Çfarë i ndodh lëkurës që digjet nga dielli? Qelizat dehidratohen dhe mund të dëmtohen duke arritur në nekrozë, pra të pësojnë një alterim regresiv të indeve duke shkaktuar një reaksion të vërtetë inflamator. Sa më e madhe dhe e përhapur të jetë djegia nga dielli, aq më evidente janë reagimet e organizmit: Ulet presioni i gjakut, shfaqen edema, temperaturë dhe të gjitha shenjat e goditjeve nga dielli. Për këtë arsye mos lejoni që lëkura juaj të digjet vazhdimisht, nëse keni lëkurë të çelët është e lehtë të digjeni, sepse një lëkurë që prodhon ngadalë melaninën (mbrojtja natyrale nga dielli, pra nxirja) është një lëkurë që digjet lehtë, që shfaq dëmtime të qelizave. Një lëkurë e tillë e ekspozuar në diell pa kriter rrezikon më shumë nga krijimi i tumoreve.
Patatja lehtëson djegiet. Vendosni në pjesët e djegura një kompresë me patate të papërpunuar. Lëreni rreth 20 minuta dhe më pas shpëlajeni.
Kompresat me luleshtrydhe ushqejnë dhe rigjenerojnë lëkurën. Shtypni disa luleshtrydhe të pjekura mirë dhe vendosni tulin direkt në lëkurën e djegur. Mbajeni rreth gjysmë ore.
Kompresa me kos. Përhapni në lëkurën e djegur kos natyral dhe lëreni për rreth 20 minuta, pastaj shpëlajeni.
Vaji i kokosit. Me një shtupë pambuku aplikoni në zonat e djegura vajin e kokosit.
Locion me lule shtogu. Vendosni në zjarr një litër ujë me dy lugë fara lule shtogu, fikeni kur të jetë afër zierjes. Lëreni për disa minuta, filtrojeni dhe lëreni të ftohet. Aplikojeni me një garzë sterile në pjesët e djegura.
Merrni një kastravec, bëjeni në formë qulli dhe përziheni me një gotë kos. Lëreni për 20-30 minuta në lëkurën e djegur dhe pastaj shpëlajeni dhe thaheni me kujdes.
Dushi i ftohtë shërben si metoda e parë e shpëtimit. Mjafton të zhyteni në një vaskë me ujë të vakët, duke shtuar pak kripë të zezë, sodë buke apo miell tërshëre. Janë të gjitha produktet që qetësojnë djegiet.
Këshilla për një nxirje perfekte
Jemi në verë dhe trupi ynë ka filluar të përkëdhelet nga dielli që stimulon prodhimin e “molekulave të humorit të mirë”, të vitaminës D që fikson kalciumin në kocka. Pastaj… me pak ngjyrë jemi të gjithë më të bukur! Nxirja më e mirë është ajo graduale dhe natyrale. Për të shijuar plotësisht të gjitha këto përfitime duhet të dimë të ekspozohemi në diell. Le të shohim disa këshilla të rëndësishme për nxirjen…
Ekspozim gradual
Mos u ekspozoni shumë gjatë në dy tre ditët e para. Në fillim mos qëndroni më shumë se tre çerek ore në diell në ditë (20 minuta në diell të fort). Përtej këtij limiti nuk prodhohet më melaninë. Nxirja sipërfaqësore e ditëve të para është për shkak të melaninës së gatshme, por është e destinuar të zhduket shumë shpejt. Vetëm pas një jave fillon të formohet nxirja që zgjat. Pas ditëve të para mund të shtoni gradualisht kohëzgjatjen në diell pa harruar mbrojtjen e duhur.
Mbrojtja
Ka ende njerëz të bindur që kremrat kundër diellit pengojnë nxirjen perfekte. Në fakt pa krem jo vetëm që nuk nxihesh më mirë por rrezikon të digjesh dhe krijimin melanomave. Kremi i diellit i zgjedhur në bazë të llojit të lëkurës është i domosdoshëm për të mbrojtur lëkurën nga rrezet UVA dhe UVB që janë shkak i krijimit të tumoreve të lëkurës dhe plakjes së parakohshme. Çfarë ndodh nëse nuk zgjidhet kremi i duhur? Do të skuqeni, do të digjeni dhe ngjyra do të zgjasë shumë më pak. Kremi aplikohet 30 minuta para ekspozimit në diell, çdo dy orë dhe pas çdo larjeje në det. Përdoreni kremin edhe nëse keni marrë trashmë ngjyrë.
Koha dhe oraret
Koha më e mirë për t’u ekspozuar në diell për një nxirje të shëndetshme është mëngjesi deri në orën 11 dhe pasditja e vonë pas orës 15:00. Evitoni orët e drekës nga 12:00 deri në 15:00. Mos ekspozoni fëmijët nën 3 vjeç gjatë orëve të pikut (në fund të fundit ata nuk duhet të mburren para kolegeve për nxirjen e tyre, pas kthimit në punë). Në fakt lëkura ruan gjurmët e të gjitha rrezeve të marra gjatë fëmijërisë: Sa më e madhe është sasia e rrezeve të marra aq më i madh është rreziku për t’u shfaqur tumore në moshë të madhe.
Mos përdorni parfume në diell
Për të evituar reaksionet alergjike apo mbindjeshmëri të lëkurës, mos hidhni parfume apo ujë trupi me bazë alkoolike para se të ekspozoheni në diell. Nëse merrni ilaçe këshillohuni me mjekun. Më mirë lini mënjanë vajrat nxirës, nuk u japin ngjyrën e bukur të plazhit. Më mirë zgjidhni një krem “pas diellit” për të hidratuar dhe rifreskuar lëkurën.
Ekspozimi në diell
Nuk duhet të ekspozoheni në diell për disa orë resht, sidomos jo ditën e parë, por gradualisht dhe sidomos nuk është e domosdoshme të ktheheni çdo pesë minuta, por është më mirë çdo 20 minuta për të pasur një nxirje homogjene. Kujdes me ujin, pasi e reflekton më shumë diellin dhe nxiheni më shpejtë, por ama edhe digjeni më shpejt. Kujdes edhe nga koha e vrenjtur, në pamje të parë duket e pamundur të digjeni, por realisht rrezet e bëjnë punën e tyre,
Hidratimi i lëkurës është thelbësor për të evituar tharjen dhe rrjepjen e saj. Prandaj është shumë e rëndësishme të pini shumë ujë dhe të përdorni kremra hidratues. Janë të shkëlqyer vaji i arganit dhe gjalpi shi (shea)
Mbrojtje kudo
Dielli nuk dhuron vetëm një ngjyrë të bukur të lëkurës, por mund të jetë i dëmshëm për sytë. Mbani kapele dhe syze dielli me lente kundër rrezeve UVA dhe UVB. Mbrojini fëmijët me një bluzë të thatë. pasi e lagura filtron rrezet UV.
Thahuni
Efekti pasqyrë i pikave të ujit pas një larjeje në det favorizon djegiet e diellit dhe redukton efikasitetin e produkteve të mbrojtjes edhe nëse ato janë rezistente ndaj ujit dhe mund të favorizojnë djegiet dhe dehidratimin. Prandaj fshihuni mirë pas çdo larjeje.
Në fund të ditës
Bëni një dush me ujë të ëmbël për të hequr gjurmët e kripës së detit (ose klorit nëse keni qenë në pishina). Lyejuni me krem pas diellit, pas ekspozimit në diell lëkura duhet hidratuar gjithmonë që të jetë elastike dhe të ruajë më gjatë nxirjen.
Kujdes me dietën
Mos lini pas dore këshillat ushqimore për një nxirje perfekte.
Ushqimet e pasura me vitamina janë të gjendje t’i japin lëkurës hidratimin e duhur: Vitamina C (speca agrume dhe kivi), Vitamina E (vezë, brokoli), Vitamina A betacarotene (perime me tul të kuq ose të verdhë, karota) që i japin lëkurës një tonalitet të artë. Pini shumë ujë dhe shpesh.


