Aknet janë ndër problemet më të shpeshta me të cilat përballen jo vetëm adoleshentët në moshën e pubertetit, por edhe të rinjtë, si dhe më të rriturit. Shfaqja e këtyre puçrrave të rinisë së hershme, shndërrohet në një shqetësim madhor estetik veçanërisht tek femrat rreth moshës 18-25 vjeç.
Aknet kanë të bëjnë me infeksione të rrënjës së qimeve që ndodhen në fytyrë, shpatulla, si dhe në gjoks. Pavarësisht përpjekjeve për trajtimin e tyre me anë të përdorimit të preparateve të ndryshme kozmetike, të cilat mund të merren edhe pa recetë, është shumë e rëndësishme që të kërkoni ndihmën e specializuar mjekësore, për të mos lejuar ripërsëritjen e tyre. Në vijim të shkrimit gjenden 11 rregullat e përditshme që ndihmojnë në parandalimin dhe trajtimin e akneve.
1. Në radhë të parë rekomandohet një stil i rregullt jetese, ku mjaft i rëndësishëm është gjumi i natës, i cili nuk duhet të jetë më pak se tetë orë.
2. Ushqyerja e rregullt përfshin tre vakte të plota dhe dy vakte të ndërmjetme, të cilat zakonisht janë fruta. Hani shëndetshëm duke përfshirë të gjitha frutat dhe zarzavatet dhe duke ruajtur raporte të drejta me produktet shtazore (konsumoni më tepër mishin e bardhë, peshkun dhe më pak mishrat e kuq).
3. Konsumoni dy deri në tre litra ujë në ditë (të shpërndara gjatë gjithë ditës, për të mos rënduar funksionin e veshkës), si dhe për të eliminuar tharjen e lëkurës.
4. Është e rëndësishme të merreni me aktivitete sportive, për të eliminuar depozitimin e shtresave dhjamore në zona të caktuara të trupit.
5. Pastrimi dhe kujdesi për lëkurën sigurisht që ka një rëndësi të veçantë. Konsultimi me një estetist në këtë periudhë mund të rezultojë i dobishëm, por në rast se situata paraqitet e rëndë, në këto raste duhet të këshilloheni patjetër me mjekun specialist dermatolog.
6. Nuk është se ka ndonjë produkt magjik, ose regjim të përcaktuar saktë për çdo person dhe situatë të paraqitur, sikundër mund të lexoni në revistat e shumta të modës. Megjithatë, duhet të dini që fytyra duhet larë me pastrues që nuk e thajnë lëkurën (hidratantë), por e mbajnë atë të pastër dhe të butë. Pastruesit mund të jenë edhe antibakterialë për të eliminuar bakteret nga sipërfaqja e saj.
7. Në varësi të llojit të lëkurës (e cila përcaktohet nga konsulta me estetistin apo mjekun specialist dermatolog) përdoren kremra specifikë. Është i rëndësishëm pastrimi rregullisht i make-up. Në këto raste kërkohet larje e rregullt e fytyrës dhe tonifikimi i saj.
8. Personat alergjikë duhet të kenë më tepër kujdes në zgjedhjen e preparateve kozmetike dhe pastrueseve të lëkurës.
9. Nëse aknet janë shumë të acaruara dhe për një periudhë të gjatë kohore, trajtimi i tyre i takon vetëm mjekëve specialistë. Në këto raste mund të ndërhyhet me antibiotikë, terapi hormonale dhe trajtime të ndryshme lokale. Trajtimi i akneve kërkon durim dhe këmbëngulje. Ai kërkon edhe periudha të gjata kohore.
10. Është e rëndësishme që gjatë kësaj periudhe të evitoni sa më shumë stresin dhe kjo arrihet në mënyrë të veçantë me një jetë aktive dhe shumë sportive. Duhet të keni shumë besim tek mjeku, sepse sot ka shumë metoda moderne, të cilat ju ndihmojnë për të pasur një lëkurë të shëndetshme.
11. Duhet bërë e qartë se kjo është një periudhë kalimtare. Me rritjen e moshës krijohet edhe stabiliteti i hormoneve seksuale, gjë që do të çojë rrjedhimisht edhe në minimizimin e këtyre fenomeneve. Aknet zhvillohen në forma të ndryshme në individë të ndryshëm, në varësi të kushteve të rritjes dhe të zhvillimit individual. p.k/dita
