Katër nga 28 të mbijetuarit e anijes së mbytur të dielën në Kanalin e Siçilisë janë minorenë dhe kanë rrëfyer për mediat italiane se trafikanti që drejtonte peshkarexhën ku ata udhëtonin “pinte verë, tymoste hashash dhe më pas braktisi timonin për t’u fshehur mes emigrantëve”.
Njëri prej tyre, Nasiri, me origjinë nga Bengali, i cili thotë se është 17 vjeç, është transferuar së bashku me tre adoleshentë të tjerë në një qendër pritjeje për të miturit, ‘La Madoninna’, në periferi të Katanias, ku ata tregojnë atë që ndodhi atë natë. Nasir shpjegon për “Corriere della Sera” se ishte fati i tij që nuk përfundoi në bodrumin e peshkarexhës që ishte e mbushur me qindra njerëz që kishin paguar më pak para, por qëndroi mbi kuvertë me 30 emigrantë të tjerë. Ai rrëfen se panë se si trafikantët, një nga Siria dhe tjetri nga Tunizia, pinin verë gjatë gjithë rrugës dhe tymosnin hashash.
Dy trafikantët janë Mohammed Ali Malek, 27 vjeç, shtetas tunizian, i cili dyshohet se ishte drejtuesi i barkës, dhe asistenti i tij sirian 25 vjeç, Mahmud Bikhit. Dy trafikantët janë arrestuar dhe mbi ta rëndojnë akuzat për vrasje të shumëfishtë, mbytje të anijes dhe bashkëfajësi në emigrimin e paligjshëm. I riu nga Bengali, shpjegon se ka lindur në Kuliarchar dhe prej dy vjetësh kishte shkuar në Tripoli në kërkim të punës për të ndihmuar familjen.
Ai shton se gjatë natës, pasi lëshuan sinjalin e alarmit erdhi një barkë e madhe. “Iu afruam barkës dhe instinktivisht kaluam të gjithë në të njëjtën anë për të shpëtuar, por anija u përmbys”, thotë Nasir. I riu shpjegoi se ka dëgjuar nga kati i poshtëm dhe bodrumi klithmat për ndihmë të njerëzve, të cilët nuk patën kohë të dilnin dhe u mbytën.
Sipas disa prej dëshmive të të mbijetuarve, të mbledhura nga prokuroria e Katanias, është vlerësuar se rreth 850 emigrantë udhëtonin në peshkarexhë. Edhe e përditshmja italiane “La Stampa”, ka folur me fëmijët e tjerë, të cilëve nuk ua përmend emrin dhe shpjegon se kontrabandistët braktisën timonin në momentin kur panë një anije mallrash portugeze, që kishte ardhur në ndihmë të tyre falë kërkesës së Rojeve Bregdetare italiane dhe kështu u përzien me emigrantët e tjerë.
Është e zakonshme që trafikantët, të tentojnë të përzihen me emigrantët në bord nëse nuk arrijnë të braktisnin anijen. Kështu ata arrijnë të ikin pa u vënë re dhe më pas të riatdhesohen në vendin e tyre si një i padokumentuar më shumë.
Një tjetër i mbijetuar, 30, i cili pretendon se vjen nga Zambia, thotë se para se të hynte kaloi dy muaj duke pritur radhën në një nga “fermat” që përdorin trafikantët në Libi. “Pashë që anija ishte plot me njerëz, por unë nuk mund të kthehesha. Udhëtimi ka qenë i tmerrshëm. Kishte mbipopullim, me pak ushqim dhe ujë. Shpëtuam vetëm se isha në kuvertë”, shpjegon ai. Nasirit i ndodhi e njëjta gjë, “rashë në ujë dhe ekuipazhi filipinas i anijes na hodhi litarët, me të cilët u kapa dhe kështu hipa në barkë. Ishin shumë të sjellshëm, na dhanë çaj, kafe, batanije dhe mendova se gjithçka përfundoi”. /DITA
