Transparenca Buxhetore 2015, çfarë thonë financat  

Dita

Ministria e Financave nuk është dakort me raportin e “Open Budget Survey 2015″, ku sipas te cilit vendi ynë rezulton ndër shtetet që ka pësuar rënie në transparencën e buxhetit të shtetit, e rankuar e parafundit në rajon, me një pikësim me 38 pikë nga 100 të mundshme. Sipas financave duhej të ishte ruajtur e njëjta renditje. “Duke patur parasysh nivelin e njëjtë të disponueshmërisë së dokumenteve të buxhetit edhe gjatë vlerësimit të mëparshëm, Ministria e Financave gjykon se duhet të ishte ruajtur, të paktën, i njëjti klasifikim në këtë renditje. Në këtë rezultat ka ndikuar edhe ndryshimi i metodologjisë, si dhe koha ku i referohet vlerësimi nuk është domethënëse, pasi vlerësimi është kryer në një vit elektoral siç është viti 2013, ku kalendari i përgatitjes së PBA përkonte me ndryshimin e dy qeverive”, thuhet në reagimin zyrtar të institucionit tonë të financave. Po kështu në reagimin e saj Ministria e Financave i ka kushtuar një vëmendje të madhe transparencës në buxhetim, duke e vendosur në një nga prioritet e saj, të materializuar në Strategjinë e Financave Publike 2014-2020. “Ministria e Financave është duke punuar për hartimin dhe publikimin e një dokumenti “Buxheti për Qytetarët” në bashkëpunim me Shoqërinë e Hapur për Shqipërinë “Soros”, mbështetur mbi praktikat më të mira ndërkombëtare. Dokumenti final do të jetë i gatshëm për t’iu shpërndarë publikut, menjëherë pas miratimit të projekt-buxhetit 2016 nga Këshilli i Ministrave”, thuhet në njoftim. Ndërkohë, pjesë e draftit të ligjit të rishikuar organik të buxhetit në shërbim të këtij parimi janë vendosur sanksionimi me ligj detyrimin për: i) Konsultim publik para miratimit të buxhetit; ii) Publikimin e raport/analizës në fund të qershorit për situatën buxhetore të vitit korrent; iii) Publikimin e raportit të buxhetit faktik të vitit të mëparshëm me miratimin nga KM në fund të qershorit. Këto fakte sipas ministrisë janë bërë të njohura dje nga Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Financave,  Gelardina Prodani, në takimin e zhvilluar në kuadër të projektit “Open Budget Survey, 2015”, organizuar nga Forumi Shqiptar Social Ekonomik – ASET, me mbështetjen financiare të International Budget Partnership (IBP). Raporti i është i bazuar në Anketën e Buxhetit të Hapur të Partneritetit Ndërkombëtar për Buxhetin, i vetmi në rang botëror që ofron matje të pavarur dhe të krahasueshme të transparencës buxhetore, pjesëmarrjes dhe mbikëqyrjes. Studimi është kryer nga ekspertë të pavarur të buxheteve që ndodhen në secilin prej 102 shteteve të anketuara dhe më pas janë rishikuar në mënyrë anonime nga një tjetër ekspert buxhetesh për secilin shtet përkatës.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *