Trashëgimia e Haxhi Dalipit në fushën e etnomuzikologjisë

J L

Prof. Dr. Spiro J. Shetuni*

 

Ishte data 1 shtator 1973.  Ne, studentët e Fakultetit të Muzikës të ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve), u mblodhëm të gjithë në një klasë të madhe në katin e dytë të godinës kryesore. Atë ditë, do të niseshim në një nga veprimtaritë vullnetare te asaj kohe. Nën-drejtori i Institutit, kompozitori i mirënjohur, Feim Ibrahimi, na dha disa këshilla lidhur me angazhimin në këtë proces.

Kur mbledhja ishte duke mbaruar, rastësisht, sytë më vajtën tek një student, të cilin s’e njihja. Ai qëndronte në këmbë, midis studentëve të shumtë e të zhurmshëm, që ishin ulur nëpër banga. Ishte i hollë, trup-gjatë, me ballë të madh, me flokë të gjata e të krehura me kujdes. Duke kundruar studentët, herë-herë, vinte buzën në gaz.

Mësova se studenti i ri vinte nga qyteti i Vlorës, bir i një familjeje të vjetër qytetare gjirokastrite. Vite më parë, Ai kishte mbaruar për flaut Liceun Artistik “Jordan Misja” nxënës i veçantë i Ramadan Sokolit. Po ashtu, kishte punuar disa vite me radhë si mësues muzike në disa shkolla të rrethit të Vlorës, veçanërisht ishte shquar ne Himarë. Tashmë do të studionte për dirigjent dhe kompozicion. Ky student i ri i panjohur do të bëhej për mua një udhëheqës i vërtetë shpirtëror, një edukator i madh, një mik i rrallë, si në ditë me diell, ashtu edhe në ditë me stuhi! Quhej: Haxhi Dalipi.

1.

I arsimuar fillimisht si instrumentist, dhe, më vonë si dirigjent kori e kompozitor me profesorët Cesk Zadeja dhe Kostandin Trako, “Mjeshtri Madh” Haxhi Dalipi (1941-2006), gjatë jetës së tij artistike e shkencore, u afirmua në një radhë aspektesh, për të merituar plotësisht tituj të ndryshëm profesionalë, si:  dirigjent, kompozitor, pedagog, studiues, arkitekt i festivaleve folklorike, udhëheqës artistik, mik i muzicienëve të rinj, kapedan i muzikës tradicionale labe dhe mbarë muzikës tradicionale shqiptare.

  • Si dirigjent, H. Dalipi interpretoi vazhdimisht, sidomos në rajonin e Vlorës, vepra muzikore të kompozitorëve të mëdhenj shqiptarë, ashtu sikurse edhe të kompozitorëve të mëdhenj ndërkombëtarë: para- klasikë, klasikë, romantikë, modernë.
  • Si kompozitor, H. Dalipi krijoi vepra muzikore të gjinive të ndryshme, si: këngë, valle simfonike, suita, rapsodi, opereta për fëmijë, etj.
  • Si pedagog, H. Dalipi arsimoi dhe edukoi sa e sa nxënës të Shkollës së Mesme Artistike “Naim Frashëri” (Vlorë) dhe sa e sa studentë të Akademisë së Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve, Tiranë). Disa ndër ish-nxënësit e tij, si: Fatmir Hysi, Themistokli Dhrami, e shumë te tjerë më vonë, u bënë vetë pedagogë, dirigjentë e instrumentistë të mirënjohur.
  • Si studiues, Ai hulumtoi muzikën tradicionale labe e myzeqare (këngët, vallet, pjesët muzikore instrumentore), të shumë fshatrave e zonave etnografike të Labërisë e Myzeqesë.
  • Si arkitekt i festivaleve folklorike, Dalipi bëri të mundur që grupet popullore të rrethit të Vlorës të nderoheshin vazhdimisht me çmime në festivale, takime e konkurse: lokale, kombëtare, ndërkombëtare.
  • Si udhëheqës artistik, H. Dalipi luftoi për të ngritur vazhdimisht sa më lart nivelin krijues e interpretues, si të Asamblit Artistik “Labëria” (Vlorë), ashtu edhe të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore (Tiranë) te cilin e drejtoj per disa vite me shumë sukses.
  • Si mik i muzicienëve të rinj, Dalipi gjente vazhdimisht kohë për t’i këshilluar ata, për t’i drejtuar, për t’i frymëzuar, etj.
  • Si kapedan i muzikës tradicionale labe dhe mbarë muzikës tradicionale shqiptare, teorikisht, Ai ishte njeriu me njohuri dhe dije të thella, kurse, praktikisht – njeriu që synonte dhe arrinte vetëm suksese të shquara.

Megjithëse duket e tepërt, sërish e ndiejmë të nevojshme të vemë në dukje se, tituj të tillë profesionalë, u fituan pa dyshim përmes një jete artistike e shkencore tepër intensive. Po ashtu, ata flasin qartë për natyrën shumë- planëshe të figurës së artistit.

2.

Libri i tij “Duke përjetuar këngën labe” i Haxhi H. Dalipit është shkruar gjatë harkut kohor të shumë viteve. Ai është një dëshmi e qartë e interesave etnomuzikologjike të autorit.  Në rrafsh të përgjithshëm, aspektet më kryesore të Librit ndoshta do të mund të karakterizoheshin si më poshtë:

  • Së pari, Libri ka si objekt të tij muzikën tradicionale labe, pra, një ndër dialektet kryesore të muzikës tradicionale shqiptare, i cili gjallon krahas tre dialekteve të tjera të saj: dialektit muzikor geg, dialektit muzikor tosk, dialektit muzikor qytetar.
  • Së dyti, brenda dialektit muzikor lab, Libri shqyrton stilet muzikore më përfaqësuese të tij, si: stilin muzikor të Kuçit, stilin muzikor të Bolenës, stilin muzikor të Smokthinës, stilin muzikor të Lumit të Vlorës, të Vranishtit, Tërbaçit, Lapardhasë, Dukatit, Kaninës, Karbunarës, Himarës, Pilurit, Dhërmiut, Myzeqesë, qytetit të Vlorës.
  • Së treti, brenda çdo stili muzikor, Libri shqyrton variantet kryesore melodike të tij, afritë dhe dallimet midis muzikës zanore dhe asaj instrumentore, muzikës së grave dhe asaj të burrave, muzikës një- zërëshe dhe asaj shumë-zërëshe, etj.
  • Së katërti, Libri i jep gjithmonë stilet muzikore brenda një qerthulli historiko-shoqëror, duke përmendur edhe emra këngëtarësh, valltarësh, instrumentistësh, vjershëtorësh të shquar popullorë.
  • Së pesti, Libri s’mungon të japë edhe ide e mendime mbi të ardhmen e muzikës tradicionale labe.

3.

Përsa u takon nocioneve themelore etnomuzikologjike që përdoren në librin “Duke përjetuar këngën labe”, për të shmangur çdo lloj keqkutptimi, bëjmë të ditur përmbajtjen e tyre, duke i dhënë ata alfabetikisht, si vijon:

  • nocioni këngë një- zërëshe përdoret në vend të nocionit këngë monofonike (për hir të shqipërimit);
  • nocioni këngë shumë- zërëshe përdoret në vend të nocionit këngë polifonike (për hir të shqipërimit);
  • nocioni këngë tradicionale përdoret në vend të nocionit këngë popullore (për hir të përshtatjes me terminologjinë etnomuzikologjike ndërkombëtare);
  • nocioni muzikë një-zërëshe përdoret në vend të nocionit muzikë monofonike (për hir të shqipërimit);
  • nocioni muzikë shumë- zërëshe përdoret në vend të nocionit muzikë polifonike (për hir të shqipërimit);
  • nocioni muzikë tradicionale përdoret në vend të nocionit muzikë popullore (për hir të përshtatjes me terminologjinë etnomuzikologjike ndërkombëtare);
  • nocioni stil muzikor fshatar nënkupton stilin muzikor që këndohet brenda një fshati të vetëm;
  • nocioni stil muzikor ndërfshatar nënkupton stilin muzikor që këndohet brenda të gjitha fshatrave të një zone të caktuar etnografike.

4.

Një numër studimesh që përfshihen në librin “Duke përjetuar këngën labe” janë fryt i bashkëpunimit midis Haxhi Dalipit dhe studiuesish të tjerë. Të ardhur nga fshatra dhe zona të ndryshme etnografike të Labërisë, më shpesh ata janë edhe vetë këngëtarë, valltarë, instrumentistë, vjershëtorë të shquar popullorë, bartës krenarë të një kulture muzikore, sa të lashtë, aq edhe autentike. Emrat e tyre jepen alfabetikisht në Bibliografinë e Librit.

*

Duke qenë, në të njëjtën kohë, energjik e entuziast, i vrullshëm e prodhimtar, krenar e modest, H. Dalipi u përfshi thellë në profesionin e tij si muzicien. I arsimuar fillimisht si instrumentist, dhe, më vonë si dirigjent, Ai shfaqi gjatë tërë jetës së tij interesa artistike e shkencore dramatikisht të gjera. Kështu, siç vërejtëm, arriti të bëhet dirigjent, kompozitor, pedagog, studiues, arkitekt i festivaleve folklorike, udhëheqës artistik, mik i muzicienëve të rinj, kapedan i muzikës tradicionale labe dhe mbarë muzikës tradicionale shqiptare. Me veprimtarinë e tij aq të madhe interpretuese, krijuese e hulumtuese, veprimtari e cila rrezaton në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar, H. Dalipi mbetet pa dyshim një figurë e ndritur në historinë e muzikës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Libri “Duke përjetuar këngën labe” përmbledh pjesën më të madhe të trashëgimisë teorike që na ka lënë Haxhi Dalipi në fushën e etnomuzikologjisë. Duke e bërë këtë lloj trashëgimie të njohur ndër masat e lexuesve, shpresojmë se ajo do të luajë rol në ecurinë e mendimit teorik, etnomuzikologjik dhe muzikologjik, shqiptar.

 

***

*Ky pasazh është shkëputur nga libri i mjeshtrit të etnomuzikologjisë shqiptare, Haxhi Dalipi, “Duke përjetuar këngën labe”. Ky libër, u është kushtuar poetëve, këngëtarëve, valltarëve dhe instrumentistëve të Labërisë. Autori i ndjerë Spiro J. Shetuni ka qenë shokë shkolle dhe bashkëpunëtor me mjeshtrin Haxhi Dalipi, i cili sot ka 15 vite që është ndarë nga jeta.

Share This Article
4 Comments
  • Mjeshtri Spiro J. Shetuni e ka gdhendur me mjeshtri portretin e dirigjentit, kompozitorit, pedagogut, studiuesit, arkitektit t\ festivaleve folklorike, udhëheqësit artistik, mik i muzicienëve të rinj dhe i Radiotelevizionit Shqiptar, per te cilin jam deshmitar i sa e sa bashkepunimeve te shkelqyera.

  • Me pelqen shume analiza qe i ben punes admiruese te Haxhi Dalipit zoti Spiro Shetuni (nuk e njohe), por duke pare shqiperimin qe i ben disa termave, gje qe mua me emocionojne, dua ta pyes: si e quan pyken qe i ka futur kenges labe Vasil Tole “isopolifonia”?! Pa ja mohuar punen e perkushtueshme si instrumentist, kompozitor, dirigjent, fantazist per muziken moderne dhe ate popullore, Haxhi Dalipi ka pase pak devijim tek kenga popullore vlonjate. Megjithate, kjo nuk i prek asnje merite si njeri dhe profesionist.

  • Une kam njohur Akademikun e folklorit muzikor te Jugut,Spiro Shituni.
    Ai na la kur arriti te mbledhe dhe te paraqese ne gjithe boten vlerat e paarritshme te Etnomuzikologjise Toske.
    Spiro Shituni krijoi ATLASIN muzikor te polifonisse Toske,,qe eshte vetem shqiptare,dhe nuk ka shoq gjekund ne bote.
    Me falni se ketu flitet per Haxhi Dalipin,por une nuk e kam njohur.
    Spiro Shituni eshte vllah nga fshatrat e Gjirokastres,,por eshte me shqiptar se gjithe shqiptaret.
    Ngushellime Luljetes,se shoqes,dhe femijeve!

  • Haxhi Dalipi xhakete e vjeter e kthyer 2 here. njeri qe beri kariere me ca bejtexhinje te shtepive te kultures ne katunde te Lumit te Vlores. tipik gjorokastrit.. pas 90 u zhduk ngs Vlora nga qe e donte shume…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *