirësi ekonomike, shpëtoi 20 gjimnazistë duke iu shpërndarë jelekë shpëtimi teksa trageti shkonte poshtë. Kur jelekët mbaruan,
vajza vrapoi në korridoret që mbusheshin me ujë për të marrë të tjerë. Për vete nuk rezervoi asnjë. “E pyeta se përse nuk mbante edhe ajo një. Mu përgjigj se do të ishte mirë dhe do të largohej pasi ne ta kishim bërë”, u shpreh një nga nxënësit për mediat koreanojugore. Kur niveli i ujit filloi të ngrihej, ajo iu tha të rinjve të tmerruar që të injoronin urdhrat për të qëndruar në anije dhe të hidheshin në det. “Ngjituni në katin e katërt dhe kërceni”, iu bërtiti. Trupi i pajetë i Park Jee-young u gjet ditën e parë të operacioneve të shpëtimit. Në korridorin e sallës së vogël përkujtimore, buqeta lulesh dhe mesazhe nderimi i bëjnë homazh sakrificës së saj.
Nam Yun-cheol
Nam Yun-cheol, mësuesi 36-vjeçar i liceut “Danëon”, vdiq edhe ai në përpjekje për të shpëtuar nxënësit e tij. Ndërsa anija filloi të zhytej, Nam vrapoi në katet poshtë për t’i lajmëruar ata. “E pashë teksa i jepte jelekun e tij dikujt. Ishte hera e fundit që e shihja gjallë”, tha një tjetër nxënës që i mbijetoi tragjedisë. Trupi i pajetë i mësuesit u gjet mëngjesin e së enjtes.
Zëvendësdrejtori i liceut ku studionin dhe punonin viktimat, Kang Min-gyu, ishte mes pasagjerëve që arritën t’i mbijetonin përmbytjes. Por 52-vjeçari nuk e përballoi dot tronditjen dhe kreu vetëvrasje në afërsi të palestrës së shkollës, të premten./ Përgatiti: Dorina Gjuzi
