Opozita i cilësoi të turpshme deklaratat e ministrit të Brendshëm në analizën vjetore të policisë.
“Saimir Tahiri predikoi pa turp sot ligjin, besimin dhe etikën në polici, tre elementë për të cilat ky ministër duhej të kishte ikur me kohë nga detyra e të ishte përgjigjur para drejtësisë”, tha zëdhënësja Ina Zhupa.
Ajo tha se ministri ka pranuar se ka shitur makinën në të zezë makinën që shfrytëzohet për trafik droge dhe se ka pranuar publikisht se nuk zbaton një vendim gjykate.
“Një seri ekzekutimesh mafioze kanë ndodhur vetëm në muajin Janar. Dhe Tahiri nuk mban asnjë përgjegjësi. Ai është ministri më i inkriminuar në Ballkan, dhe sa më shumë qëndron në detyrë, aq më shumë stimulon krimin e trafiqet, dhe minon besimin e publikut tek policia”, theksoi ajo më tej. /Dita/