Aktualisht në listat e pritjes për kryerjen e transplantit të mëlçisë janë rreth 11 pacientë. Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, konfirmon se është buxheti i posaçëm edhe për transplantin e veshkave në QSUT, i cili do të rifillojë në mars.
Krahas transplantit të veshkave, në spitalet publike brenda një harku të shkurtër kohor do të kryhen edhe transplante të mëlçisë. Konfirmimi është bërë dje nga ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, teksa ka parë nga afër gjendjen shëndetësore të vogëlushit trevjeçar, i cili më 28 janar iu nënshtrua transplantit të mëlçisë në një nga spitalet private të kryeqytetit.
Ndërhyrja e realizuar me sukses e ndihmon vogëlushin të bëjë një jetë të shëndetshme. Numri i pacientëve që kanë nevojë për këtë ndërhyrje, ka ardhur në rritje gjatë viteve të fundit. Për të mos rrezikuar jetën, shumë prej tyre u janë ndërhyrjeve kirurgjikale jashtë vendit. Por jo të gjithë pacientët që vuajnë nga problemet me funksionimin e mëlçisë, kanë mundësi që t’u drejtohen spitaleve të huaja për të marrë këtë shërbim, pasi kostoja financiare e transplantit është e papërballueshme.
Kundrejt kësaj situate, ministri Tavo ka sqaruar se edhe në spitalet tona publike do të kryhen edhe transplante të mëlçisë, krahas atyre të veshkave që do të rifillojnë në muajin mars. Sa i takon kryerjes së transplantit të mëlçisë, Tavo bën me dije se Ministria e Shëndetësisë do të marrë përsipër rimbursimin e këtyre ndërhyrjeve.
Sipas planifikimeve të bëra, ministria parashikon që çdo vit të rimbursojë të paktën 20 transplante të mëlçisë. Sipas të dhënave të bëra publike nga strukturat shëndetësore, rezulton se aktualisht janë në listat e pritjes të regjistruar dhe që kanë nevojë për transplantin e veshkës 11 pacientë. Më tej ministri Tavo tha se deri më tani nga buxheti i shtetit mbulohet me financim tërësisht vetëm transplanti i veshkës, ndërkohë që po bëhet gati edhe fondi për transplantin e mëlçisë.
“Kemi planifikuar që ndërhyrjet që do të realizohen për transplantin e veshkës do të mbulohen 100 për qind nga buxheti i shtetit. Në muajin mars shpresoj të kenë përfunduar të gjitha procedurat, ku të fillojnë kryerjen e transplantit rutinë. Siguria e këtyre ndërhyrjeve duhet të jetë në maksimum. Po bëjmë të gjitha përpjekjet që transplantin e veshkës ta realizojmë vazhdimisht në spitalin “Nënë Tereza”, bëri të ditur ministri Tavo.
Disa ditë më parë në një nga spitalet private në kryeqytet u realizua për herë të parë në vendin tonë transplanti i mëlçisë tek një fëmijë trevjeçar. Pacienti dhe nëna e tij, dhuruese e një pjese të organit të mëlçisë, janë në gjendje të mirë shëndetësore. Djali 3-vjeçar kishte lindur me “atrezi biliare” dhe si rrjedhojë me mëlçi tërësisht të dëmtuar. Pas realizimit me sukses të transplantit ai do të mund të jetojë në vazhdim si gjithë moshatarët e tij, falë ndërhyrjes e cila zgjati rreth 10 orë. Por mjekët bëjnë me dije se ka ende shumë për të bërë pasi ndjekja dhe terapia post operative është po aq e rëndësishme sa operacioni. Mikele po trajtohet në reanimacion në një kujdes intensiv të mjekëve dhe infermierëve të spitalit.
Ndërhyrjet e vështira
“Ne kemi alokuar nga buxheti i shtetit këtë vit fondin për të mbuluar transplantin e veshkës, teksa po punohet që edhe transplanti i mëlçisë të mbulohet nga fondet e buxhetit të shtetit. Është planifikuar që ndërhyrjet të cilat do të realizohen për transplantin e veshkës do të mbulohen 100 % nga buxheti i shtetit.
Ky fond është bërë realitet, ndaj dhe në muajin mars do të përfundojnë të gjitha procedurat që do të lejojnë nisjen dhe vazhdimësi e një procesi rutinë për transpantin e veshkës për të gjithë ata pacientë që e kanë të nevojshëm pas gjetjes së donatorit”, deklaroi ministri Vangjel Tavo.
