Një tjetër tragjedi godet SHBA-në. 15 të vdekur, 160 të plagosur, 10 ndërtesa në flakë dhe të paktën 60 shtëpi të rrafshuara. Këto janë shifrat ende provizore të shpërthimit në një fabrikë të plehrave kimike në Teksas, SHBA. Shkaqet e shpërthimit janë ende të panjohura. E gjithë zona është mbushur me gazin amoniak dhe autoritetet i druhen formimit të një reje toksike, çka ka çuar në evakuimin e 2800 banorëve gjatë natës.
Dëshmitarët thonë se shpërthimi i ngjante atij të një bombe atomike. “Pas zhurmës së fortë, kemi parë një top të madh zjarri në qiell, një kërpudhë tymi e lartë dhjetëra metra”, tregon kryebashkiaku i Waco-s, Tommy Muska.
Videot amatore tregojnë se fillimisht fabrika është përfshirë nga flakët dhe më pas ka ndodhur shpërthimi i fortë. Të gjitha shtëpitë janë rrafshuar nga impakti i fortë i ajrit.
Për të kuptuar më mirë fuqinë e shpërthimit mjafton të kujtojmë se në tragjedinë e 19 prillit 1995 në Oklahoma u përdorën dy tonë material kimik, shpërthimi i të cilit shkaktoi shembjen e dhjetëra pallateve. Kësaj radhe, sasia e materialit që ka shpërthyer është disa herë më e madhe, praktikisht, aq sa mund të gjendet në një fabrikë që prodhon materiale të tilla. /
Gazmira Sokoli