Trajneri i ri i Tiranës në basketboll për meshkuj, greku Antonios Doukas, ka nisur nga puna me kampionët e Shqipërisë. Prej disa ditësh, kryeqytetasit po zhvillojnë një fazë përgatitore nga qyteti i Korçës në prag të Ligës Ballkanike.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Doukas rrëfen për herë të parë arsyet se përse zgjodhi Tiranën, njëherësh nuk e mohon mundësinë për të marrë drejtimin e kombëtares shqiptare.
Pse vendosët të zgjidhnit Tiranën dhe të vinit në Shqipëri?
Kisha një dëshirë të madhe për të punuar jashtë Greqisë dhe vendosa të vij këtu. Kjo ishte arsyeja primare. Mënyra dhe forma se si erdha në komunikimin me drejtuesit e Tiranës, por edhe vizioni që ata kanë për të drejtuar këtë ekip, më bëri që të pranoj ftesën e tyre dhe të vij këtu për të marrë drejtimin e këtij ekipi.
Sa e njihni ekipin e Tiranës dhe kampionatin shqiptar në përgjithësi?
Të them të drejtën, kampionatin e njoh përmes internetit, po kështu edhe ekipin. Më ka ndihmuar shumë edhe pjesëmarrja në Ligën Ballkanike për ta njohur më shumë. Por tani që jam pranë këtij ekipi vërtetova që ekzistojnë të gjitha potencialet për të ndërtuar një ekip të fortë.
A e dini se kampionati ynë ka shumë mangësi në infrastrukturë?
Po, e di, por jam një tip optimist që më pëlqen që gotën ta shoh gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh. Dua që të punojmë për një basketboll shumë të mirë, por njëkohësisht të punojmë të gjithë së bashku për një infrastrukturë akoma edhe më të mirë.
Cilat janë objektivat e Tiranës veç kampionatit vendas?
Duke ditur që “Final Four” do të bëhet në Tiranë, është një shtysë më e madhe për të mobilizuar ekipin që të jemi pjesë e saj. Ne do të punojmë shumë fort për të arritur objektivat tona dhe mbetet objektiv që të jemi pjesë e katërshes në Ligën Ballkanike. Të gjitha këto në bazë të ambicieve dhe të asaj çfarë ofron ky klub.
Keni shumë pak ditë në krye të ekipit, cilat janë përshtypjet e para që keni krijuar?
Është një ekip i mirë, janë përshtypje shumë më të mira se çfarë prisja në fillim. Djemtë janë të mirë dhe kemi filluar të punojmë gjëra të reja dhe kam përshtypjen se do të rritemi dita-ditës.
A keni menduar për merkaton?
Sigurisht që kam menduar. Jemi duke tentuar që të marrim dy lojtarë të tjerë për të cilët nuk mund të jap detaje. Po kërkojmë një lojtar shtatlartë që të luajë në pozicionin 4 ose 5 që do të na ndihmojë shumë edhe në Ligën Ballkanike.
Nga ana tjetër, them se do të vijnë në ekip lojtarë të mirë. Për momentin po flasim me një lojtar amerikan dhe një tjetër që është pjesë e një kombëtareje të njohur. Por për momentin nuk po jap më shumë detaje.
A ka ndonjë emër?
Nuk kemi akoma një emër të përcaktuar, pasi jemi në negociata. Sapo të ketë diçka konkrete, do e njoftojmë.
Jeni përfolur se do të merrnit edhe drejtimin e kombëtares shqiptare. Do ju pëlqente t’i drejtonit njëkohësisht të dy ekipet?
Do të dëshiroja shumë, por është diçka që nuk varet vetëm prej meje. Jemi në bisedime me presidentin e federatës. Po shohim se çfarë mund të bëhet, por jemi në bisedime akoma.
Do të ishte e vështirë t’i drejtonit të dy ekipet njëkohësisht?
Me këtë program të ngjeshur që kemi dhe në të tilla rrethana ka njëfarë vështirësie. Por kur ekziston dëshira e të dyja palëve që të bëjmë gjithçka mirë si për Tiranën dhe për Kombëtaren, atëherë është lehtësi e madhe.
