Raportimi i ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro në Komisionin e Edukimit, lidhur me gjendjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore u shoqërua me debate të forta mes saj dhe kryetares së këtij Komisioni, Albana Vokshi.
Kumbaro raportoi për gjendjen e monumenteve të trashëguara, si dhe për zhvendosjen e artistëve nga Teatri Kombëtar.
“Në lidhje me objektet që në 3-4 shkurt pësuan dëme, ura e Hoshtevës në Zagori u evidentua me problematika nga Drejtoria Rajonale e Gjirokastrës. Është bërë një evidentim i detajuar i situatës. Prurjet e ujit në këtë periudhë të vitit janë të shumta dhe terreni është i paaksesueshëm në këtë zonë, dhe ishte e pamundur që ndërhyrjet të bëheshin në këtë periudhë të vitit. Ekspertët konstatuan se ndërhyrjet duhet të bëheshin në një moment tjetër”, deklaroi ministrja Mirela Kumbaro.
Si zgjidhje, ministrja e Kulturës thotë se janë dy mundësi për riparimin e urës 200-vjeçare të Ali Pashës.
Në të njëjtën datë ku u shemb ura e Hoshtevës, pësoi shembje edhe Ura e Orgockës mbi lumin Osum në Kolonjë.
Ura, e cila daton në fund të shekullit të 17, në periudhën osmane, ishte shembur pjesërisht para viteve ‘90, por dy ditë më parë edhe pjesa e mbetur është marrë nga rrjedha e lumit. Krahas të qënurit një monument kulture i kategorisë së parë, ura shërbente edhe për lidhjen e disa fshatrave në zonë.
“Edhe ajo është në terren shumë të vështirë,” deklaroi Kumbaro.
Raportimi i ministres së Kulturës u pa nga kryetarja e komisionit, Albana Vokshi si një përpjekje e ministres për tia hedhur fajin kushteve të natyrës.
“A e ndieni veten përgjegjëse që po shkatërrohen monumentet e kulturës? Nga prezantimi doli që është faji i natyrës”, iu drejtua Vokshi ministres Kumbaro.
s.a/dita

Ne trurin e njerezve te paafte ,
gjithcka eshte e pamundur !