Aplikimet pranohen në datat 7-19 shtator, dosja e konkurrimit duhet dorëzuar pranë sekretarive mësimore të fakultetit ku kërkoni të vijoni studimet përkatëse. Gjatë fazës së aplikimit çdo kandidat ka të drejtë që të konkurojë deri në 5 programe të ndryshme studimi. Mjafton që kërkesat dhe dosja e dokumenteve të paraqiten në afatet e duhura
Pranvera Kola – DITA
Kandidatët që kërkojnë të ndjekin një program të dytë, apo të transferojnë studimet ndërmjet programeve të universiteteve publike, apo edhe nga strukturat private drejt atyre publike, nga mesi i javës së ardhshme duhet të paraqiten pranë fakulteteve përkatëse për të nisur procedurat e konkurimit. Gara e pranimeve të reja për këto alternativa studimi edhe përgjatë këtij viti do të zhvillohet nëpërmjet konkurimit me anë të dosjes.
Në udhëzimin e fundit të miratuar nga MAS, përcaktohet se aplikimi për programet e dyta të studimeve, si dhe transferimet në programet e ciklit të parë, programet e integruara, si dhe programet e karakterit profesional për vitin akademik 2017-2018 do të zhvillohet në datat 7-19 shtator. Deri në nisjen e aplikimeve kandidatët duhet që të plotësojnë dosjen e dokumenteve me anë të cilës do të konkurojnë për të fituar të drejtën e vijimit të studimeve sipas numrit të kuotave të miratuara për secilin cikël.
Sipas kushteve të përcaktuara në udhëzimin përkatës, gjatë fazës së aplikimit çdo kandidat ka të drejtë që të konkurojë deri në 5 programe të ndryshme studimi. Mjafton që kërkesat dhe dosja e dokumenteve të paraqiten në afatet e duhura.
Shpallja e listës paraprake të fituesve do të bëhet brenda datës 30 shtator, ku të pakënaqurit mund të ankimojnë rezultatin e tyre. Pasi të përfundojë dhe periudha e vlerësimit të ankesave të paraqitura, me 10 tetor fakultetet do të kenë gati listën finale të fituesve që do të mund të vijojnë më tej procedurat e regjistrimit për vijimin e studimeve në këto programe.
Kushti për notën mesatare
Studentët që do të aplikojnë për një program të dytë studimi duhet që të plotësojnë edhe kushtin e notës mesatare të kërkuar nga qeveria.
Çka do të thotë se për të fituar të drejtën e ndjekjes së një programi të dytë studimi, që në fazën e konkurimit çdo kandidat duhet që të ketë notë mesatare mbi 6, teksa duhet të përmbushin edhe kriteret e tjera specifike që mund të vendosin vetë fakultetet sa i takon procedurës së përzgjedhjes së fituesve.
Ndërsa për kandidatët që do të aplikojnë për të transferuar studimet, apo për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional, detyrimi i notës mesatare mbi 6 nuk shërben si kusht aplikimi.
Një tjetër kusht i përcaktuar nga MAS për të gjithë kandidatët që kërkojnë ndjekjen e një programi të dytë studimi, apo transferim është edhe detyrimi se nuk duhet të jenë duke ndjekur asnjë program tjetër studimi në institucionet e arsimit të lartë në vend, përjashtuar këtu nxënësit e shkëlqyer. Për të përmbushu këtë kriter çdo kandidat duhet që të nënshkruajë edhe deklaratën përkatëse.
Aplikimi për një program të dytë studimi
Kanë të drejtë që të aplikojnë për të ndjekur një program të dytë studimi të gjithë kandidatët që kanë përfunduar me sukses studimet e larta dhe janë pajisur me diplomën përkatëse të vlefshme në një program të ciklit të parë “Bachelor”, apo në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë, i cili rezulton të jetë i akredituar në momentin e diplomimit.
Gjithashtu për këto kuota mund të garojnë edhe kandidatët që janë diplomuar jashtë vendit në një program të ciklit të parë dhe që kanë kryer njehsimin e diplomës sipas procedurave të përcaktuara nga MAS. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar dosjen e plotë të dokumenteve që duhet të dorëzoni në afatet e përcaktuara.
Kushtet për transferimet
Universitetet nuk do të pranojnë më aplikime për transferime pasi të ketë nisur viti i ri akademik 2017-2018. Aplikimi për transferim studimesh mund të bëhet nga një program studimi i njëjtë, ose i ngjashëm i të njëjtit cikël edhe lloj, të ndjekur nga kandidati në institucionet e arsimit të lartë publik, ose privat, që janë të licencuar dhe akredituar nga institucionet përkatëse të arsimit.
Me mbylljen e fazës së aplikimeve, komisionet e ekspertëve do të verifikojnë të gjitha dosjet e depozituara në lidhje me plotësimin e kushteve të ngjashmërisë së programeve dhe krediteve të fituara nga kandidati.
Nëse këto të fundit janë në përputhje me programin e lëndëve të institucionit ku kërkohet transferimi, atëherë kandidati mund të vijojë ndjekjen e vitit të dytë, ose të tretë në institucionin e aprovuar.
Lidhur me koston e studimeve, udhëzimi specifikon se, studenti që fiton të drejtën e transferimit i nënshtrohet vetëm një tarife shkollimi, e cila do të jetë e njëjtë me tarifën që paguajnë të gjithë studentët e tjerë që vijojnë studimet në këtë program.
Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar dosjen e plotë të dokumenteve që duhet të dorëzoni ndërmjet datave 7 deri në 19 shtator, për të përfituar nga kuotat e miratuara për ciklin e transferimit të studimeve.
Dosja e konkurimit për transferimin e studimeve duhet të përfshijë:
- Kërkesën drejtuar institucionit të arsimit të lartë për programin në të cilin kërkoni të transferoni studimet e nivelit të parë.
- Planin e plotë të programit të studimit, përfshirë edhe syllabuset përkatëse.
- Vërtetimin e listës së notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, i cili do të shërbejë për ekuivalentimin e notave të lëndëve të programit të studimit të ndjekur. Kandidatët që transferojnë studimet nga një universitet i huaj, duhet të paraqesin planin e plotë të programit të studimit, përfshirë edhe syllabuset përkatëse, listën e notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, të cilat duhet të jenë të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të njehsuara me origjinalin.
- Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2011 duhet që të dorëzojnë fotokopje të noterizuar të Dëftesës së Pjekurisë së shkollës së mesme. Në mungesë të diplomës së maturës shtetërore, apo Dëftesës së Pjekurisë, duhet të paraqitet një dublikatë e tyre e lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe e vërtetuar në DAR, ose listën e notave të siguruar nga arkivi i shtetit.
- Gjithashtu duhet të dorëzoni edhe fotokopjen e dokumentit të identifikimit, dy fotografi personale, si dhe kopjen e mandat pagesës për tarifën e konkurrimit.
Kandidati që aplikon për një program të dytë studimi duhet që të dorëzojë:
- Kërkesën në në cilën kërkon që të vijojë ciklin përkatës të studimeve.
- Kopje të noterizuar të diplomës universitare të kryera më parë, të shoqëruara me suplementin e diplomës.
- Vërtetim të listës së notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë, i cili do të shërbejë për ekuivalentimin e detyrimeve e notave të lëndëve të programit të ndjekur.
- Ata që kanë mbaruar studimet para vitit 2011 duhet që të dorëzojnë Dëftesat e Pjekurisë, ose në mungesë të tyre dublikatat përkatëse.
- Dy fotografi personale, si dhe dokument identifikimi.
- Njohja e dokumentacionit të kandidatëve fitues të huaj në këto programe studimi mund të kryhet gjatë zhvillimit të semestrit të parë, dhe përpara sezonit të parë të provimeve. Regjistrimi si student i kandidatëve fitues bëhet me rezervë deri në përfundim të procedurës së njohjes së dokumentacionit shkollor të tyre.
