Nga Sejdo Harka
Avdulla Kënaçi, ky emër i spikatur i publicistikës shqiptare, që bëri emër brenda dhe jashtë vendit për më shumë se 3 dekada, në kufijtë e dy sistemeve diametralisht të kundërta, kohët e fundit shfaqet fuqishëm edhe si tregimtar i rrallë dhe tepër prodhimtar. Ende pa u mbushur viti, nga koha kur ai u shfaq me librin e parë me tregime “Enigma e një nate”, rishfaqet përsëri me vëllimin e dytë me tregime “Autokritika”. Lexon me një frymë 15 tregimet e këtij libri dhe gjithnjë e më shumë kupton se gazetaria e tij e shkruar dhe dokumentare vizive paskësh qenë vetëm maja e ajsbergut metaforik të pasioneve të tij krijuese. Dimensionet e saj të plota paskëshin qenë të konservuara në pjesën e nënujshme të vetëdijes së tij krijuese, të cilat pas përpunimit në laboratorin e tij krijues, i ka kthyer në libra me vlera të mëdha artistike. Në qendër të brendisë narrative të “Autokritikës” qëndron tragjikomizmi dhe fundi grotesk i sistemit monist. Ky sistem, për shkak të themeleve të dobëta, mbi të cilët u ngrit ajo “kështjellë prej rëre me fytyrë tigri”, ishte i destinuar që një ditë të jepte shpirt. Po cilat ishin disa nga plagët e pashërueshme të atij sistemi që u bënë objekt i artit narrativ të këtij tregimtari, për të stigmatizuar fundin e pashmangshëm të tij? Kolektivizimi i tejskajshëm dhe lufta e ashpër klasore, izolimi i plotë dhe degradimi moral e shpirtëror i idhujve të pushtetit, nepotizmi, formalizmi dhe propaganda boshe, që synonte edukimin dhe rritjen e të ashtuquajturit “njeriu i ri”, si fidanet në sera…Ja, këto ishin disa nga plagët më të mahisura, që e tjetërsuan atë në një gërmadhë arkaike me vlera vetëm muzeale e reflektuese për historianët, sociologët dhe shkrimtarët. Është kjo arsyeja që tregimtari Avdulla Kënaçi, duke e njohur mirë atë kohë, sa paradoksale aq dhe të çmendur, rikthehet pas në vite, për ta vështruar e analizuar atë me sytë dhe mendjen e ditëve të sotme dhe për ta përjetësuar në art, duke ecur në gjurmët e tregimtarëve më të mirë të letërsisë moderne shqipe dhe asaj botërore. Në brendinë e këtyre tregimeve, edhe pse në qendër të tyre është fshikullimi i atij sistemi që ishte i destinuar të vdiste, lexuesi gjen edhe humanizëm e pendim, edhe autokritikë e shpresë për rrugëdalje e ndryshim. Në subjektin e këtyre tregimeve është e vështirë të gjesh kufirin ndarës mes reales dhe sureales, mes të vërtetës dhe trillit krijues të autorit. Atë sistem e varrosi përsëgjalli, jo vetëm kërbaçi dhe liria e munguar, por dhe censura e vetëcensura, të cilat i bënin njerëzit që të zezën ta shihnin si të bardhë dhe varfërinë si lumturi, vdekjen si sakrificë sublime dhe idealet e bindjet si etalon e model ekzistence. Në tregimet e këtij libri lexuesi gjen jo vetëm kulturën e gjerë të tregimtarit, por dhe elegancën e gjuhës dhe koncepsionin e tij real për të djeshmen, të sotshmen dhe të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Është kjo arsyeja që tregimtari A.Kënaçi, edhe atë sistem tashmë të mundur, nuk e godet me arsenalin e “armëve” të vjetra, si urrejtja dhe përçmimi, por me “armët” moderne të humorit dhe ironisë, sarkazmës dhe alegorisë, të pendesës dhe autokritikës. Personazhet dhe karakteret e këtyre tregimeve janë sa realë, aq dhe produkt i trillit krijues të autorit. Ata janë herë pjellë e kohës që i lindi, dhe herë filiza të së ardhmes, të kalitur mes furtunave dhe erërave të ngrohta të demokracisë së brishtë shqiptare. Janë të shumtë karakteret e njerëzve të thjeshtë e tepër të drejtë, që mbajnë qëndrim stoik përballë të keqes dhe egërsisë si disidenti Lasgush Poradeci e Indrit Gjoni, Zigur Bello e Dhimo Nikolli, Harizi dhe Dom Pali…Hipokrizia dhe egoizmi, egërsia dhe sadizmi paranojak i idhujve të kohës do të përballeshin patjetër me sinqeritetin, ndershmërinë dhe shpirtin human të njerëzve të thjeshtë e të mirë që edhe në atë sistem nuk mungonin. Për të zbuluar vlerat e vërteta ideo-artistike, karakteret dhe mesazhet që autori kërkon t’u përçojë lexuesve, më poshtë ne do të ndalemi tek disa nga tregimet më të mira të këtij libri.
Një nga tregimet më të bukura të këtij vëllimi është ai me titullin kuptimplotë, sa të drejtpërdrejtë aq dhe metaforik”Autokritika”, me të cilin pagëzohet i gjithë libri. Në qendër të subjektit të tij qëndron lufta e ashpër klasore, biografia, ajo murtajë që do ta ndiqte njeriun tërë jetën, deri në varr. Njolla në biografi kishte egërsinë e dhëmbëve të “ugolinëve” të kohës që brenin kokat e kundërshtarëve edhe atje poshtë në fund të dheut. Ai që intrigon konfliktin e këtij tregimi, ishte protagonisti i një shkrimi të botuar në një gazetë lokale, por që gjatë Luftës paskësh marrë nofkën e ballistit. Edhe pse ai kishte firmosur shpalljen e Pavarësisë, edhe pse dy djemtë e tij kishin qenë partizanë, bile njëri prej tyre tashmë ishte përfaqësues i Shqipërisë në OKB, organizata –bazë e partisë së fshat, i kishte dërguar letër qendrës për gafën e rëndë të redaktorit (autori), që kishte lejuar botimin e këtij shkrimi. Prandaj një letër e ardhur nga lart “shkruar me bojë të kuqe”,e detyronte redaktorin e ri të shkonte urgjent në organizatën e fshatit për të bërë autokritikë. Kritikat e ashpra dhe cinike e tronditën shumë redaktorin e ri, aq sa nuk po dinte si t’ja fillonte asaj autokritike të mallkuar. Qe ish-profesori i tij i matematikës,Vasili, anëtari më i vjetër i asaj organizate, që me diskutimin e tij parimor e të mençur, jo vetëm ja hoqi sikletin, por dhe e shpëtoi nga ai lag, që s’po dinte si të shpëtonte.Vasili, mbasi sqaroi të vërtetën mbi njollën biografike të firmëtarit, e cila s’qe gjë tjetër veçse një trill i celulës së partisë për të gjunjëzuar fisin e tij të pasur, por fisnik tha: “Fajtori nuk është ky djalush që dridhet si purteka para nesh,por celula që trilloi të vërtetën për biografinë e firmëtarit. Vetëm në këto çaste redaktori filloi të merrte frymë lirisht. Përmes meditimit narrativ të unit të tregimtarit :”Dyshoja se atë histori me celulë e luftë klasash profesor Vasili e ndërtoi qëllimisht për të më shpëtuar mua nga kthetrat e autokritikës…”, autori përçon mesazhin se ngjarjet e Luftës duhet t’i shohim me gjakftohtësi e mençuri dhe jo me ekseset e kohërave të turbullta.
Një tregim tjetër i bukur i këtij libri, që përmes satirës dhe humorit stigmatizon plagët e mahisura të atij sistemi, siç ishin survejimi dhe përndjekja e njeriut të lirë për ta tjetërsuar atë në vegël qorre për përjetësimin e diktaturës, është ai me titullin lakonik “Harizi”, që është dhe personazhi kryesor i këtij tregimi. Për shkak se Harizi gjatë Luftës nuk i ndoqi pas partizanët, por nacionalistët, ai ishte damkosur me nofkën e keqe të “ballistit”, njollë që do ta shoqëronte tërë jetën. Kur i biri i tij i kërkon ndihmë ish-partizanit, që tashmë është bërë Gjeneral, për të vazhduar studimet e larta, ky i fundit i përgjigjet me ironi: Babai yt, tashti më kërkon ta ndihmojë, por harron kohën, kur unë i lutesha, që të më ndiqte pas. Ndërsa ai kurrë nuk pranoi. Në këto çaste djali mallkon babanë që shkoi disa ditë me ballistët dhe jo me partizanët. Megjithatë djali i Harizit, me marifetet e të jatit, mundi të vazhdojë studimet e larta për arkeologji. Kur djalin e pyetën, se pse kishte zgjedhur të studionte për arkeologji, ai përgjigjet me shprehjen sa metaforike, aq dhe alegorike: “Për të çrrënjosur historinë e deformuar të kombit tonë”. Sapo organizata mori vesh faktin që i biri i nacionalistit po vazhdonte studimet e larta pa lejen e tyre, nisi të dërgojë breshërinë e letrave për ta zhbërë atë gabim të rëndë klasor. – Ku është parë kjo-shkruhej ne këto letra-që i biri i ballistit të bëhet me shkollë të lartë!? Këtë lak, që rrinte varur në qafën e Harizit dhe të të birit të tij, filloi ta shfrytëzonte me djallëzi operativi i zonës, Myrtua. Ai rend për ta bërë atë sa më parë informator të sigurimit. Por, Harizi me zgjuarsinë e tij nuk pranoi kurrë të bëhej vegël qorre e sigurimit. Për një kohë të shkurtër ai filloi të bënte lojën e tyre, derisa mundi të siguronte shkollën edhe për djalin e dytë. Por në të vërtetë nuk iu bind këshillave dhe urdhrave të tyre të verbra.- Duan të më përdorin si zagar gjahu-por nuk do mundin kurrë-thotë ai. Në fund, Harizi i deklaron operativit të zonës vendimin e tij të prerë: “Shoku Myrto, tashmë e kuptova që unë nuk jam për këtë punë, prandaj nuk e bëj,sikur dhe me flori të ma shtroni”!. Guximi i njerëzve të thjeshtë po e vriste frikën. Ndërsa farsa tragjikomike, e luajtur për disa dekada me radhë nga idhujt dhe shërbëtorët e atij sistemi të dështuar,po përjetonte agoninë e prologut të tij grotesk.
Ishte koha kur njerëzit e thjeshtë, në emër të nenit të çuditshëm “për agjitacion e propgandë”, arrestoheshin, përndiqeshin dhe dënoheshin deri me vdekje. Nga frëngjitë e “Pallatit të ëndrrave”, ata dënoheshin edhe për “ëndrrat e tyre më të bukura”. Këtë fat pati edhe Lutua, ose siç quhej ndryshe dhe profeti i Gjishnikoshit, i cili për parashikimet e tij profetiane, u bë viktimë e dosjes “Orakulli”, të tregimit me të njëjtin emër. Kolektivizimin e tejskajshëm të bujqësisë, ai e pati stigmatizuar nëpërmjet ironisë popullore: “Tashmë nuk na mbeti gjë tjetër, veçse të mbrehim në parmendë edhe gratë”. Përmes retrospektivës, Avdulla Kënaçi, duke u rikthyer shume vite mbrapa tregon profetësinë e njerëzve të thjeshtë, për fundin grotesk të atij sistemi. Përmes paralelizmit midis Leninit dhe xha Bilbilit, bariut të fshatit, autori kërkon të shpalosë humorin e zi tragjikomik, që paralajmëronte fundin vetvrasës të sistemit diktatorial. Nga pamja e jashtme, këta dy njerëz, diametralisht të kundërt, ngjanin si dy pika uji, por në thelb ishin antinomi e njeri-tjetrit. Ndërsa xha Bilbili s’kish vrarë asnjë mizë, Lenini mijra rus të bardhë. Bilbili ishe simbol i urtësisë, ndërsa Lenini ishe ezber nga goja, aq sa i ngopte njerëzit me lugë të zbrazët. Krahasimi i çuditshëm që Lutua bënte midis këtyre njerëzve diametralisht të kundërt, tregon guximin dhe profetësinë e njerëzve të thjeshtë. Kur xha Bilbili vdiq, ai pati thënë profecinë e fundit tragjikomik për atë sistem, e cila e gjen shprehjen në këto fjalë, sa alegorike, aq dhe të drejtpërdrejta: “Ti Bilbil ike mbathur e me shollë, por si duket ne në atë botë kemi për të ikur zbathur e pa shollë”.
Degjenerimin moral të atij sistemi, që ishte i destinuar të vdiste, autori e stigmatizon përmes karaktereve të tregimit “Mihalis”. Në qendër të brendisë së tij është tragjikomizimi i një familjeje që bëhet pre e epsheve shtazarake të sekretarëve horra të asaj kohe, të cilët me pushtetin dhe egoizmin e tyre kërkonin të kontrollonin, jo vetëm shpirtin dhe ekonominë e njerëzve të thjeshtë, por dhe shtratin bashkëshortor. Konfliktin e tregimit e mban të ndezur antinomia mes karaktereve të kundërta. Nga njëra anë çifti fatkeq që përbëhej nga mësuesi minoritar Mihalis dhe bashkëshortja e tij Agllaia, e cila duke rënë pre e sekretarit, është prekur nga sifilizi, gjë që bëhet shkak për shkatërrimin tragjik të familjes. Nga ana tjetër sekretari, si shëmbëlltyra më e keqe e imoralitetit dhe hipokrizisë së atij sistemi. Kur Mihali guxoi të akuzojë sekretarin, si shkaktar të dramës së familjes së tij, për të filloi kalvari i mundimshëm i burgjeve, sepse të akuzoje sekretarin, do të thoshte të sulmoje partinë. Më në fund autori e mbyll tregimin e jetuar me fjalët: “Kjo ishte një dramë familjare, për të cilën, pa dashur, u bëra dhe unë dëshmitar”.
Një tregim tjetër i bukur i këtij vëllimi është ai me titullin “Dëshmitari”. Objekt i survejimit në ato kohëra depresioni u bënë dhe personazhet më simpatikë të tregimit “Dëshmitari”, siç ishte muhibi Zigur Bello. Kjo figurë qëndron në antitezë të plotë me Xhelalin, ish oficerin koçixoxist që ushqehet me zanatin e mallkuar të spiunit. Xhelali kishte qenë kryetar dege në kohën që ishte arrestuar. Tashmë, mbas 19 vjetësh, ai ishte kthyer nga Tirana në këtë kooperativë, për të larë njollat e biografisë së tij të keqe. Bejtexhinjtë, për ta vënë atë në lojë, thurnin vargje të tilla sarkastike: “Nashti që erdhi Xhelali/ na u shtua kapitali”. Ai e kishte kuptuar me kohë, se paskësh qenë i vdekur përsëgjalli. Fundi i tij grotek jepet përmes alegorisë sarkastike: “Tek vendi, ku ai kish dhënë shpirt, u gjet një bllok shënimesh, ku shfaqej përgjysmë emri i muhib Zigurit,që ai e ndiqte këmba-këmbës. Mesa duket, atë bllok Zoti e kishte zhytur thellë në borë, për ta zhdukur”(165).
Galeria e karaktereve dhe personazheve të këtij vëllimi me tregime, janë sa reale, aq edhe surreale, me tipare të papërsëritshme vlerash dhe antivlerash, që shfaqin vetveten përmes gjuhës dhe veprimeve të tyre, sa të vërteta, aq dhe të çuditshme, dhe që bëhen mbrojtës e përfaqësues të klasave dhe shtresave, herë diametralisht të kundërta e herë të njëjta. Në qendër të tregimit “Disidenti” qëndrojnë dy krijues të rrallë: Nga njëra anë qëndron figura reale e shkrimtarit të madh disident Lasgush Poradeci, ndërsa nga ana tjetër figura e Indrit Gjonit, operatorit më të ri e tepër të talentuar të kinostudios (produkt i trillit krijues), që shoqëronte gazetarin (autorin e tregimit) për realizimin e dokumentarit për liqenin e Ohrit. Indriti është një djalë i zgjuar dhe i apasionuar pas punës së tij. Por shpejt e kupton se në punën e tij krijuese nuk do të ishte i lirë. Këtë lexuesi e kupton edhe tek përgjigjja që ai i jep kolegut të tij për brezin kufitar: “Pse s’thua që kjo qënka një tokë spiune…”. Këtë censurë e ka ndjerë edhe Lasgushi, por ai për të bërë letërsi të vërtetë shihte më sytë e mendjes dhe të shpirtit, përtej censurës. Ai kërkon të ndjekë shembullin e Lasgushit, sepse në punën e tij krijuese ai thyen rregullat, normat dhe tabutë e kohës. Për shkak se operatorit të talentuar i pëlqente të lëvronte pikturën surrealiste, ishte vënë në shënjestër e sigurimit. Por fantazia e tij krijuese, nuk mund të mbyllej brenda oazeve të errëta të censurës dhe vetëcensurës. Ajo kërkonte dimensionet e një bote të lirë, përtej deteve dhe oqeaneve. Prandaj një ditë përfundoi në New York, duke ndjekur shtegun e kufirit afër Linit, pikërisht aty ku ishim për darkë së bashku ,tregon në vetën e parë narrator i këtij tregimi (183). Një personazh tepër interesant,që shfaqet, jo vetëm si pjellë e keqe e atij sistemi, por edhe si sinonim i fundit të tij tragjikomik është Trakaluçi, në tregimin me të njëjtin emër. Ai është tipi i donzhuanit cipëplasur,që me perversitetin dhe paturpësinë e një manjaku aventurier,ka shtirë në dorë gratë e 7 kuadrove të rëndësishëm, duke u bërë kështu shkak i shkatërrimit të familjeve të tyre. E keqja ishte se këtë e dinin të gjithë, bile edhe organizata e partisë,por mbyllnin sytë vetëm për të ruajtur fasadën e moralit fallco të kuadrove dhe grave të tyre. Fshehja dhe mbyllja e syve para se keqes ishte një nga sëmundjet më e rënda kanceroze, që e brente atë sistem të zhytur në llumin e hipokrizisë dhe heshtjes para degradimit moral e shpirtëror.
Por pa dyshim, tregimi më i bukur i këtij libri të Avdulla Kënaçit ishte “Gaxhia”. Ai shquhet për kompozicionin e bukur, larminë e karaktereve dhe mesazhet e fuqishme me vlera gjithë kohore. Në qendër të tregimit qëndron mësuesja Svjetllana Prushi, ose Gaxhia, siç e thërrisnin romët, në brigadën ku ajo kryente stazhin e partisë. Gjatë kësaj kohe, ajo kapet në flagrancë me romin e martuar. Edhe pse Svjetllana vinte nga një familje intelektualësh, babai Kolonel dhe nëna mësuese, organizata nuk mund ta fshinte këtë faj të rëndë. E dëshpëruar thellë, një ditë prej ditësh bashkëshortja e romit trokiti fort në derën e partisë me ankesën: “Gaxhia kërkon të më rrëmbejë burrin…”. Svjetllana e kishte pranuar faktin, se jashtë vullnetit të saj, kishte bërë dashuri me romin. Tashmë Hekurani ishte prangosur si përdhunues i Gaxhisë. Svjetllanën e thirrën në komitetin e partisë për ta shfajësuar, por ajo s’pranoi kurrë që fajin t’ja linte romit të pafajshëm. Ajo ecte drejt asaj mbledhjeje të tmerrshme, sikur shkelte mbi gurë të përvëluar. Por për çudi, në momentin kur sekretari luftonte ta shfajësonte, ajo me guxim tha të vërtetën: “Çdo gjë e kam bërë me dëshirën time… Unë kam fytyrën e bukur, ndërsa ai ka shpirtin e bardhë. I vetmi faj i tij është se ai dashuroi një të bardhë “(243). Me këtë guxim dhe sinqeritet të rrallë, kjo vajzë kishte goditur në ballë hipokrizinë dhe pabarazinë e atij sistemi, që çdo ditë e më tepër brente eshtrat e tij prej rëre. Ky fund grotesk shprehet alegorikisht edhe nëpërmjet autokritikës narrative të autorit në vetën e parë: “Ne dolëm nga salla e rajonit nr. 3 , si një funeral. Svjetllana na kishte shkundur të gjithëve”(243). Kjo alegori metaforike, që tingëllon si një autokritikë katarsike vetpastruese, u drejtohet gjithë njerëzve të ndershëm, që sot çuditen edhe me vetveten e tyre, se si kanë mundur të heshtin para asaj çmendie gati kolektive.

Ku e ke fjalen more … fshatar i veshur me kapelle te llojit “republik”?!