Të sëmurit për transplant të veshkave dhe dializë nuk do të paguajnë më tarifë, pasi një fond i akorduar nga qeveria shqiptare do t’i mbulojë shpenzimet. 70 euro kushton një seancë dialize, proces ky që një i sëmurë kronik nga veshkat duhet t’i nënshtrohet për të paktën tre herë në javë për të jetuar. Kosto është përllogaritur nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, i cili do të paguajë trajtimin për 900 të sëmurë në vend.
Procesi do te realizohet përmes partneritetit publik-privat, por këta të fundit duhet t’i nënshtrohen procedurave tenderuese. Çdo muaj spitalet private që do të përfitojnë, do të kontrollohen pasi duhet të plotësojnë një sërë kushtesh. Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka publikuar gjithashtu edhe koston për transplantin e veshkave i cili është përllogaritur në shifrën e 7500 eurove. Këto janë dhe dy paketat e para të shërbimeve shëndetësore të cilat do t’i kalojnë për miratim Këshillit të Ministrave.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj tha se këto paketa të shërbimeve shëndetësore ofrojnë më tepër siguri, dhe shënojnë qartësisht progres, dhe inovacion për pacientët shqiptarë që vuajnë nga sëmundjet kronike të veshkave. Kreu i shëndetësisë theksoi se jemi tashmë në përmbushje të një prej angazhimeve kryesore programore për shndërrimin rrënjësor të financimit të sistemit të kujdesit shëndetësor. Ai vlerësoi lart përfshirjen e ekipit të mjekëvë në këtë projekt. Ministi Beqaj bëri me dije se “qytetarët nuk do të përballen me pengesat financiare, moshore, gjinore, gjeografike apo kulturore në marrjen e shërbimit të kujdesit shëndetësor,”.
