Zv.ministri i brendshëm Ferdinand Poni ka deklaruar sot se lista e zgjedhësve është rigjeneruar dhe kjo listë përban 3 milionë 285 mijë 984 zgjedhës.
Në një deklaratë për mediat, Poni ka theksuar se në 12 dhjetor Drejtoria e Gjendjes Civile ka shpërndarë listat e zgjedhësve ndërsa ka shtuar se është bërë një punë e konsiderueshme edhe me dublimet.
“Listat që nga data 3.03. 2013 janë të rigjeneruara në regjistrin e gjendjes civile dhe pranë çdo komune dhe bashkie. Lista përban 3 milionë 285 mijë 984 zgjedhës, nga këta janë 5455 qendra votimi, ndërsa 21 545 zgjedhës janë në lista jo të gatshme për të publikuar. Një punë e konsiderueshme është bërë për pastrimin e dublimeve. 4404 rekorde janë në verifikim ndërsa për 1627 persona kemi informacion të qartë që nuk janë dublime. Janë pastruar si dublime 1922 rekorde ndërsa kanë aplikuar edhe 694 persona. Gjithashtu janë edhe 3431 rekorde të personave të dyshuara si të dubluara” ka theksuar Poni.
Sipas Ponit, është punuar shumë mirë me listën e shtetasve mbi 100 vjeç. “Gjatë kësaj kohe kanë konfirmuar se janë gjallë 200 vetë”- tha ai.
Zv.ministri Poni gjithashtu ka kërkuar të zbatohet në mënyrë rigoroze numri i zgjedhësve për qendër votimi.