TRE MËSIMET QË DUHET TË NXJERRË QEVERIA E KOSOVËS

redaktor

Protesta e opozitës në Kosovë, në 9 janarin e këtij viti, ishte , pa asnjë dyshim, më e madhja që kishte ndodhur në të githë vitet e pasluftës, dhe kishte në vete edhe një mesazh që nëse deri tani nuk është lexuar si duhet nga qeveria e Kosovës, pra nga pushteti. Do të ketë pasoja jo vetëm për të, por në shumë dukuri të jetës politike e financiare në Kosovë. Demonstrata e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, tri partitë e njësuara kundër të gjitha shfaqjeve qeveritare, nuk ishte thjesht një përsëritje e atyre që ishin zhvilluar më parë, ajo, edhe pse ishte vazhdë e demonstrimeve në qytete të ndryshme shqiptare në Kosovë, dëshmoi se njerëzit nuk ishin lodhur dhe se do të ketë edhe të tjera.

Fundi i demonstratës, me atë që ndodhi dhe që u pasua edhe në deklarimet e politikës ndërkombëtare, në fakt ishte shfaqja e jashtme e një problemi themelor: marrëdhëniet mes pozitës dhe opozitës në Kosovë janë ngrirë në në një akullim të tejskajshëm politik dhe tani për tani nuk duket të ketë asnjë shenjë të shkrirjes së tyre. Le të themi se fundi nuk duhej të kishte ndodhur ashtu, por në memorjen kolektive ajo që do të mbesë nuk do të jetë fundi i saj, por fillesa dhe pjesa vazhduese, dhe këtë qeveria duhet ta lexojë sa më parë që të jetë e mundur.

Po të shikosh me vemendje, në pamjen e parë, kjo duket një përplasje që ka ardhur në njerëz të të njëjtit front, pasi të gjithë liderët, kush më shumë e kush më pak, disa nga fillimi e të tjerë më pas, kanë qenë pjesë e struktuirave të ndryshme të luftës çlirimtare. Është fakt se në periudha të ndryshme të luftës jo gjithnjë mes tyre ka pasur dakordësi, ta zëmë mes Haradinajt dhe Thaçit, por ka pasur edhe shumë gjëra të përbashkëta, të cilat duhej të kishin qenë mbi ndarjen. Ndërsa ndërlidhjet e Thaçit dhe të Veselit me përfaqësuesit politikë të NISMA kanë qenë aq të afërta, sa që rrugëtimi i tyre në strukturat e larta ka rrjedhur edhe nga afërsia e tyre me Hashim Thaçin, i cili, në jo pak raste, ka qenë nuni politik i tyre.

Dhe ky është mësimi i parë: qeveria, ose më saktë, ose pjesë e qeverisë që ka bërë këtë rrugë të përbashkët me këtë pjesë të opozitës duhet të bëjë pyetjen e parë: përse ndodhi kjo? Në cilin fragment të marëdhënieve ndodhi kjo ndarje dhe cili ishte shkaku që “të vetët” u bënë të huaj?

Nuk pres që pjesa tjetër e qeverisë, që ka si shenjë dalluese Isa Mustafën të bëjë pyetje të tilla brenda vetes. Ata, thuajse duke pëshpëritur nëpër dhënmbë, pranuan qeverisjen e përbashkët me Thaçin, jo se menduan të bëjnë detantën politike, por thjeshtë nga joshja e pushtetit. Ata u bënë njësh me strukturat e larta drejtuese të PDK-së në qeverisje duke menduar dy gjëra të rëndësishme për to, por jo për Kosovën: si të merrnin revanshin e tyre , dhe, e dyta, si t’ua bënin më mirë hyzmetin padronëve të vjetër, të cilët edhe i kishin futur në politikë. Figura të rëndësishme të LDK-së, jo prej sodit, pr prej shumë kohe kanë qenë të lidhura me shërbimin sekret serb dhe kjo është diçka e ditur. Nëse ka pasur ndonjë dukje të rëndësishme e gjithë kjo veprimtari është pikërisht në ndarjen e strukturave të lufts, të cilët, duke u joshur nga pushteti, nga pasuria që solli korrupsioni, duke u bërë “zotërinjtë” e rinj të Kosovës, pasi kishin veshur mantelin e të mundurit, ishte shumë e lehtë të bëheshin pikë e presje.

Në Drenicë kam dëgjuar një fjalë të urtë, që shpreh shumë gjëra që kanë lidhje me këtë lloj qeverisje. Ata thonë “mos u bëfsh me të qajtë serbi”, dhe, pjesa strukturore e PDK-së në qeveri, ndërsa shikon prballë vetes një pjesë të shokëve të tyre, ndjen pas shpatullave ledhatimin politik të udbashëve të djeshëm, të cilët, duke nanullitur politikisht gjuhën e sirenave joshin liderë politikë me poste të mdha, pa harruar se në të vërtetë ata janë për botëkuptimin e tyre vetëm uzurpatorë, njerëz të terrorit, armiq të pushtetit serb, nën të cilin ata kanë vegjetuar.

Qeveria, ajo pjesë për të cilën mendoj, duhet të bëjë sa më parë pyetjen dhe të gjejë përgjigjen: përse u ndamë në këtë soj halli dhe çfarë duhet bërë për të gjetur një rrugë që është në më të dobshmen e ngjarjeve në Kosovë.

Pa asnjë droje mund të them se shërbimi i fshehtë serb atë që ka dashur deri tani e ka arritur në Kosovë; që nga krijimi i monopoleve financiare, të sajuara dhe të financuara prej tyre, në krijimin e një klime të rëndë politike, futjen e thjerzave të saj në mesin e politikës dhe deri në ndarjen e njerëzve të luftës, duke i vënë përballë njëri tjetrit si të ishin armiq shekullorë.

Është fakt se nga opozita qeveria e sotme po trajtohet njëlloj si një qeveri kukull milosheviqiane dhe nuk është rasti që të bëjmë konkluzionin nëse kanë të drejtë apo jo. Nuk mndoj se pjesë të opozitës janë të pakorruptueshëm: kur kanë qenë në pushtet shumë prej tyre janë bërë milionerë dhe Vetëvendosja e di fare mirë këtë. Edhe ajo ka diskutuar për këtë realitet, por e ka parë qeverinë Thaçi si të keqen më të madhe që duhet rrëzuar.

Mësimi i dytë: në demonstratë ishin mijra e mijra njerëz. Nuk ishin 8 mijë sa vrapon të thotë policia e as nuk ishin 100 mijë sa shpejtoi të thotë opozita. Loja e shifrave është e njohur në politikë. Nuk shpëton nga kjo as opozita e as policia e Kosovës. Por ishte më e madhja e zhvilluar deri tani.

Ajo që të bën përshtypje qëndron në faktin se shumica e tyre ishin të rinj e të reja. Mijra e mijra prej tyre, nga e gjithë Kosova kishin zbritur në Prishtinë. Shumë të tjerë, edhe nga Shqipëria, ishin ndalur në rrugë. Të rinjtë, pjesa dërmuese e demonstratës, është njëkohësisht edhe pjesa vitale e Kosovës. Deri para pak kohësh, të rinjtë ishin kontigjenti më vital i PDK-së dhe mbështetësit më të zjarrtë të Thaçit. Nga të rinjtë PDK ka ende mjaft përkrahës, por zjarri i tyre po shuhet dalngadalë. Në fillimin e këtij viti pata rastin të takohem me disa të rinj, por edhe të moshuar, që i njihja prej kohe si përkrahës të Thaçit. Edhe më pas e di se ata do të votojnë për PDK-në, pavarësisht se kush do i prijë asaj. Por ftohja kishte filluar, kishte mbetur ideja dhe vazhdimi i një tradite, por zjerr nuk kishte më.

Të rinjtë janë të trazuar deri ku nuk bën më. Jo vetëm nga Zajednica apo vija e Demarkacionit me Malin e Zi. Ata janë kauzat e mëdha, të cilat nuk i rrokin të gjithë. Por edhe nga papunsia, ku gjysma e tyre sillet rrugëve; edhe nga pasiguria, sepse ajo ka rënë; edhe nga fakti se bijtë e bijat e figurave politika janë bërë si kapo e sillen me shtetin e Kosovës më keq se me mallin e gjyshit apo të gjyshes; edhe se ëndërrojnë për një jetë ndryshe e këtë nuk e kanë. Të rinjtë po e braktisin Kosovën. E braktisin jo se nuk e duan, por sepse nuk i do. Në çastin kur ata braktisin vizionin që i u është ofruar, ata kanë braktisur gjithçka.

Qeveria e Kosovës, ajo pjesë që mendoj unë si qeveri e Kosovës, nëse edhe më tej do të mendojë se kjo është diçka e përkohshme, do të jetë edhe më tej e gabuar.

Që të kthehesh nga Kosova fillimisht duhet të kthehesh nga rinia e saj. Opozita e ka kuptuar këtë. Pushteti e ka harruar.

Mësimi i tretë: në demonstratën e 9 janarit disa autobuzë u nisën nga Shqipëria për të qenë në demonstratë. Askush nuk mund t’i gjykojë dhe kanë bërë faj politik ata që i kanë ndaluar.

Ata autobuzë është përkrahja që i dha pushteti në Shqipëri ngjarjeve në Kosovë. Përtej saj ka heshtje. Asnjë figurë e madhe politike në Tiranë nuk është prononcuar pro apo kundër. Ilir Meta udhëtoi dhe takoi ata që duheshin takuar dhe ky ishte i vetmi mesazh që u shkoi përmes një njeriu që është i afërt me të gjithë dhe që gjithnjë ka gjetur anën praktike të zgjidhjes së gjërave.

Të tjerët heshtën. Qeveria dhe opozita në Kosovë duhet të marrin mësimin se koha e paternalizmit kaloi dhe se gjërat duhet t’i zgjidhin vetë, me mendjen e tyre, me forcën e tyre dhe me mendimin se jo gjithnjë tërheqja është shenjë e frikës, ashtu si opozita ka kohën të mësojë se jo për çdo shkelje kushtetute mund të rrëzohet një qeveri. Precedenti është në Tiranë, kur pas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e marrëveshjes me qeverinë greke për të falur një pjesë të rëndësishme të detit, asnjë qeveri nuk u rrëzua, përkundrazi, njeriu që e nënshkroi u bë tani shefi i opozitës në Shqipëri dhe, megjithë këtë “falje”, vjedhjet marramendëse dhe vrasjet e 21 janarit, aspiron për të qenë shefi i qeverisë në Shqipëri. Një precedent që duhet harruar.

Në Kosovë gjërat duhet të lëvizin nga vetë shqiptarët. Por ndërsa shteti është në ngulçin e tij, shefi i qeverisë, zoti Mustafa bën planet për takimet e ardhshme.

Share This Article
4 Comments
  • SHQIPTARET SOT, KUDO QE JANE, NE SHQIPERI , KOSOVE , MAQEDONI , MAL TE ZI,

    TE THEMI TE VERTETEN , QEVERISEN NGA SHERBIMI SEKRET SERB. KJO…, AQ SA

    ESHTE E HIDHUR , ESHTE EDHE E VERTETE POR ZGJIDHJEN E PRET VETEM NGA

    RINIA SHQIPTARE , SI ME E PA PERLYER NGA SPIUNAZHET E HUAJA .

  • Serbia beri gjakderdhje te papare dhe rezultati – BE e josh drejt BE!!! Ka krijuar nje republke serbe ne Bosnje, bertet per serbet ne Kroaci, krijon asocione ne Kosove dhe nderkohe, mban serbine e jugut me baza ushtarake, pale asocione, mban vojvodinen eetj etj dhe BE akoma e mban me sheqerka, ben edhe levizje me rusin … hajde merre vesh kete pune. U japin dhe vende pune atyre qe bllokuan uren e Ibrit kaq vjet!!!! Nderkohe opozita kosovare etiketohet jo demokratike!!! JO mor JO, BE pranon vetem faktin e kryer, serbia e ben faktin e kryer, BE terhiqet. Jo asocionit, e vetmja menyre per asocion eshte qe me pare te pranohet asocione ne Serbine e Jugut, kerkohet ndjese publke per luftrat dhe viktimat, demshperblime, gjetja e te zhdukurve etj etj. E ben dot Serbia??? NUk e le Kushtetuta e saj!!! Po pse Kushtetuta e Kosoves me e pavlere eshte?????

  • Ndarja(e çlirimtareve),9janari(pjesmarrja e gjere e rinise)dhe solidarizimi nga shqiperia me ngjarjet ne kosove perbejne mozaikun politike te koheve te fundit .I nderuar ju keni prekur nje plage te madhe te jetes sone politike e shoqerore. Ne hulline e ketyre ngjarjeve thirre per ndergjegjsim ,reflektim dhe ecje perpara.Aty(ne kosove) sa ka te krehur aq ka edhe te dehur.Brenga juaj eshte sa e madhe aq edhe e drejte.Mesimet tuaja duhet te kuptohen jo vetem nga ajo pjese e pozites qe i drejtohesh por edhe nga opozita.

  • Kosova ka nje pale te krehur dhe nje pale te dehur.Ajo qe te mundon ty i nderuar B.Islami dhe jo vetem ty,eshte jo relevante per akteret politike.Me ndonje perjashtim te vogel ata i ndau LAKMIA PER PUSHTET E PARA.Thirrja e profesor Qosjes dhe tash e juaja per fat te keq nuk ndegjohet.Dy rruge te mira kane;bashkimi per ti refuzuar marreveshjet apo bashkimi per ti gdhendur ato.Bashkimi apo bashkrendimi ne pune eshte i domosdoshem.Thirrja jote eshte domethense per te gjithe ata qe kohen e mundesive duan ta shenderrojn ne kohe te sukseseve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *