Transporti multimodal, Gjiknuri në Sofje: Projekte të përbashkëta mes rajonit

Dita

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ndodhet në Konferencën e Nivelit të Lartë, në Sofje, organizuar nga Presidenca Bullgare e Bashkimit Evropian në kuadër të vitit evropian të transportit multimodal.

Në këtë takim merr pjesë Komisionerja Evropiane për Transportin Violeta Bulc, ministra të transportit të vendeve të evropës juglindore ashtu sikurse disa prej vendeve anëtare, përfaqësues të kompanive private në fushën e transportit hekurudhor dhe rrugor.

Ministri Gjiknuri pati një takim edhe me komisioneren Bulc, me të cilën diskutoi mbi projektet potenciale rajonale në fushën e transportit dhe nevojën për mbështetje nga Bashkimi Evropian.

“Komisionerja për transportin dhe përfaqësuesit e lartë të komisionit diskutuan për projektet e mundshme të përbashkëta. Në këtë konferencë kishte edhe kompani private, sidomos nga fusha hekurudhore dhe transportit rrugor. U kërkua nga komisioinerja bashkëpunimi mes këtyre vendeve dhe paraqitja e projekteve të përbashkëta për fushat e transportit rrugor dhe atij hekurudhor”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Ministri Gjiknuri theksoi se Shqipëria tanimë ka avancuar në kordinim me vendet fqinje dhe sipas tij kjo është arritur përmes aplikimit për disa projekte të përbashkëta.

“U përshëndetëm për faktin se shumë shpejt do të fillojmë implementimin e projektit të hekurudhës ashtu sikurse përfundimi i disa segmenteve rrugore, pjesë të korridoreve juglindore. Ka edhe projekte të tjera të rëndësishme siç është ai i menaxhimit të hapësirës detare apo dhe projektet e tjera hekurudhore, sidomos lidhjet e përbashkëta mes Greqisë, Maqedonisë dhe vendeve tjera të rajonit. Realisht mundësitë janë. Ka një mundësi të madhe shtesë për financimet lidhur me projektet e përbashkëta. Nga ana tjetër kërkohet kordinim dhe Shqipëria është duke bashkëpunuar me Malin e Zi, me Maqedoninë dhe Greqinë që të fitojnë projekte të përbashkëta”, theksoi Gjiknuri.

Një tjetër çështje e diskutuar gjatë kësaj konference ishte lehtësimi i transportit ndërkufitar, procedurat e përbashkëta doganore dhe pikat e përbashkëta të kontrollit.

s.a/dita

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *