Trazirat e marsit ’97, gjeneralët e Berishës dhe Gazidedes me tanke kundër jugut të vendit

anazapta

PJESA V: Trazirat e marsit 1997. Urdhrat luftarakë dhe goditja e armatosur. Berisha e Gazidede emërojnë gjeneralë dhe klientë të rinj në krye të njësive ushtarake e mercenarëve të armatosur. Dëshmitë e ushtarakëve Aleks Andoni, Flamur Terpollari, etj… Në mbështetje të sulmit, përfshihen dhe forcat tankiste.

 

Hekuran Rapaj: Njerëzit më besnikë, u caktuan në krye të njësive kryesore. Kështu, kolonel Asllan Bushati u caktua në BrK Fier, Kolonel Garip Lata në BrK Laç, Gjeneral Brigade Ali Koçeku në BrK Shijak, etj.

Shtabi i Përgjithshëm u vu nën komandën e Bashkim Gazidedes.

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Janë ditë të nxehta të pranverës së vitit 1997… Berisha e ka humbur besimin tek komanduesit e ushtrisë (përfshi dhe Ministrin e Mbrojtjes e Shefin e Shtabit të Përgjithshëm), komandat e Divizioneve e njësive të tjera që janë përcaktuar me urdhër të nisin ndëshkimin ndaj rebelëve në jug. Kështu, kolonel Asllan Bushati u caktua në BrK Fier, Kolonel Garip Lata në BrK Laç, Gjeneral Brigade Ali Koçeku në BrK Shijak, etj. Shtabi i Përgjithshëm u vu nën komandën e Bashkim Gazidedes. Të gjithë urdhrat kishin një linjë: Berisha-Gazidede- komandantët besnikë të sapoemëruar..,

*     *    *

Në fakt, sinjalet e një përballje mes shtetit të çmendur e popullsisë së pafajshme, jepen para fillimit të marsit 1997. Data e 28 shkurtit në Vlorë u pasua me “të çara” të thella që do pasoheshin nga shumë tragjedi të dhimbshme. Dy adoleshentët e plagosur nga një furgon i SHIK-ut transformuan revoltën popullore drejt shkatërrimit të ushtrisë. Dyndja e popullit të këtij qyteti drejt reparteve të ushtrisë shënoi fillimin e sulmit ndaj strukturave të Forcave të Armatosura Shqiptare. Stavri Marko, korrespondent i BBC në Vlorë raporton: “Më datë 28 shkurt, ora 12.00, kur u dorëzua SHIK-u, deri të nesërmen në mëngjes, me datë 1 mars, thuajse të gjitha depot e rrethit të Vlorës janë shpërthyer dhe nuk ka pasur asnjë sens kundërshtimi nga ana e ushtrisë”

Nga ky moment Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura së bashku me organizmat e tjera përkatëse mund të merrte situatën në dorë. Por kjo nuk ndodhi. Ai doli përfundimisht jashtë funksionit logjik për menaxhimin e situatës. Ushtria filloi rrokullisjen e pashpresë. Ajo po shkonte drejt apokalipsit tragjik të saj. Vetëm një ushtar i plagosur në depon e parë të ushtrisë që u sulmua në Vlorë dhe pastaj asnjë rezistencë nga ana e efektivave të Forcave të Armatosura në garnizonin ushtarak të njësive dhe reparteve të ushtrisë në Vlorë. Ora 06.30 e mëngjesit të ditës së parë të pranverës së vitit 1997 e gjeti ushtrinë shqiptare pothuajse të kapitulluar. Baza e famshme, simboli i qëndresës së ushtrisë shqiptare e Pasha-Limanit u shkatërrua plotësisht. Pas 24 orësh ky sistem zinxhir arriti deri në ishullin e Sazanit.

 

URDHRAT E PAPËRGJEGJSHËM

Fillim marsi i vitit 1997, është koha kur kokat e nxehta të politikës shqiptare fabrikuan urdhra të papërgjegjshëm. Vendin e logjikës e kishte zënë çmenduria. E gjitha kjo për të ruajtur kolltukët me çdo kusht, me çdo mjet, me çdo çmim.

Data 1 deri 9 mars 1997, është periudha më e ngjeshur e nxjerrjes së urdhrave për të detyruar dhe implikuar Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë në veprime kundër popullsisë së Jugut. Është etapa ku projektohen planet e veprimeve ushtarake, por edhe hartimi i goditjes përfundimtare, shkatërruese të tërë ushtrisë. Në këtë periudhë të gjendjes së jashtëzakonshme reflektohen qartë momentet e fundit të përpjekjeve të shtetit për të vendosur me “dorë të hekurt” rendin kushtetues. Brenda kësaj etape mund të veçojmë datat 7, 8 e 9 mars, kur shteti i vënë kundër popullit të vet ‘prodhon’ dokumente të pa kundërshtueshme që provokojnë inkriminimin e plotë në planet kundër Jugut, ndër to telegrame dhe urdhra për të bombarduar zona të caktuara.

 

USHTARAKËT E IMPLIKUAR

Në këto momente për fatin e popullit, të Atdheut, por edhe për vetë Forcat e Armatosura me keqardhje konstatohet se pavarësisht nga Vendimi i Parlamentit Shqiptar për dorëzimin e armëve nga “rebelët” dhe ndërprerjen e veprimeve luftarake nga shteti, kasta e lartë ushtarake, “Jo vetëm nuk i ndërpreu këto veprime por pikërisht në këto data është edhe intensiteti më i lartë i lëvizjeve dhe i zhvendosjeve të njësive ushtarake, armatimeve dhe trupave të blinduara drejt Jugut”.

Është periudha ku Ministri i Mbrojtjes së bashku me “gjeneralët”, drejtorët e Ministrisë së Mbrojtjes e deri tek punonjësit civilë, u angazhuan dhe u inkriminuan me organizimin dhe drejtimin e operacioneve ushtarake në Jug të vendit. Lidërshipi civil dhe sidomos ai ushtarak i dikasterit të Ministrisë së Mbrojtjes e humbën përfundimisht besimin ndaj ushtrisë. Ata filluan të bënin mbledhje me njerëz të përzgjedhur, të cilët u caktuan me detyra të rëndësishme si Kolonel Asllan Bushati në BrK Fier, Kolonel Garip Lata në BrK Laç, Gjeneral Brigade Ali Koçeku në BrK Shijak, etj, duke vendosur Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe organizmat e tij përpara vendimeve, të cilat ishin bërë fakt i kryer më parë nga të tjerët. Kjo periudhë tregon se ka pasur edhe ushtarakë të lartë të Forcave të Armatosura që kanë urdhëruar marshimin e njësive dhe reparteve të ndryshme të ushtrisë drejt Jugut. Janë bërë përgatitje për përdorimin e lëndëve helmuese luftarake si dhe janë urdhëruar  për bombardime të popullsisë të disa zonave në jug të vendit.

 

PLANI OGURZI KUNDËR JUGUT

Urdhrat e parë për lëvizjen e trupave të ushtrisë drejt Jugut të Shqipërisë filluan të merrnin formë që në ditën e parë të muajit mars 1997. Në ligjin Nr.7528, datë 28.02.1992 thuhet se Komandanti i Përgjithshëm “Me propozim të Shtabit të Përgjithshëm vendos për përdorimin e Forcave të Armatosura në operacionet ushtarake”. Po si u veprua në fakt? Në mediet zyrtare deklarohej se ushtria po vepronte në ndihmë të forcave të rendit. Drejtoria Operative në Shtabin e Përgjithshëm përpilon urdhra për lëvizjen e njësive dhe reparteve të ushtrisë. Ajo përgatiti një operacion luftarak. Në orën 16 të datës 2 mars 1997 Parlamenti Shqiptar u mblodh për të diskutuar gjendjen e jashtëzakonshme. Në orën 19.35 me një shpejtësi dhe oreks të çuditshëm hyri në fuqi Ligji i gjendjes së jashtëzakonshme. Strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ato të Ministrisë së Brendshme u bashkuan me SHIK-un dhe gjenerali Bashkim Gazidede është emëruar Komandant i operacionit për të shtypur revoltën në Jug të Shqipërisë. Këtu filloi rrokullisja. Mbi kurrizin e ushtrisë dhe efektivave të saj vepronte loja e rrezikshme e kungulleshkave. Ish Ministri i Mbrojtjes deri më datë 2 mars 1997 jep 22 urdhra. Ja deklarimet e vëra për këtë situatë: Aleks ANDONI: “Rastet e urdhrave të dhëna nga ish Ministri Zhulali me telefon më datë 2.3.1997 për bombardimin e urës së Mifolit me aviacion luftarak dhe të 22 urdhrave të tjerë të dhënë po prej tij për përdorimin e aviacionit, prej të cilave dy për bombardime dhe tre për goditjen e tankeve dhe mjeteve të transportit”.

