Transferimi i studimeve, konkurrim me dosje për 300 kuota studimi

Dita

Nuk mund të konkurrojnë për transferim studimesh kandidatët që ndjekin programet e nivelit të dytë në master, apo specializime të llojeve të tjera. Konkurrim me dosje për të fituar një nga 300 të drejtat e miratuara për transferim. Përzgjedhja e fituesve do të kalojë nëpërmjet kritereve të veçanta, si shkak i numrit të reduktuar të kuotave të miratuara, përballë fluksit të kërkesave që regjistrojnë fakultetet

***

Vetëm 300 kandidatë do mund të transferojnë studimet gjatë vitit të ri akademik 2015-2016 në universitetet publike të vendit. Pavarësisht propozimeve të bëra nga fakultetet për kapacitetet pritëse të tyre, 300 është numri i kuotave të miratuara nga qeveria për transferimin e studimeve nga institucionet e arsimit të lartë në rrethe drejt universiteteve të Tiranës, si dhe ndërmjet fakulteteve të kryeqytetit. Drejtuesit e këtyre strukturave thonë se kërkesat për transferim janë shumë të larta, krahasuar me kuotat e limituara që janë aprovuar, çka tregon se gara për të fituar të drejtën e transferimit do të jetë shumë e ashpër. Fakultetet e Universitetit të Tiranës rezultojnë të jenë ndër më të kërkuarat për transferimin e programeve të studimit. Autoritetet e UT-së thonë se gjatë ditëve në vijim do të shpallen afatet e aplikimeve për kandidatët që kërkojnë të përfitojnë nga kuotat e miratuara për transferimet. Konkurrimi për të fituar këtë të drejtë do të bëhet nëpërmjet aplikimit me dosje, ku në brendësi të cilave duhet të jenë të detajuara lista e lëndëve që kandidati ka ndjekur në fakultetin përkatës, së bashku me beditet dhe notat e fituara (në formë zyrtare me firmë dhe me vulë), si dhe programet përkatëse të këtyre lëndëve. Gjithashtu nuk duhet të mungojnë as fotokopja e noterizuar e diplomës së Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave. Për institucionet e arsimit të lartë jashtë vendit, dokumentacioni i dorëzuar duhet të jetë i përkthyer në shqip dhe i noterizuar në Shqipëri. Ndërkohë që të gjitha këto dokumente duhet të jenë origjinale ose të noterizuara.

Transferimi vetëm për programet “Bachelor”

Sipas rregullave të aprovuara nga dikasteri i arsimit, transferimi i studimeve do të lejohet vetëm ndërmjet programeve të njëjtit cikël studimesh, pasi vetëm në këtë formë do të mund të bëhet vlerësimi i duhur i programeve të lëndës, si dhe krediteve të fituara nga studenti që kërkon të transferojë vitin studimor. Nga kuotat e aprovuara kanë të drejtë të përfitojnë vetëm studentët e ciklit 3 vjeçar “bachelor” me kohë të plotë. Mund të aplikojnë për këto kuota vetëm kandidatët që kanë mbyllur studimet e një viti në ciklin “bachelor”, brenda ose jashtë vendit. Çka do të thotë se në kuotat e miratuara nuk mund të kërkojnë transferim studimesh kandidatët që ndjekin studime të nivelit të dytë në programet master. Aplikimi për transferim studimesh në një nga 6 fakultetet e Universitetit të Tiranës bëhet individualisht, pranë zyrës së protokollit në Rektorat (nuk është e nevojshme që të merret leje nga institucionet, ku studiojnë apo të përcillen zyrtarisht nga këto institucione), duke dorëzuar dosjen e dokumenteve të kërkuara. Me mbylljen e fazës së aplikimeve, komisionet e ekspertëve do të verifikojnë të gjitha dosjet e depozituara në lidhje me plotësimin e kushteve të ngjashmërisë së programeve dhe krediteve të fituara nga kandidati. Nëse këto të fundit janë në përputhje me programin e lëndëve të institucionit ku kërkohet transferimi, atëherë kandidati mund të vijojë ndjekjen e vitit të dytë, ose të tretë në institucionin e aprovuar. Lidhur me koston e studimeve, vendimi i miratuar disa ditë më parë nga Këshilli i Ministrave specifikon se, studenti që fiton të drejtën e transferimit i nënshtrohet vetëm një tarife shkollimi, e cila do të jetë e njëjtë me tarifën që paguajnë të gjithë studentët e tjerë që vijojnë studimet në këtë program. “Transferimet e studentëve në numrin përkatës të kuotës së përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit bëhen sipas përcaktimeve në udhëzimin përkatës të ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe akteve ligjore e nënligjore në fuqi. Studentët që transferojnë studimet nga një program studimi apo nga programe të mëparshme studimi të ciklit të parë në një program tjetër studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen tarifës së përgjithshme vjetore të shkollimit të programit të studimit përkatës, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet”, bëjnë me dije autoritetet e MAS.

 

Dokumentet e kërkuara për transferim studimesh

Pjesë e rëndësishme e dosjes është formulari i aplikimit për transferim studimesh, i plotësuar nga aplikanti, në të cilën shpjegohen arsyet se pse kërkohet transferimi i studimeve.

Kërkohet lista e lëndëve, krediteve dhe notave të fituara në secilën prej tyre, si dhe programet përkatëse të këtyre lëndëve të detajuara, mbi bazën e të cilave bëhet edhe përputhshmëria me programet e fakultetit pritës.

Fotokopje të noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave.

Për institucionet e arsimit të lartë jashtë vendit, dokumentacioni i dorëzuar duhet të jetë i përkthyer në shqip dhe i noterizuar në Shqipëri.

Të gjithë dokumentet duhet të jenë origjinale ose të noterizuara.

Fotokopje e kartës së identitetit.

Mandat arkëtimi (informacionin për bankën dhe tarifën e aplikimit do ta gjeni pranë zyrës së protokollit në Rektoratin e UT-së, në kohën e plotësimit të formularit për aplikim).

 

Kuotat e pranimeve të reja për vitin akademik 2015-2016

Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të parë, për programet e studimeve jo universitare profesionale, si dhe për programet e integruara të studimit të ciklit të dytë 19 651;

Kuota për program të dytë studimi 200

Kuota për transferim studimesh 300

Kuota për shtetasit e huaj  60

Si ndahen 19651 kuotat e ciklit të parë

Kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit 18 986

Kuotat për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit 600

Kuotat për të verbrit 15

Kuotat për romët dhe ballkano-egjiptianët 20

Kuotat për invalidët paraplegjikë e tetraplegjikë 15

Kuotat për jetimët 15

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *