Disa ditë pas tragjedisë në një shkollë fillore në Njutaun, ku humbën jetën 20 fëmijë dhe 8 të rritur, prindërit e njërës prej vogëlusheve të vrara rrëfejnë çastet e makthit të pritjes për të mësuar nëse vogëlushja e tyre ishte në jetë apo ishte shuar
Prindërit e 6-vjeçares së vrarë në masakrën e shkollës “Sandy Hook” në Njutaun, Xhesika Rekos, u shprehën mes lotëve se do ta mbajnë vajzën gjithnjë në kujtimet e tyre, pavarësisht dhimbjes për humbjen e saj. Riçard dhe Krista Rekos treguan se sa shumë i pëlqenin Xhesikës shëtitjet me kalin e saj Ceo. “S’do reshtim së foluri për të çdo ditë, që vëllai i saj të kuptojë se sa njeri i mrekullueshëm ishte”, thotë Krista Rekos për “ABC News”.
Xhesikës i pëlqente shumë të shkruante dhe shpesh na linte shënime të vogla të ngjitura kudo nëpër shtëpi dhe pothuajse në të gjitha shkruhej: “Ju dua shumë”, shprehet Riçard.
Riçard Rekos tha se fillimisht, si gjithë të tjerët, kishte pak informacion mbi atë që kishte ngjarë në shkollën e vajzës së tij. “Nuk kishim asnjë ide mbi atë çfarë kishte ndodhur dhe menduam se çdo gjë ishte në rregull, sepse raportimet e para flisnin për një ose dy njerëz të lënduar të cilët ishin çuar në spital. Kishim shpresa se fëmijët kishin arritur të fshiheshin në shkollë dhe nuk kishin pësuar gjë”, vazhdon ai.
Çifti tregon se fillimisht shkuan në qendrën e zjarrfikëses së qytetit, duke menduar se ndoshta Xhesika ishte shpëtuar dhe ishte çuar aty. “E dija shumë mirë se ç’kishte veshur dhe po shpresoja të shikoja bishtalecin apo xhaketën e saj në ndonjë cep brenda ndërtesës. Por në orën 1:15 të mesditës, policët na njoftuan se 20 fëmijë kishin mbetur të vrarë. Por nuk na u dha asnjë përgjigje e saktë. Kishte kaq shumë panik dhe rrëmujë mes prindërve që ishin në pritje! Jeta thjesht ishte shuar jashtë asaj dhome!”
Çiftit Reskos iu kërkua që të shkonin në shtëpinë e tyre dhe të prisnin aty për njoftime të mëtejshme. Ata ishin mosbesues, në ankth dhe të nervozuar dhe qëndruan në atë gjendje deri në orën 1 të mëngjesit. “Në atë moment trokiti dera dhe oficeri i policisë na tha se Xhesika kishte vdekur. U konfirmua që makthi ynë kishte qenë i vërtetë, por ende s’e besoj që vogëlushja ime plot jetë nuk do të kthehej më në shtëpi”, thotë Krista. Çifti pohon se dhimbja për humbjen e vajzës ka hedhur rrënjë mes tyre, por ajo kurrë nuk do të shuhet nga kujtimet e tyre./Dorina Gjuzi