Por edhe ish Sekretari i Shtetit për mbrojtjen nuk duhej të ngelej mbrapa. Ai urdhëron sulmin mbi bazën e Sarandës për furnizimin me armatim dhe municion të strukturave të SHIK-ut, të Gardës së Republikës, etj. Në këtë garë u përfshinë edhe komandantët e Divizioneve. Aleks Andoni: “Urdhrat e dhëna për shkatërrimin e urës së Sokolit nga Komandanti i Repartit ushtarak Nr. 7700 Shijak, Urdhëri Nr.60 datë 7.3.1997 i dhënë nga Komandanti i operacionit gjenerali Gazidede për furnizimin e SHIK-ut me FHL, me dy mbushje me lëndë djegëse nga D-8-K Tiranës, etj”. Dokumentacionet, dëshmitë dhe refleksionet e medieve të ndryshme televizive, shtypi i përditshëm, tregojnë se për shtypjen e Jugut u planëzuan për të vepruar me forcat aktive të njësive të Shkodrës, Tiranës, Shijakut, Burreli, Korçës dhe forcat e “mercenarëve” të SHIK-ut.

 

KRONOLOGJIA E GODITJES NGA SHTETI

Kronologjia e ngjarjeve, dhënia e urdhrave, mënyra e përqendrimit të forcave dhe mjeteve, mendojmë se treguan idenë e veprimeve: Kapjen e portit dhe e Bazës së Sarandës, zhbllokimin e situatës dhe kapjen e qyteteve të Delvinës dhe Sarandës. Në këtë drejtim u parashikuan të vepronin vetëm nga strukturat e Forcave të Armatosura 5 batalione këmbësorie, 1 batalion komando, 1 batalion i artilerisë së përzier dhe një kompani raketash kundër tank. U llogaritën pra, rreth 2000 forca aktive, duke mos llogaritur forcat e SHIK-ut dhe te Akademisë së rendit që ishin futur në Gjirokastër, drejt Delvinës, të komanduara nga gjenerali, komandanti i tyre.

Në Përmet në mesnatën e datës 7 mars 1997 afrohen forcat e Brigadës Komando të Zall-Herrit, batalionet e këmbësorisë të Divizionit Shijakut dhe Burrelit, forcat e artilerisë të Divizionit Këmbësorisë Tiranës, Brigada e Komunikimit, repartet speciale dhe të riparim-evakuimit, etj. Atje qenë të vendosura më parë forcat e SHIK-ut së bashku me to edhe ato të ashtuquajtura Brigada Speciale e “mercenarëve të mbledhur” Forcat e Fierit dhe një batalion këmbësorie i Divizionit 8 Këmbësorisë Tiranës, ekuipazhet e tankeve së bashku me tanket dhe forcat e SHIK-ut qenë të vendosur për të bllokuar Qafën e Koshovicës me qëllim që të mos lejonin “marshimin e forcave të Vlorës” drejt Tiranës, si dhe të ulnin moralin e zonës përreth. Për këtë ata u angazhuan në veprime terrorizuese në fshatrat e zonës, sidomos nëpërmjet SHIK-ut.

 

DËSHMI TË TRAGJEDIVE 

Dëshmitë e asaj situate janë të shumta e rrënqethëse.

Flamur Terpollari, Shef i Shtabit të Batalionit të këmbësorisë së mekanizuar në Laç, dëshmitar që në mëngjesin e datës 4 mars 1997: “Së bashku me komandantin e batalionit tim Sami Cena shkuam tek prefekti i Fierit, i cili ishte komandant i operacionit të rrethit. Në prani të 14 vetave dha urdhrin luftarak “për mësymje ndaj Vlorës”. I fola Samiut: “Këta qenkan të çmendur” Ata na rrethuan duke thirrur: “Dezertorë. Tradhtarë. Kriminelë. Do t’ju vrasim”. Duhej të shkonim atje ku donin ata. Populli terrorizohej nga tanket nëpër rrugë. U nisën drejt Qafës së Koshovicës ku pashë me sytë e mi gjëra dhe veprime shumë të poshtra, që nuk mund t’i bënte njeri vetëm SHIK-u. U dha urdhër nga Izamedin Haxhia që të hapej zjarr në Cakran se do të vijnë vlonjatët. Në fakt nuk kishte asnjë lëvizje.”

Duhej me çdo kusht që të egërsohej ushtria kundër popullit. Ekuipazhet e tankeve të brigadës së  tankeve Shkodër së bashku me oficerët e tyre vepruan. Hapja zjarr e tyre krijoi këtë tragjedi. Bilanci i këtij konfrontimi qe tragjik. Dy varre në Cakran që mbajnë brenda dy ushtarakë ishte rezultati i veprimeve të ushtrisë me datë 8 Mars 1997. Këtij qëllimi i shërbente edhe planëzimi për shkatërrimin e urës në Qafën e Sokolit në Rrogozhinë, si dhe veprimet e efektivit të përforcuar me topa 75m/m, të cilat u tërhoqën nga Fieri për bllokimin dhe goditjen e forcave që mund të kalonin urën e Rrogozhinës. U realizua më vonë shpërthimi i depove të armëve ku u bë armatosja e militantëve “mercenarë” të qytetit të Kavajës. Urdhrat marshuan sidomos mbi Divizionin e Tiranës. U vunë në lëvizje nga ky Divizion forca dhe mjete, armatime dhe municione. U përfshinë në veprimet operacionale të Jugut pothuajse tërë njësitë dhe repartet e këtij Divizioni.

Në këtë periudhë lëvizën efektivat dhe mjetet e blinduara të Brigadës Tankeve Zall-Herr, batalioni i parë i këmbësorisë të Repartit Ushtarak Nr. 8830 dhe të Repartit Ushtarak Nr. 9940, batalioni 130 m/m i Brigadës Artilerisë, batalioni 160 m/m i Brigadës Artilerisë Mekanizuar Elbasan, kompania e raketave kundër tanke e Brigadës Këmbësorisë Yzberisht, etj. Në këtë Divizion u evidentuan rreth “65 dokumente bazë” të natyrës së telegrameve dhe shifrave. Kështu me datë 2 mars 1997 ish Sekretari i Shtetit për Mbrojtjen me telegramin Nr.5 urdhëroi Komandantin  e Divizionit Këmbësorisë Tiranë: “Bëni  armatosjen e efektivave rezervistë, të organeve të rendit e të SHIK-ut  mbi bazën e kërkesave që kanë bërë e që do të bëjnë komisariatet e  degës së SHIK-ut në rrethe, të cilët i kanë këto forca në vartësi organike”.

 

