Transferimi i Laboratorit të Policisë Shkencore nga godina aktuale, ka bërë që të pezullohet kryerja e akt-ekspertizave pranë këtij institucioni. Godina ku ndodhej Policia Shkencore është liruar për administratën e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, e cila ka mungesë ambientesh.
Mësohet se Laboratori është zhvendosur në një ambient në afërsi të Gardës së Republikës, aty ku do të instalohen të gjitha pajisjet e policisë shkencore. Për pezullimin e përkohshëm të ekspertizave kriminalistike është njoftuar dhe Prokuroria e Përgjithshme, e cila kërkuar kthimin e gjendjes normale sa më shpejt, pasi rrezikohen dosjet hetimore në afate për shkak të ekspertizave. Madje një pjesë e mirë e gjyqeve në masa sigurie këto ditë janë bërë pa aktin e ekspertimit. Ndër dosjet më të bujshme janë ato të Lazaratit, ku dy prokurori ajo e Gjirokastrës dhe Krimeve të Rënda kanë kërkuar kryerjen e qindra ekspertizave të ndryshme. Për të vazhduar me tej me dosjen e Dukagjinit, ku numri i ekspertizave që kërkohet është mjaft i lartë. Në të dy rastet deklarohen të paktën 500 vendngjarje me parcela droge, ambiente me lëndë narkotike, armatim dhe municion. Mësohet se ka përfunduar transferimi i pajisjeve drejt ambientit të ri, por ekspertiza e dosjeve të rëndësishme që kanë afate hetimore nuk ka rifilluar ende.
