Hemorragjia cerebrale është një ndër patologjitë e zakonshme, prej të cilës rrezikojnë më së shumti mosha e tretë. Specialisti i shëndetit, MSc, Ylber Kallja, tregon se kjo patologji mund të jetë fatale, duke çuar në vdekje të menjëhershme. Por, mund edhe të lërë pasoja të parikthyeshme invalidizuese. Hemorragjia cerebrale përkufizohet si rrjedhje e gjakut, e cila mund të lokalizohet në çdo zonë të trurit, apo të shtresave të tij, si dhe të hapësirave apo ventrikujve, të shkaktuara nga faktorë të ndryshëm. Shpeshtësia e sëmundjes është e lidhur ngushtësisht me moshën, çka do të thotë se me rritjen e moshës, shtohet edhe rreziku për këtë sëmundje. Gjendje që shpjegohet me humbjen e elasticitetit të enëve të gjakut dhe me praninë e sëmundjeve të tjera bashkë-ekzistuese, siç mund të jenë diabeti apo hipertensioni.
Si klasifikohen hemorragjitë cerebrale?
Klasifikimi bëhet sipas vendit të lokalizimit të tyre. Referuar kësaj ndarjeje, kemi të bëjmë me hemorragji intra-aksiale (boshtore), si dhe forma e dytë që është ajo extra-aksiale (jashtë boshtit të trurit). Forma e parë ndodh kur rrjedhja e gjakut lokalizohen në vetë lëndën e trurit, të cilat janë shumë serioze dhe shoqërohen me një vdekshmëri (mortalitet) më të lartë se 40 për qind. Ndërsa forma e dytë ndodh kur rrjedhja e gjakut lokalizohet brenda kafkës, por jashtë indit të trurit. Gjithashtu, hemorragjitë intracerebrale i ndajmë edhe në varësi të formave anatomo-klinike, ku kemi: hemorragjinë hemisferike, apo masive cerebrale që prek pothuajse të gjithë hemisferën e trurit, e cila ka një fillim jashtëzakonisht akut (të menjëhershëm), ku i sëmuri bie në koma të thellë, ka defiçit të lartë motor, teksa rrezikon edhe pasojat fatale për jetën. Njihen edhe hemorragjitë cerebelare që ndodhin në trurin e vogël. Këto të fundit, klinikisht shoqërohen me të vjella në 95 për qind të rasteve, me dhimbje koke (cefale) në 75 për qind të rasteve, teksa të pranishme janë edhe turbullimet e ekuilibrit dhe marramendja (vertigo) në 60 për qind të rasteve, si dhe me turbullime të vigjilencës, komë të thellë dhe me mortalitet 50 për qind në 24 orët e para. Ndërsa me hemorragjitë lobare kemi të bëjmë kur hematoma është e lokalizuar në një nga lobet e trurit, të cilat në vetvete ndahen në hemorragji frontale, parietale, temporale dhe oxipitale.
Cilët janë faktorët e riskut që mund të çojnë në hemorragji të trurit?
Ndër faktorët kryesorë që rrisin gjasat e shfaqjes së hemorragjive cerebrale përmendim: “Hipertensionin arterial, diabetin, menopauzën, konsumin e duhanit, konsumin e alkoolit, dislipidemitë, çrregullimet e koagulimit të gjakut (mpiksjes së gjakut), trombocitopenia, ulja e vitaminës K në serum, përdorimi i antikoagulanteve, etj. Hemorragjitë cerebrale shkaktohen nga shumë faktorë të brendshëm, apo të jashtëm, traumatik, ose jo. Shkaqet kryesore të tyre janë traumat e trurit, si dhe hipertensioni arterial (HTA). Traumat e kokës mund të vijnë si pasojë e goditjeve me sende të forta, aksidenteve automobilistike, rrëzimeve nga lartesitë, etj. Shkaku madhor i hemorragjisë cerebrale është dhe mbetet HTA, gjë që ndodh rreth moshës 50 vjeç. Mosha mesatare më e rrezikuar sipas një studimi të bërë është 52 vjeç, në të cilën edhe prania e hipertensionit është e shpeshtë. Ndër shkaqet e tjera jo hipertensive përmendim: “Keqformimet vaskulare të vogla, të cilat shfaqen tek subjektet e rinj, (aneurizmat, malformacionet arteriovenoze 20 për qind, dhe angiomat 50 për qind), medikamentet simpato-emetike (amfetaminat) angiopatite amiloide cerebrale që prekin moshat mbi 70 vjeç dhe zënë 50-70 për qind të rasteve, antikoagulantët, tumoret e trurit, primare ose sekondare, fibrinolitikët, vaskulitet, të cilat janë shkaqe të rralla të hemorragjive cerebrale, ndërsa çrregullimet e koagulimit zënë 20 për qind të rasteve (Trombocitopatite). Mekanizmi fizpatologjik i hemorragjive cerebrale është i lidhur me i lidhur me gjendjen anatomo-fiziologjike të enës së gjakut, presionin e gjakut, si dhe viskozitetin e likidit ekstraqelizor (trashja apo hollimi i gjakut). Enët e gjakut karakterizohen nga elasticiteti, si pasojë e çrregullimeve arteriosklerotike apo moshës së madhe të pacientit, elasticiteti i enëve fillon dhe reduktohet duke u bërë opake, të kalcifikuara dhe lehtësisht të thyeshme. Këto procese mund të çojnë në formimin e aneurizmave, çarjen e vazave, si dhe në shkëputjen e pllakave aterosklerotike, duke shkaktuar bllokim të vazës së gjakut dhe duke çuar në insult ishemik cerebral. Normalisht presioni i gjakut nuk duhet t’i kalojë shifrat 140/90mmHg. Në rastet kur presioni i gjakut është më i lartë se këto shifra, shtohet risku i hemorragjisë, si pasojë e rritjes së presionit mbi muret (paretet) e enëve të gjakut, presion i cili mund të çojë në çarje (ruprura) të vazave dhe hemorragji.
Me çfarë simptomash shoqërohet kjo sëmundje?
Klinika dhe simptomat e hemorragjive cerebrale janë gjithmonë në varësi të shkakut dhe kohëzgjatjes së hemorragjisë, sasisë së hematomës dhe lokalizimit të dëmtimit. Shenjat klinike të përgjithshme të një hemorragjie cerebrale shfaqen në mënyrë brutale. Cefalea apo dhimbja e kokës është e pranishme pothuajse në të gjitha hemorragjitë cerebrale, ajo shoqërohet me të vjella (vomitus), e më pas rëndohet deri në humbje të vetëdijes. Shenjattë tjera që paraqet një i sëmurë janë: vështirësi për të folur. Flet në mënyrë të pakuptueshme, ose nuk mund të shqiptojë dot asnjë fjalë. Nuk lëviz dot gjymtyrët, dorën ose këmbën, ndërkohë që manifestohet edhe tërheqje e muskulit të fytyrës. Po ashtu ka edhe të dridhura të pjesshme, ose në të gjithë trupin, si dhe urinim të pavullnetshëm.
Si bëhet diagnostikimi i tyre?
Ekzaminimet me efikase që mund të diagnostikojnë hemoragjinë cerebrale janë : “MRI dhe CT-skaner i kokës, angiografia e kokës, si dhe punksioni lumbar. Skaneri i kokës është një ekzaminim që përcakton saktësisht nëse në indet cerebrale gjenden dëmtime (lezione) patologjike apo jo, lokalizimin dhe madhësinë e tyre. Ndërsa angiografia është një metodë, e cila përcakton saktësisht enën e dëmtuar, pra, përdoret më shumë për qëllime etiologjike. Punksioni lumbar është një metodë tjetër e diagnostikimit të hemorragjive meningeale.
Si mund të trajtohet hemorragjia cerebrale?
Menaxhimi i hemorragjive cerebrale është një hallkë shumë e rëndësishme që përcakton ecurinë e sëmundjes. Trajtimi përfshin masa shumë komplekse dhe i sëmuri trajtohet si një i terë. Në çdo situatë, trajtimi i hemorragjive cerebrale varet ndjeshëm nga lloji i hemorragjisë. Konkretisht, trajtimi mund të arrihet me anë të ndjekjes së këshillave për kujdesin ndaj faktorëve të rriskut dhe përdorimit të medikamenteve, si dhe me anë të ndërhyrjeve kirurgjikale. Është ekipi i mjekëve specialistë që vlerëson trajtimin specifik që duhet të ndjekë ccdo pacient që rrezikon nga kjo sëmundje.
Kur këshillohet trajtimi kirurgjikal?
Trajtimi kirurgjikal indikohet kur madhësia e hematomës është mbi 3cm dhe në rastet e dëmtimeve të zgjeruara vaskulare. Metodat kirurgjikale janë: “Mini-invazive dhe Invazive”. Kirurgjia mini invazive konsiston në përdorimin e një kateteri intravaskular, i cili bën të mundur zhbllokimin, apo zgjerimin e enës së dëmtuar. Mund të përdoret teknika e aspirimi apo drenimit të hematomës. Ndërsa kirurgjia invasive konsiston në një ndërhyrje më të gjerë, e bën një ekspozim më të qartë rreth masës cerebrale.
Nëse vonohet marrja e ndihmës mjekësore, me çfarë komplikacionesh përballemi?
Komplikacionet e mundshme të hemorragjive cerebrale janë: “Goditjet hemorragjike në tru (aneurizmat hemorragji të thella cerebrale), humbje të përhershme të funksionit të trurit, efektet anësore të medikamenteve të përdorura, humbje të përkohshme, apo të përhershme të funksioneve të caktuara, në varësi të lokalizimit të lezionit, si dhe vdekje (Eksitus). Parandalimi konsiston në eliminimin, apo në mbajtjen nën kontroll të faktorit etiologjik dhe trajtimit të sëmundjeve bashkë-egzistuese. Në rastin e HTA-së, është e rëndësishme që vlerat e presionit të gjakut të mbahen në normë, kontrolli i profilit të yndyrave në serum, trajtimi i diabetit, obezitetit, çrregullimeve të koagulimit, ndërprerja e antikoagulanteve, ndalimi i konsumit të alkoolit dhe duhanit, etj. Ecuria e hemorragjive cerebrale është gjithmonë në varësi të faktorit etiologjik dhe lokalizimit të dëmtimit.
Faktorët e riskut
- Hipertensionin arterial.
- Konsumi i duhanit.
- Konsumi i alkoolit.
- Dislipidemitë.
- Çrregullimet e koagulimit të gjakut.
- Ulja e vitaminës K në serum.
- Përdorimi i antikoagulanteve, etj.