EDHE TANKET NË OPERACION

Pra ish Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe ish-Komandanti i Divizionit të Tiranës, urdhëruan komandantët e njësive dhe reparteve vartëse për pajisjen me armatime, municione, armë speciale, mjete të blinduara, forcat e rendit në Tiranë, Fier, SHIK-un dhe Gardën e Republikës. Nuk mbetet prapa në dhënien e urdhrave mbi këtë Divizion edhe Komandanti i operacioneve dhe zëdhënësi i tij, gjeneralët e SHIK-ut. Më datë 1 mars 1997 komanda e divizionit të Tiranës urdhërohet të kalojë në vartësi të BrK Fier disa ekuipazhe tankiste. Më datë 3 mars ish Sekretari i Shtetit për mbrojtjen urdhëron t’i dorëzohen SHIK-ut, një kompani me efektiv aktiv të raketave kundër tanke, me gjashtë shtretër lëshimi me dhjetë raketa për çdo shtrat. Kjo datë është më e ngarkuar në dhënien e urdhrave për këtë divizion. Ish Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, urdhëron kalimin kapital nga divizioni për tek SHIK-u të 100 copë ML, 1.000 copë automatik, 100 GHLKT, 500 shtimje 40 m/m të shoqëruara me 5 komplete  municione e barabartë kjo me 600.000 copë fishekë. Në këtë datë ish Ministri i Mbrojtjes kalon nga rezerva në përdorim 150.000 litra karburant (gazoil) me një plan të veçantë për repartet tankiste. Ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm urdhëroi kalimin në vartësi të Ministrisë së Rendit të 8 të tankeveT-59, marrë nga Br tankeve Zall-Herr. Një ditë me vonë ish Sekretari i Shtetit për mbrojtjen urdhëroi kompletimin me resurse të Br3K në repartin ushtarak Nr. 8830 Tiranë dhe përgatitjen e tyre intensive.

 

(Vijon nesër)

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Urdhri i Presidentit të Republikës më 6 mars 1997 për ”Armëpushim’ midis popullsisë së revoltuar e të armatosur me forcave të SHIK-ut

Ushtrisë dhe mercenarëve të armatosur.

-Urdhri i Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Mbrojtjes dhe refuzimi i pedagogëve për të marr nën komandë mercenarët e armatosur në operacionin kundër jugut të vendit.

-Shkatërrimi i Divizionit të Shkodrës, krijimi i Shtabeve mikse (ushtri-SHIK) dhe dëshmitë e gjeneralëve e ushtarakëve të tjerë protagonistë të trazirave të vitit 1997

Share This Article
13 Comments
  • I lutem redaksise se kesaj faqjeje te mrekullueshme me te verteta te pakundershtueshme qe nje kopje te ketij ditari tia dhuroje miqeve te satrapit qe edhe kur ishin deshmimtar ne vrasjet e bulevardit e quajten “Burre shteti”,ne vend qe ta etiketonin “Burre m…i”.Deri me sot jeni gazeta me me moral ne kete vend .Ju faleminderit e pergezime ne misionin qe keni.

    • o lin,ti dukesh qe ke lindur dje.une jam deshmitar okular i disa prej ngjarjeve qe permenden me siper vetem se atyre ngjarjeve u kane vene shenjen minus perpara.gati gati zani caushi po na dal nje hero

      • I nderuar Blin,ta gezosh moshen e internetit!Sa per ngjarjet qe ke jetuar jam mese i bindur se me siguri je nga ata qe u rreshtuat per te djegur jugun.Se dyti me lejo te te them se me mire Zani Çaushi hero se mbrojti qytetin e tij nga bandat e Saliut.Kush ishte hero Agim Shehu,Bashkim Gazidede,Safet zhulali apo ndonje plehre tjeter qe s’ja vlen tia permend emrin.Me habit fakti se si paske shpetuar,apo je nga ata qe kur u kapet deklaronit se na ka çue Sala ,nuk dinim gja.Puthini doren e lepijini b…..atyre qe i sherbeni si vemje qe edhe kur vrisni ju quejn Burra shteti.Ironia e jetes me ben qe sot te replikoj edhe me ata qe kur zbriten ne qytet hanin sup me akullore.

    • o lini ke te drejte per faqen por duhet qe tia dergojne edhe hetuesis por jo asaj shqiptare pasi ata zihen se kushe do marre me shume leke me gjyqet e fukarenjeve, por asaj te hages.pasi keta kriminele te gjithe qe permenden ne ngjarjet duhet te denohen per krime lufte kunder popullsis.persa i perket zani caushit ai ishte me te vertet nje vlonjat i nderuar.pati guximin ti impononte krimineleve te shtetit qe Romano Prodin e mbronte vetem ai.Zani duhet shpallur hero kombetar dhe jo te rri ne burg pasi ne burge duhet te shkojne te gjithe qeveritaret e atehershem.po ju tregoj nje histori te vertet.kur do shkonim ne vlore per te marre nusen e vellait tim na ndaluan tek ura e mifolit dhe ne vinim nga lushnja.e di ç’fare ndodhi qe na shoqeruan deri ne shtepin e nuses vajtje ardhje ,pasi keta jane vlonjatet e vertet me popullin nuk kishin asgje.

  • Eshte nje e vertet e madhe ,qe Populli e sidomas Populli i jugut e jetoi mbi supe ,por fatekeqesisht , ky Popull ata njerez qe u sollen ne menyre barbare ne vitin 1997 ,sot po i quan udheheqesa dhe shpetimtare te ketij vendi e me keq akomea,po i quan Demokrate te flakte te Shqiperise .Kjo eshte nje e vertet e dhimbshme qe duhet pranuar eshe duhet korigjuar .

  • Kjo ashte fatkeqesi e madhe per popullin shqiptar.Si ashte e mundur qe Prokuroria e Pergjithshme nuk fillon çeshtjen penale per ish Komandantin e forcave te Armatosura ne vitin 1997,si dhe per gjithe personat pergjegjes te atij viti qe kane qene ne pushtet ? Cfare presin ?Apo te bahet edhe nje here si,ne vitin 1997?

  • Vitin 1997 nuk e pregatiti vetem spiuno krimineli Sali Berisha por dhe shume te tjere qe e ndihmuan ate per te realizuar detyrat e mara nga shefat e tij Serb.Gjithashtu ndihme i dhane dhe shume politikan te majte me ne kryhe qelbesiren Nano.Shqiperia dhemi se do rilind dhe shqipetaret do ken besim se vertet po ndryshon ky vend,vetem atehere kur ne bangen e te akuzuarve do dalin te gjithe ata politikanet me ne kryhe Berishen ,Nanon,Meten etj.Vetem keshtu do themi qe shqiperia po ndryshon.

  • fajtori kryesor qe sali SERBI e ka katandisur vendin ne pike te hallit ,eshte nano GREKU,neqoftese fatos legeni mbas hardhjes ne pushtet do ta nxirte para gjyqit,SHQIPERIA nuk do ishte ne kete gjendje qe eshte.por tani kuptohet qarte se saliu e fatosi kane bere lojen e njeri-tjetrit ne kuriz te popullit te shkretosur.

  • Lufta civile qe u ndez ne 97-en ishte nje manover ose nje skenar per te neutralizuar popullaten shqipetare , ekonomine , ushtrine … ne menyre qe Shqiperia te mos nderhynte ne luften qe do te vinte :”Serbi Kosove” … Firmat piramidal qene nje taktike e papare … Luftrat qe u zhvilluan ne ballkan qene te skenuara , mezi pritej vdekja e Enver Hoxhes dhe skenari te zbatohej … Milloshevici , Saliu , Ambasadoret e asaj kohe … jane thjesht kukulla ose aktore … Me sa shohe une akoma se kuptoni lojen ne kete bote juve …

  • une 19 vjec dhe e kutpoj cfare behet ne kete bote … jo me vetem per kosoven dhe shqiperine por qe te gjitha arrij ti kuptoj … kam lexuar marksin qe 17 vjec o njerez … kete inteligjence qe zoteroj ma ka dhuruar mema natyre … Po pse i tregoj une keto … sepse une e di se cfare e pret kete bote … kete do ta mbaj te fshehte dhe nuk e them .

  • Igli, pamvaresisht nga mosha , ato qe thua jane te sakta. te gjitha luftrat e ballkanit por dhe me gjere jane te planifikuara ne tavoline.Behet skenari dhe pastaj realizohen, pasi jane zgjedhur dhe aktoret si ke shkruajtur me larte edhe ti.Mjere ne qe nuk e kuptojme nga na vjene e keqja por vazhdojme te akuzojme njeri tjetrin.Dividi e impera,-perça e sundo,kjo eshte politika qe ndiqet me turmat ( popujt) gjithandej.(perfshire edhe popullin shqiptar).Ne nuk kemi qene dhe nuk jemi asnjehere zoter te fatit tone.po keshtu dhe popujt e tjere te ballkanit dhe te europes se bashkuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *