Trajtimi i ndërlikimeve të shkaktuara nga infeksionet e prostatës

redaktor

Infeksionet e prostatës kërkojnë një ndjekje të kujdesshme të terapisë me antibiotikë dhe këshillave të tjera që mjekët urologë rekomandojnë mbi stilin e jetesës, për të mos lejuar rëndimin e mëtejshëm të sëmundjes. Shfaqja e këtyre infeksioneve tashmë kanë nisur të shfaqen në masë edhe tek moshat më të reja, por që fatkeqësisht shpesh herë nënvlerësohen, çka çon në zbulimin e sëmundjes në stade të rënduara, kohë në të cilën trajtimet janë mjaft të vështira dhe të mundimshme për pacientin.

Ekspertët e shëndetit vënë në dukje se mjekimi i infeksioneve të prostatës apo atyre të rrugëve urogenitale në përgjithësi, nuk janë aspak të lehta dhe kërkojnë mjaft durim. Kjo për shkak të rezistencës që shfaq prania e infeksionit.

Ndryshe nga sa ndodh me organet e tjera, ku përthithja dhe veprimi i antibiotikëve është më i shpejtë në kohë, në rastet e infeksioneve të prostatës duhet më shumë kohë dhe ndjekje e rregullt e trajtimit, që medikamentet të mbërrijnë deri në prostatë për të luftuar infeksionin.

Ndaj, këshillohet mosneglizhimi i ndjekjes së kontrolleve të rregullta tek një mjek specialist, që me shfaqjen e simptomave të para, dhe në varësi të rezultateve të përcaktuara nga vendosja e diagnozës, mjeku përzgjedh me kujdes medikamentet që nevojiten, të cilat do të përdoren për një kohë të gjatë. Paralelisht me trajtimin me antibiotikë, pacientit i rekomandohen edhe këshillat që kanë bëjnë me seleksionimin e kujdesshëm të ushqimeve që duhen konsumuar, aktivitetit fizik të lejuar, si dhe heqjen dorë nga një sërë sjelljesh që nxisin shfaqjen e infeksioneve të prostatës.

Mjekja, Ilda Xhelili, kësaj jave ndalet në evidentimin e ndërlikimeve që mund të ndodhin si pasojë e mostrajtimit të infeksioneve të prostatës. Raportimet e bëra nga strukturat spitalore tregojnë se gjatë viteve të fundit, sëmundja po bëhet mjaft e shpeshtë edhe në radhët e të rinjve.

Urinimi në mënyrë të shpeshtë gjatë ditës, si dhe orëve të natës, dhimbjet e mesit pa asnjë lloj shkaku, rëndimet dhe dhimbjet në fund të barkut, të cilat më pas çojnë në urim me vonese dhe vështirësi, si dhe dhimbjet në momentin e spermës, janë disa nga shenjat e dukshme që tregojnë se ju duhet të konsultoheni menjëherë me një mjek specialist. Kjo këshillë jepet veçanërisht për moshat e reja që mund të përballen me këto simptoma.

 

Cilat janë shqetësimet më të shpeshta që shfaqen në gjendrën e prostatës?

Gjëndra e prostatës është pjesë e sistemit riprodhues të mashkullit, dhe përfaqëson gjëndrën më të madhe të këtij sistemi. Gjëndra e prostatës është një organ kompakt, muskulor që peshon rreth 20 gram. Ajo vendoset në zonën e bacinit (legenit) poshtë qafës së fshikëzës së urinës dhe për rreth uretrës (uretra është kanali i urinës që bën derdhjen e saj nga fshikëza e urinës në ambientin e jashtëm). Po nga pikëpamja anatomike, gjëndra e prostatës i rri përpara rektumit (pjesa e fundit e zorrës së trashë).

Nga jashtë prostata vishet me një kapsule të hollë prej indi lidhor, kurse nga brenda ajo ndahet në katër zona ose lobe. Njohja e kësaj ndarjeje lobare, që përfaqëson një ndarje të karakterit kryesisht anatomik është me interes praktik, pasi me kalimin e moshës prostata bëhet shpesh objekt i ndërhyrjeve kirurgjikale. Muskulatura e prostatës është e pasur me shumë fije nervore, të cilat janë përgjegjëse për tkurrje të fuqishme të saj gjatë ejakulacionit (moment i derdhjes së spermës). Funksioni i saj kryesor është të prodhojë lëngun seminal, i cili shërben për transportimin e spermës përmes uretrës (kanalit urinar).

Prostata ka interes të madh në praktikën mjekësore. Nga mosha 45-80 vjeç rreth 20 për qind e meshkujve vuajnë nga tumori beninj i prostatës. Gjithashtu, ajo është një organ shumë i predispozuar për zhvillimin e kancerit. Ndërsa problem më i zakonshëm i prostatës në meshkujt nën moshën 50 vjeç është inflamacioni (infeksioni) i saj. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës llogariten rreth dy milionë vizita në vit në klinikat ambulatore urologjike për shkak të inflamacionit të prostatës. Ky inflamacion që njihet edhe si “Prostatitis” mund të jetë akut (pra që shfaqet në mënyrë të shpejtë), por mund të jetë edhe kronik (që shfaqet në mënyrë më të ngadaltë dhe që zgjat në kohë).

Prostatitis mund të shkaktohet nga bakterie të ndryshme që mund të gjenden në traktin urinar (shkaku më i zakonshëm është bakterial), por edhe nga infeksionet e zonës rektale, të cilat mund ta infektojnë atë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo me ane të sistemit limfatik. Infeksioni i prostatës mund të rezultojë gjithashtu edhe nga mikroorganizma të ndryshme seksualisht të transmetueshme, siç janë gonorea, klamidia apo HIV. Organizmat përgjegjës për infeksionin e prostatës janë të njëjtë me ato që gjenden më shpesh në infeksionet e traktit urinar, si për shembull “Escherichia Coli”. Në shumë raste (sidomos në formën kronike të inflamacionit të prostatës) nuk gjenden mikrobe specifike.

Cilët janë faktorët e rrezikut për prostatitis?

Burrat e të gjitha moshave mund të preken nga prostatitis, por ai është më i shpeshtë te meshkujt e moshës së re dhe ata të moshës mesatare.

Faktor tjetër risku përveç moshës janë infeksione të shpeshta të traktit urinar, përdorimi i kateterave urinarë, ose procedura urologjike të kohëve të fundit, zmadhimi i gjëndrës së prostatës për arsye të ndryshme, fistula të brendshme të zorrës së trashë, anomali strukturore ose funksionale të traktit uro-gjenital, dehidratimi i organizmit (që mund të ndodhë në diarretë e zgjatura, të vjellat apo djersitjet), trauma të legenit, apo dëmtime të tilla si pasojë e ngarjes së biçikletës apo kalërimit.

Cilat janë simptomat dhe shenjat klinike më të zakonshme të infeksioneve që prekin prostatën?

Simptomat që lidhen me inflamacionin e prostatës mund të ndryshojnë në varësi të shkakut themelor të sëmundjes. Simptomat mund të shfaqen ngadalë ose të fillojnë shpejt dhe mund të përmirësohen me shpejtësi (në varësi të shkakut dhe trajtimit), ose mund të zgjasin për disa muaj dhe në forma të përsëritura. Shpejtësia dhe ashpërsia e fillimit është zakonisht më e theksuar në prostatitin akut (të menjëhershëm) dhe me origjinë bakteriale.

Shenjat kryesore klinike përfshijnë urinimet e shpeshta, të dhimbshme dhe me vështirësi, gjak në urinë, dhimbje barku, dhimbja në zonën e të ndenjurave, dhimbje në zonën e ijeve, dhimbje të zorrës së trashë, temperaturë e lartë shoqëruar me gjendje ethore (të dridhura) dhimbje trupi dhe rraskapitje, dhimbje gjatë aktit seksual.

Më çfarë ndërlikimesh shoqërohet sëmundja nëse neglizhohet trajtimi i infeksionit që në stadet më të hershme?

Rreziku kryesor është kalimi nga gjendja akute në formën kronike të prostatitit, abscesi i gjëndrës së prostatës, përhapja e infeksionit në qarkullimin e gjakut (bakteremia, gjendja septike) dhe më rrallë pasojat fatale për jetën. Gjatë inflamacionit të prostatës rritet në gjak niveli i PSA-së, (PSA-ja është antigeni specifik për detektimin e kancerit të prostatës). Nëse infeksioni trajtohet në mënyrë profesionale, niveli i PSA-së zakonisht kthehet në nivelet bazë të normës.

Nuk ka të dhëna që prostatiti degjeneron në kancer të prostatës. Prostatiti akut bakterial në shumicën e rasteve trajtohet me shumë sukses dhe ka një prognozë shumë të mirë. Ndërsa në rastin kronik dhe sidomos prostatitet kronike me origjinë jobakteriale shpesh mund të çojnë në simptoma afatgjata dhe parehati, nëse trajtimi neglizhohet dhe është i pasuksesshëm. Prandaj, për meshkujt është e rëndësishme që të ketë check-up (kontrolle mjekësore) të rregullt profilaktike për sëmundjet e prostatës, sipas protokolleve të caktuara në raport me moshën, të rekomanduara nga mjeku i familjes. Si përfundim mund të themi që prostatiti mund të jetë një sëmundje akute bakteriale që shpesh trajtohet lehtë dhe me sukses, ose mund të jetë një gjendje kronike që përsëritët dhe që kërkon kujdes mjekësor afatgjatë.

Si trajtohet infeksioni i prostatës?

Trajtimi për këtë infeksion varet nga shkaku themelor dhe lloji i prostatitit. Antibiotikët përshkruhen nëse shkaku është me origjinë bakteriale dhe në bazë të mikrobit shkaktar. Mjeku do të vendosë antibiotikun specifik dhe kohëzgjatjen e trajtimit. Në jo pak raste për disa individë është i domosdoshëm shtrimi në spital për një kohë të caktuar. Të gjitha format e prostatitit kërkojnë një ndjekje profesionale.

Medikamente të tjera që përdoren, janë ato që menaxhojnë dhimbjen, që relaksojnë fibrat muskulare rreth fshikëzës së urinës dhe prostatës duke bërë të mundur zbrazjen e fshikëzës. Gjatë kësaj periudhe rekomandohen për të zbutur simptomat që të bëhen edhe banja me ujë të ngrohtë (jo të nxehtë). Sa i takon regjimit ushqimor këshillohet që të shmangni përdorimin e tepruar të alkoolit, kafeinën dhe ushqimet pikante. Rekomandohen ndryshime të stilit të jetesës. Nëse përdorni shpesh biçikletën apo ushtroni sportin e kalërimit duhet t’i pezulloni këto aktivitete dhe të këshilloheni me mjekun specialist. Ka të dhëna që akupunktura ka ndihmuar në lehtësimin e simptomave për disa individë që vuajnë nga inflamacioni i prostatës (kryesisht për ato me origjinë jo-bakteriale).

 

Ushqimet dhe stili i jetesës

Pas identifikimit të sëmundjes, pacientët duhet të jenë të vëmendshëm që:

Të përzgjedhin me kujdes ushqimet, duke shtuar në dietën e përditshme konsumin e ushqimeve të ngrohta në orare sa më të rregullta.

Në varësi të stadit ku ndodhet infeksioni, për shumë pacientë është e rekomandueshme të shmanget konsumi i ushqimeve pikante, mishrat me shumë yndyrë, alkoolit, domatet, si dhe ato ushqime që shtojnë aciditetin e urinës, siç janë specat djegës, të konservuarat, çokollata, pijet e gazuara, etj.

Lidhur me stilin e jetesës duhet që pacientët të heqin dorë përkohësisht nga aktivitetet e rënduara sportive, që mund të çojnë në traumatizmin e gjëndrës së prostatës, të shmanget përdorimi i biçikletës, si dhe kalërimi. Tek këta pacientë këshillohen shëtitjet e gjata në natyrë, sporte të tilla si noti dhe vrapime shumë të lehta, si dhe ushtrime të thjeshta gjimnastikore që relaksojnë trupin.

Këshillohet që të bëhet kujdes me higjienën personale, veçanërisht për ata pacientë që kanë probleme me hemorroidet, si dhe të shmangen veshjet shumë të ngushta, pasi këto të fundit mund të ndikojnë në shfaqjen e shqetësimeve të prostatës me kalimin e kohës. Mjekët gjithashtu rekomandojnë që të bëhet kujdes edhe me aktivitetin seksual.

Medikamente të tjera që përdoren, janë ato që menaxhojnë dhimbjen, që relaksojnë fibrat muskulare rreth fshikëzës së urinës dhe prostatës duke bërë të mundur zbrazjen e fshikëzës. Gjatë kësaj periudhe rekomandohen për të zbutur simptomat që të bëhen edhe banja me ujë të ngrohtë (jo të nxehtë).

Share This Article
1 Comment
  • jun nuk permendni si ndikojne metalet ne procesin ushqimor se zingu etj.Ne do punime rekmandohet perdorimi i domateve,farave te kungullit etj
    .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *