Kampionia e botës në boks, francezja Anxhelik Dukemin ka humbur jetën në mënyrë tragjike, pasi ka pësuar një atak kardiak gjatë stërvitjes. Boksierja 26-vjeçare u nda nga jeta në qytetin e Perpinjan, në Francën jugore. Dukemin pësoi atak kardiak të hënën në palestrën e ekipit të saj në Tuir dhe u shpall më pas e vdekur në spital.
Ajo u kurorëzua kampione e Europës në dhjetor 2015, përpara se të bëhej kampione e botës majin e këtij viti. Ajo pritej të ngjitej në ring për të mbrojtur titullin botëror në 21 tetor në versionin WBF në Montpelje. Kampionia olimpike, francezja Estel Moseli shprehu ngushëllimet e saj në “Twitter”.
“Sapo kam marrë vesh me trishtim lajmin e vdekjes së Anxhelik Dukemin. Kemi qenë bashkë që nga fillimi. Ajo ishte shumë e re. Ngushëllime familjes së saj”. Gjithashtu shprehu ngushëllimet edhe bashkëkombësi i saj, Brahim Asloum, medalisti i artë olimpik në Lojërat e 2000-ës dhe ish-kampion i botës për të rinj në versionin WBA.
“Faleminderit për guximin, talentin dhe zemrën tënde të madhe”. Edhe përpara katër viteve kjo familje ishte tronditur nga një tragjedi teksa babai i saj, ish-boksier, kishte vdekur po nga një atak në zemër. Dukemin, e pamposhtur në 14 ndeshje, në vitin 2015 kishte fituar titullin kampion francez dhe atë europian.
Zhakes Rovira, presidenti i Federatës Lokale të Boksit konfirmoi vdekjen e boksieres nga një embolizëm pulmonar. “Lajmi i hidhur pasditen e 29 gushtit për Federatën Botërore të Boksit për femra. Kampionia e botës Anxhelik Dukemin ndërroi jetë”, thuhej në njoftimin e federatës, raporton Panorama.
Vëllai i Anxhelik, Zhoel, gjithashtu edhe ai një boksier profesionist, ka njoftuar për tragjedinë në një postim në rrjetin social në “Facebook” duke e cilësuar motrën si një person të mrekullueshëm.
“Motra ime na la shumë herët. Ajo kishte edhe shumë për të jetuar. Do të më mungosh e dashur, nuk do të të shoh më. Do të më mungojë edhe telefonata për të dëgjuar zërin tënd pasi ke qenë një person i mrekullueshëm”. Dukemin e nisi sportin e boksit që në moshën 7-vjeçare për t’u përfshirë në boksin profesionist në vitin 2012.

Dhe keshillon mjekesia qe cdo njeri duhet te merret me levizje si ecje,vrap per t’iu shmang goditjeve ne zemer.Sa sportiste kan vdekur ne kete variant.Boll.
Te jetuarit asht mister i pa njohur si nga nuhatja primitive po keshtu dhe nga shkenca.