Një marrëveshje e rëndësishme bërthamore, që eliminoi një klasë të tërë raketash dekada më parë, merr fund këtë të premte, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Rusia tërhiqen zyrtarisht nga traktati 31-vjeçar.
Më 1 shkurt, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi se SHBA-ja do të tërhiqet zyrtarisht nga Traktati më 2 gusht. Ndërsa Rusia ka njoftuar në mars se presidenti Vladimir Putin ka nënshkruar, po ashtu, dekretin për braktisjen e Traktatit.
Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi është nënshkruar në vitin 1988 nga presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan, dhe udhëheqësi i ish Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev. Ky traktat ndalonte të dyja palët të zhvillojnë dhe prodhojnë raketa me rreze nga 500 deri në 5,500 kilometra.
Uashingtoni ka thënë qysh vitin e kaluar se do të tërhiqet nga Traktati, duke e akuzuar Rusinë për mosrespektimin e tij, ndërsa Moska ka mohuar vazhdimisht ta ketë shkelur.
Në fakt, zyrtarët e SHBA-së dhe NATO-s kanë akuzuar vazhdimisht Rusinë për zhvillimin e sistemeve të armëve, për të cilat thonë se shkelin Traktatin. Shqetësime konkrete ka për sistemin 9M729, ose SSC-8, i cili, sipas NATO-s, ka një gamë veprimi prej rreth 1,500 kilometrash. Ndërsa Moska thotë se gama e 9M729 është nën 500 kilometra dhe e akuzon SHBA-në për prishjen e marrëveshjes.
Kritikët kanë paralajmëruar se tërheqja nga Traktati mund të çojë në garë të re armësh mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje të dyja vendeve që të zgjasin Traktatin.
Ai u shpreh: “Bota do të humbasë një frenë jetike në luftën bërthamore, nëse Traktati përfundon. Kjo me siguri se do të rrisë, jo zvogëlojë, kërcënimin që paraqesin raketat balistike”.
Ky traktat dhe marrëveshja START-i i ri për reduktimin e raketave strategjike bërthamore, janë dy nga marrëveshjet bazë për kontrollin e armëve midis dy shteteve lider të botës, dhe me fuqi të konsiderueshme bërthamore.
Marrëveshja START-i i ri do të përfundojë në fillim të vitit 2021, dhe nuk dihet ende nëse SHBA dhe Rusi janë të gatshëm ta zgjasin atë.
Këto zhvillime vijnë në kohën kur komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të gjejë mënyra se si t’i përgjigjet arsenalit në rritje të armëve bërthamore në Korenë e Veriut. Nga ana tjetër, disa fuqi botërore, po ashtu, po përpiqen të shpëtojnë një marrëveshje që kufizon programin bërthamor të Iranit, pas tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja, vitin e kaluar.
e.ll./dita
