Trashëguam atë që merituam

anazapta

Niveli i shlyerjes së borxheve të prapambetura të qeverisë ndaj biznesit, të trashëguara nga administrata Berisha ka arritur sot në 120 milionë dollarë – njoftoi dje faqja online e DITA duke cituar ministrin e linjës. Nga 120 milionët e kthyera deri më tani, rreth 90 milionë janë pagesa per TVSH të pashlyera, kurse 30 milionë janë për kontraktorë të papaguar për investimet publike. Ekzekutivi shpreson që rreth 350 milionë dollarë borxhe të trashëguara nga qeveria e mëparshme ndaj biznesit të shlyhen deri ne qershor të këtij viti. Shlyerja e këtij borxhi përcaktohet nga analistët si rrethanë bazike për rivitalizimin e ekonomisë së vendit. Po si erdhëm deri këtu? Te ky mal me borxhe?

 

Historia e Xho-së (Joe) dhe bota

Joe Stoddard është kopshtar. Flet pak dhe kupton pak, por punon shumë.Ndërsa një re e zezë kozmike rrezikon të shfarrosë Tokën për t’a fshirë krejt, Joe Stoddard kënaqet që vera erdhi herët. Në fakt, vera e nxehtë, e ardhur para kohe, është efekti i parë i resë vrasëse, por Joe Stoddard është i kënaqur ngaqë domatet janë pjekur më shpejt sesa vitet e shkuara. Ai ndodhet në një kështjellë skoceze, ku një grup astronomësh të zgjedhur me në krye profesor Kingsley-n po përpiqen të gjejnë çfarëdo mënyre për të evituar katastrofën planetare. Në një moment dëshpërimi Kingsley del jashtë për të marrë pak ajër. Televizionet dhe mediat e tërë botës nxitojnë të japin shifra kolosale viktimash në zonat e larta të planetit. Si qepa kur i hiqen shtresat një nga një – ashtu Toka po zhvishej nga shtresat e atmosferës e një zot e di sesi do ndalej katastrofa. Domethënë fundi.

Ndërkaq Kingsley shkëmbehet me Joe Stoddard.

– Si po shkon Joe?                                                                                                                                                                                                                                                      – Për mrekulli zotëri! Domatet janë bërë të mëdha si do zoti dhe janë pjekur për lezet. Po bën verë e mbarë këtë vit                                               Kingsley rrëmon dheun me këmbë. Bota flet për miliona të vdekur, ai vetë beson që e keqja e madhe pritet të mos vonojë, ndërsa Joe Stoddard lëmon me përkëdheli domatet e kuqe në bahçe. Sikur të ndërronte rolet me Joe-n për pak…Sikur të ishte më pak Kingsley dhe më shumë Joe…”.

***

Shkruar në fund të viteve ’50, fantaromani “Reja e zezë” i Fred Hoyle hapi një debat të zjarrtë në gjirin e komunitetit shkencor.Në hapësirë gjithshka është e mundur, por nejse! Episodi i domateve më përqasej shpesh para 23 qershorit vetvetiu me propagandën e mjerë të qeverisjes së Tiranës; të suksesit me çdo kusht! Bota ishte dhe është në krizë të rëndë dhe recetat janë të pakta. Në termin e valës goditëse, kriza e kapitalit është shumë më globale sesa në vitin 1929. Sot, nëse shkurtohen vende pune në Amerikë, diku tjetër në anën tjetër të botës do mbyllen fabrika të tëra. Kur dikush s’ka më para të blejë, do jetë dikush që do ndalet të prodhojë. Efekti domino, njëherë i nisur në veprim është i paparashikueshëm – kështu thonë ekonomistët, saqerdotët modernë të leximit të ëndrrave. Nëse “Zoti nuk luan me zare” – siç tha Anshtajni, bota e kapitalit luan ruletën ruse mbi kokën e të gjithëve. Qeveria amerikane, e rrethuar nga patriarkët më në zë të teorive ekonomike, që pas vitesh liberizmi pa fre po i këndojnë Te Deum shtetit ndërhyrës të të ndjerit Keynes, pranoi megjithatë me gojën e presidentit se nuk e imagjinonte kaq kolosale krizën; kaq kolosale sakrificën e financave publike. Evropa, me në krye lokomotivën teutone prej kohësh përpiqet të mballosë vrimat e borxheve dhe në korin e BE-se do ketë që do çirren mbi pazotësinë e të tjerëve, por është e sigurt që askush nuk do përqeshë askënd. Japonia, kjo “Gotha” e supremacisë teknologjike, ka ulur kokën duke pranuar një rënie drastike të eksporteve. Edhe “biturbo”-t kineze e indiane, kolosët e rinj të kapitalizmit me kosto të lirë nxitojnë t’i bëjnë ballë dallgëve të larta.

Efektet ndiheshin dhe ndihen kudo. Mirëpo, e vetmja qeveri optimiste ishte ajo e shtetit tonë liliput. Si një Joe Stoddard entuziast qeveria e Berishës, drejtuar nga pionerët e Doktorit, dëftente e lumtur domatet e pjekura para kohe, veprat e filluara me borxhe, që do ndërtoheshin me borxhe e që ndoshta do inagurohen me borxhe. N’a dëftente ne shqiptarëve deklaratat dhe renditjet e burokratëve të statistikës, a thua se kur s’do kemi bukë të hamë do n’a sjellë në tepsi mendjen e ndonjërit prej tyre.

Në renditjet entuziaste, ne ose ua kalonim gjigantëve që vënë planetin në lëvizje, ose bënim “Hirushen” mes tyre. Kur ata që kanë shpikur valutën ankoheshin se nuk qarkullon paraja, hop, dilte në sipërfaqe “peshku i një prillit”, doktori i zemrës (anatomike), korifeu i ri i ekonomisë kapitaliste, që t’u mësonte atyre që n’a kqyrin sesi bëhen rrugët dhe shkollat me para hua dhe sesi mprihen gërshërët e fushatës zgjedhore; lubi që gllabëronte miliona. Njësoj si ai, që kur bie shi, në vend të blejë çadër blen brekë plazhi.

Mbase ka bërë edhe gjëra të mira qeveria e gazuar e televizorit, por të shiturit e një bote krejt iluzive lë gojëhapur edhe gaztorët, ndërsa varfëria ka gjetur tashmë në Shqipëri mbretërinë e saj. Si Joe Stoddard shfaqej Jozefina, me “domatet” absurde në duar; sa do të donim të ishim të gjithë përkohësisht si ajo! Si në Disneyland. Ndërsa krejt natyrshëm, mjerisht natyrshëm, ajo i vihej me shkop në dorë të mjerës opozitë, sot në pushtet duke harruar fare që në princip e kanë zgjedhur të bëjë arbitrin.

Sikur të ishim ca kohë si qeveria e Jozefinës; të mburreshim me domatet e bëra para afatit, të kuqe jashtë e jeshile brenda. Domate rrufjanësh! Doemos, qënkemi të pasur, paçka se jetohet në varfëri biblike! N’a ka zënë sytë kjo “re e zezë” rrufjanësh, që zhvesh arkën e Shtetit me shpejtësi kozmike, sikur të jetë në pronën e saj legjitime. Kjo “re e zezë” pangopësie, që për çudi s’na erdhi nga larg, por e paskëshim pasur këtu e madje e ftuam vetë: “Hajde, urdhëro në krye të sofrës! Ti je shpërblimi”!

Lindur dikur mes planesh pesëvjeçare në flluskën fantazmë të kopshtit të lulëzuar buzë Adriatikut, kinse më të lumtur se bota – të harruar nga bota, nxiteshim ende të brohorisnim gjepura dhe mekanizma gjepurash, të mbledhur forcërisht në tufa mitingjesh absurde, ngarkuar tejetej me slogane qesharake. Ku heronjtë e gjepurave n’a thoshin të njëjtat gjepura që i përsëriste dhe ka filluar ti ripërsëritë frenetikisht papagalli i televizorit elektoral para dhe pas buke.

Ndërsa bota e mësuar me “kopshtarët” si Joe Stoddard nënqesh me cinizëm dhe po aq me cinizëm n’a kujtonte se jemi në rrugë të mbarë, se ja, edhe për pak do jemi po aq të lumtur dhe modernë si ata…Ndoshta në epokë krize bota do dëshironte të ndërronte rolet me ne, po për pak momente ama, ndërsa do tronditej nga drama jonë e do n’a kujtonte atëherë po me atë cinizëm karakteristik se kishim zgjedhur kryetarët që meritonim e për konsekuencë do vjelim “domatet” që meritojmë. Pikë!

Ah, se harrova! Bota e lodhur nga rutina e saj dhe e jona do n’a thotë së fundi që këto gjëra duhet t’i “zgjidhim” vetë.

Share This Article
1 Comment
  • nje analist I shkelqyer qe I ka kapur ne kohe domatet e Jozefines por eshte mire ta vazhdoje me gezimin e Rames dhe metes me kastravecat qe kane neper duar

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *