Pas Luftës së Dytë botërore pak kush mund të mburrej se ishte gjerman. Kombi ishte në fundin e vlerave të tij, deri aty ku pika e ngrirjes dukej se nuk do të shkrinte më. Në peizazhin e një vendi të shkatërruar nga lufta, ajo që sillte dhimbjen më të madhe ishte pikërisht kjo: Humbja e besimit tek vendi i tyre. Askush nuk besonte në ringritjen, ose më saktë, ata që besonin, mund të ishin vetëm ëndërrimtarë të pandreqshëm, ose nacionalistë të një lloji të ri. Nëse kishte pasur një luftë totale, do të kishte edhe një humbje totale; nëse kishte pasur një teori të “Blitzkrieg-ut”, luftës-rrufe, rrufeshëm, në pak vite ishte humbur gjithë ajo që ishte mbrujtur në shekuj nga krenaria dhe virtyti gjerman. E ndarë në katër pjesë, ku ajo lindorja ishte si në humbëtirë, një shtet që kishte ëndërruar për hapësira të mëdha, tani ishte rrudhur në disa provinca, të cilat, ashtu si provincat romake dikur, kishin për administratorë, jo njerëz të politikës, por ushtarakë të lartë. Kishte humbur njëkohësisht edhe ajo klasa e veçantë gjermane qeverisëse, të cilët kishin qenë brez pas brezi trashëgimtarë të jetës fshatarake, të shëndetshëm, të mësuar me kulturë elitare bismarkiane dhe të frymëzuar nga besimi i krishterë, katolik apo puritan. E pra vendi duhej ringritur. Duhej rifilluar.
Pak kush do të kishte guximin të merrte përsipër të drejtonte këtë vend, kur për më tepër, mjerisht, shumica e atyre që kishin mbijetuar si klasë intelektuale dhe qeverisëse, kishin qenë pjesë e një sistemi të shkuar dhe në të cilin, kundërshtarët ishin mbyllur në kampe përqëndrimi, ishin vrarë, ose ishin djegur.
Kur Konrad Adenaueri mori përsipër të ishte kancelari i parë i një Gjermanie të ndarë, kjo u dukej të gjithëve një vepër e guximshme, për më tepër utopike, pasi kishte marrë përsipër ringritjen e vlerave të një kombi të shkallmuar. Shumë, mijëra e mijëra vetë, po e braktisnin shtetin ku kishin lindur, ngarkuar nëpër avionë, anije, në këmbë, ata po iknin drejt vendeve të tjera, e në shumë raste, do të ndërronin edhe emrat e tyre, si për të dashur të fshihnin gjithçka që kishte pasur të bëjë me të kaluarën e afërt.
Çfarë do të bënte ky njeri i heshtur, nganjëherë i zymtë, fytyra e të cilit rrallë herë shprehte ndonjë emocion dhe që kishte në vete peshën e rëndë të një njeriu që, megjithëse e dinte fare mirë se mund t’ja dilte, përsëri ajo që kishte shkuar, si gjylet e dikurshme në këmbët e skllevërve, e tërhiqte nga pas?
Konrad Adenaueri ishte një njeri i sulmuar, por nuk kishte qenë një njeri i mposhtur. Ai kishte ruajtur në vete, megjithë kohën e vështirë, disa nga virtytet më të hershme të kombit gjerman. Kishte ruajtur qetësinë e veçantë, dëshirën për rregull deri në skajshmëri (ende sot janë proverbiale kërkesat e tij deri në vendosjen e letrave mbi tryezën e punës), bindjen gjermane ndaj ligjit, thirrjen pranë vetes të njerëzve që nuk influencoheshin as nga joshjet, as nga frikësimet dhe që ushtronin me kryelartësi detyrën shtetërore. Ai kishte vendosur të ngrihej mbi të drejtës e së kaluarës, sa herë këtë ta kërkonte e mira e vendit. Adenaueri, një shpirt logjik dhe i ftohtë, kishte vendosur të shndërronte Gjermaninë në një sistem koherent vlerash, që deri asaj kohe kishte qenë inkoherente; kishte vendosur të bënte vendin e tij një strukturë tolerance, që deri asaj kohe kishte qenë sinonimi i intolerancës dhe krimit.
Adenaueri e bëri këtë përmes dhimbjes, duke marrë mbi vete shumë përgjegjësi morale që nuk i takonin dhe njëkohësisht, duke i hequr ato nga shpina e një populli që kishte qenë njëkohësisht fajtor dhe vuajtës. Ai ndërtoi konceptin se ringritja duhej të fillonte nga secili qytetar gjerman, kudo që të ishte, se ajo nuk duhej të ishte një gjë abstrakte, por konkrete, e përditshme, jetësore, e prekshme dhe rivendosur koncepti i vjetër gjerman për kombin, jetën, detyrimin dhe të drejtën. Në vitet e para, me guxim të pashoq, ai i mëshoi më fort detyrimit se sa të drejtës, sepse ishte një periudhë e pazakontë. Ai solli shembullin se ndjenja për kombin, që mendohej se po zhdukej, duhej të fillonte që nga oborret e shtëpive e deri tek ndërtimet e mëdha, që ishin shembur nga lufta, por që duheshin ringritur, mundësisht si ishin para ardhjes në pushtet të nazizmit.
Ai e bëri këtë. Nën vizionin e një njeriu të ashpër në dukjen e tij të jashtme, filloi ringritja e një kombi, i cili ishte i asfiksuar dhe mendohej se do të mbytej.
Pak a shumë kjo ishte edhe Shqipëria në fillimin e vitit 1991. Një vend ku po bjerrej me shpejtësi të habitshme çdo lloj vlere, ku njerëzit po iknin si të mundnin, ku ndërrimi i emrave po bëhej si një epidemi greke, ku po përhapej me shpejtësi ndrojtja e përmendjes së nacionalitetit dhe në të cilën dhuna po zinte vendin e arsyes.
Mjerisht kombi nuk nxori një burrë, qoftë edhe në miniaturë me vlerat, virtytet dhe vizionet e Adenauerit. Në të kundërtën, vendi ra pre e një burreci të pashoq, i cili i ndolli të keqen mbi fatet e tij dhe u bë njëri nga simbolet e fatkeqësisë. Ishte një ndër shanset e humbura, shumë më i dhimbshëm se ai që në historinë tonë quhet “shansi i humbur i Shtrausit”, për shkakun e vetëm madhor, se ndryshe nga sa më parë, tashmë gjithçka varej nga ne.
Shembulli i dytë gjerman mban emrin e Willy Brandt. Ndoshta nga kancelarët më të kulturuar të një vendi elitar, i cili dinte përmendësh thuajse të gjithë korpusin e Gëtes dhe të Shilerit, dhe që dukej sikur kishte dalë nga idetë e mëdha iluministe. Më tepër se sa me një kancelar, ai dukej sikur ishte një studiues i gjuhës gjermane dhe i filozofisë, fusha në të cilat shkëlqente.
Ndërsa Konrad Adenueri ishte përfaqësuesi politik i së djathtës gjermane, CDU-CSU, Willy Brandt ishte i së majtës, SPD, dhe asnjëherë, më herët e më pas, kjo e majtë nuk do të kishte një përfaqësues tjetër më brilant. Polemist i shkallës më të lartë, erudit, vizionar i një bote të re,në të majtën europiane ai do të kishte vetëm një pasues, kësaj here në vendin fqinj, Francë, në personalitetin e Fransua Miteranit.
Megjithëse nga dy rryma të ndryshme politike, dhe jo të kundërta si ndodh në Shqipëri; Adenaueri dhe Brandti përpuqeshin krejtësisht në respektin ndaj kombit gjerman, vlerave të tij, entuziazmin e përmbajtur që kurrë nuk do të kalonte më në delir; dhe, mbi të gjitha, në ëndrrën për të rritur vlerat e tij pas hatasë së luftës së dytë botërore.
Brandt e gjeti Gjermaninë më të bashkuar se sa Adenauer dhe e la më të lidhur se sa e gjeti. Ai e respektoi thellësisht veprën e kancelarit të parë, sepse ajo i kishte shërbyer popullit të tij; por mendoi se në një kohë tjetër, e gjithë kjo mund të sillte më shumë vlera, nëse do të ndërthurej me një vizion të ri. Ai u vuri vetes synimin për të ofruar këtë kohë tjetër, për t’u bërë pararendësi i saj, njëkohësisht që vendi i tij të bëhet përçuesi i kësaj ideje: Tolerancës dhe ndjesës. Ai e dinte se në të gjithë botën, jo vetëm rreth e rrotull, vlera e një kombi nuk mund të ngrihej aty ku e meritonte, nëse nuk do të ishte pranimi i plotë i fajësisë, edhe për gjëra që nuk kishin ndodhur në kohën e tij. Ai kishte bindjen se gjërat e mëdha, duhen bërë në vendin e duhur, në kohën e duhur,me njerëzit e duhur. Megjithëse Polonia ndodhej në bllokun komunist, si pjesë avangardë e saj, ai gjeti pikërisht këtë vend, ku edhe kishte filluar marshimi nazist, për të bërë ndjesën e tij publike, gjunjëzimin si kërkim falje ndaj së keqes që kishte ardhur nga populli i tij, dhe njëkohësisht përcolli vizionin se “politika e lindjes” nuk është më ajo e pushtimit, por e bashkëjetesës.
Shqipëria në fakt nuk ka se kujt t’i kërkojë ndjesë. Historikisht janë të tjerë ata që duhet t’i kërkojnë ndjesë Shqipërisë, dhe si duket, as nuk kanë ndër mend ta bëjnë këtë. Por, brenda vetes, si ndoshta pak herë, nga njerëzit e politikës, është e ndarë humnershëm keq. Ideja e bashkëjetesës dhe mësimi i parlamentit anglez i 3 janarit 1642 se “pakica duhet t’i nënshtrohet shumicës dhe t’i japë asaj mundësinë për të qeverisur” është kaq i huaj brenda politikës, sa edhe shekujt që na ndajnë nga ky mësim. Asnjëherë, thelbësisht dhe me ndërgjegje të plotë, të dy krahët e politikës nuk kanë kërkuar falje për dy nga momentet themelore të historisë sonë: Së pari, për krimet që bënë bandat balliste krah nazistëve, që solli vdekjen e më shumë se 20 mijë shqiptarëve, dhe së dyti, për vrasjet,burgosjet dhe internimet e periudhës komuniste, që po ashtu, bënë thepisjen e politikës shqiptare. Vetëm vizionarë të pazakontë, por jashtë politikës, si atë Zef Pllumi, poeti Frederik Reshpja, filozofi Ukshin Hoti, e kishin atë përmasë të bashkëjetesës. Tani shansin e rilindjes koha e solli tek një njeri që shumë nga ne e besojnë si vizionar, Edi Rama. Mirëpo vizionet mund të mbesin sirtarëve, nëse nuk bëhen pjesë e përditshme. Dhe për më tepër, vizionet e reja kalojnë andej edhe nga e kanë burimin e tyre, nga vendet ku rilindasit e lashtë thonin se “dielli lind andej nga perëndon”. Asnjëherë nga Beogradi.
Shembulli i tretë ka emrin e një gruaje: Angela Merkel. Prej kaq shumë viteve që jetoj në Gjermani, si nënshtetas gjerman, gjithnjë kam votuar për socialdemokratët. Herën e fundit, unë votova për CDU-CSU, dhe jo vetëm unë, por shumë nga miqtë e mi të afërm, të cilët më parë, po ashtu si unë, kanë votuar qendrën e majtë. Përse ndodhi kjo? Si është e mundur që zonja Merkel është një histori që përsëritet e CDU-CSU, kur për herë të tretë fiton bindshëm zgjedhjet parlamentare, çka kishte ndodhur me Helmut Kohl-in? Ka vetëm një përgjigje: Sigurinë që të ofron. Shumëkush bëri një llogari të thjeshtë: Do të zgjedh atë që më jep siguri, jo atë që nuk e di se çfarë të ardhme më përgatit. Mes sigurisë dhe pasigurisë, njerëzit zgjedhin gjithnjë të parën. Askush në këtë vend të madh nuk i tha qoftë edhe një herë zonjës Merkel se ti nuk e meriton të besohesh, sepse vjen nga DDR, ish-Gjermania Lindore, si ndodh rëndom në politikën tonë të përditshme, çka e solli edhe një herë, përmes meskinitetit dhe përbuzjes së pashoqe, një ish-politikan i së majtës që është katandisur në të djathtë. Askush nuk nxjerr defterët e së shkuarës së prindërve, kjo fazë kaloi me ditët e para të kancelarit Adenauer dhe u dëshmua se ishte në dëm të kombit, çka kombi e nxori jashtë vetes si leshterikët. Nëse vetëm një çast mund të mendosh se një deputet gjerman mund të bënte thjeshtë një aluzion të vogël se qeveria e vendit të tij është “qeveri e qelbësirave”, ose deklarata palokiane, kjo do i dukej gjithkujt çmenduri, ndërsa për disa tek ne kjo është vlerë, burrëri, trimëri. Të hedhësh baltë mbi qeverinë e vendit tënd nuk është thjeshtë blasfemi, është të tradhtosh vlerat e një kombi, që i ka besuar asaj, por të ka besuar edhe ty për të qenë në opozitë, e jo për të qenë armike. Mjerisht, kjo e fundit ndodh tek ne: mjaft liderë të opozitës janë të gatshëm të zgjedhin mes dy rrugëve: luftës civile, çka e dëshmuan kohë më parë; dhe vjedhjes masive, çka e dëshmuan në kohë të afërta.
Zonja Merkel ka marrë tashmë përsipër sfidimin e një mentaliteti të dikurshëm të ekspansionit gjerman: Ajo po bën ekspansionin e ideve, të vizioneve, shembujve, tolerancës, të investimeve, të krijimit të një klime ndryshe nga ajo që është në këtë trevë të ashpër ballkanike, ku fqinji mund të jetë gjithçka tjetër, por vetëm mik nuk është; ajo kërkon të sjellë një përmbysje të rrjedhës së ngjarjeve dhe mes të tjerave ka gjetur një shembull të së mirës; kryeministrin e ri shqiptar, i cili ka shansin të jetë edhe më tej përzgjedhja e së ardhmes europiane, krejt ndryshe nga paraardhësi tij. Kjo e bën figurën e zonjës Merkel edhe më të afërt me një popull që ka patur gjithnjë në vizionin e tij perëndimin, por që në fakt ka pasur politikanë që ishin mbushur me lindje.
Dikush mund të më thotë se është harruar shembulli i madh gjerman i Helmut Kohl, njeriut që bëri bashkimin e popullit gjerman në një shtet të vetëm. Ky është një shembull i largët. Nëse do të përgjigjeshin sinqerisht liderët e sotëm partiakë në të gjitha trevat shqiptare, për një shembull të tillë, nuk do e donin atë. Sepse është ende e pranishme ajo thënia e vjetër, “më mirë i pari në katund, se i dyti në qytet”.

jam i emoncionuar kur lexoj shkrimet e ketij autori qe po i bene nje sherbim te jashtezakonshem kombit shqiptar, te shkruash me dashuri dhe inteligjence ,te jesh dritedhenes dhe jo propagande e se keqes,
Leksione te kesaj natatyre duhen te lexohen ne mitingjet qe bejne ata qe dielli lind nga beogradi,kur bejne thirrje per drogen dhe baronet e saj te cilet jane mitingashe,kur shqiperia harroj te mbjelle grure e miser por bimen qe solli ai shoku nga holanda…………..
Edhe une besoj se lideri qe ka voten plebishitare do te jete neser protagonisti kryesor i nje artikulli te kesaj natyre,
Ik o Bedri futi ndonje dopio raki me gjize se nuk je per gazetari. Habitem me keta te Dites !
Krahas njerezve dhe gazetareve te shkelqyer si BedriIsami,O makbeth bota nuk mund te kuptohet pa fundrina si ti
O lale eshte Megadeth, jo Makbeth! Eshte sikur ti thuash harabelit elefant. Idiot1
Shkrim brilant, me nje shqipe te perpunuar deri ne hollesi.Dhe me nje problem te dites: kur do te kemi liderin qe meritojme…urime, Bedri.
artikull mjaft cilesor, m mendim, ndjenje e atdhedashuri…sidomos i shkruar sakte.ndoshta Dita,por edhe te tjera bejne mire te botojne me shume keso shembujsh, sepse ndoshta mesojne dicka politikanet shqiptare,kudo qe jane…fundi i artikullit te deshperon,por eshte e vertete,politikanet sot duan te jene zot aty ku jetojne e fitojne shume e shume,dhe nuk duan te jene dore e dyte…
Naimit !
Vertet beson qe Rama eshte lider?
Rama eshte nje i pa afte , me dhimbje por koha do ta vertetoje.
Pershendetje z. Bedri. Me fal nese kete artikull ua jap nxenesve te mije per ta lexuar dhe diskutuar se bashku gjere e gjate, por te me besosh ja VLEN nisur nga kjo fryme:
Ai ( Konrad Adenaueri) ndërtoi konceptin se ringritja duhej të fillonte nga secili qytetar gjerman, kudo që të ishte, se ajo nuk duhej të ishte një gjë abstrakte, por konkrete, e përditshme, jetësore, e prekshme dhe rivendosur koncepti i vjetër gjerman për kombin, jetën, detyrimin dhe të drejtën. Në vitet e para, me guxim të pashoq, ai i mëshoi më fort detyrimit se sa të drejtës, sepse ishte një periudhë e pazakontë. Ai solli shembullin se ndjenja për kombin, që mendohej se po zhdukej, duhej të fillonte që nga oborret e shtëpive e deri tek ndërtimet e mëdha, që ishin shembur nga lufta, por që duheshin ringritur, mundësisht si ishin para ardhjes në pushtet të nazizmit.
Po Kush je ti qe i ben analize Kanclarit Adenaurit te pakten perdor fjalen sipas meje ose sipas mendimit tim.
Po nuk behet Shqiperia me shqiptare oooo Bedri :-), mos u lodh. Me gjermane, po, edhe mund te behej. Pa respektin ndaj rregullit e ligjit, pa dashurine per njeri-tjetrin, pa dashurine per vendin, pa ndjenjen qytetare, s’behesh dot gjerman.
Autorit!
Artikujt tuaj , si edhe te dy a tre gazetareve te tjere, I pres si ujet e paket, sepse ushqejne idealizem, drejtesi, kurajo dhe vendosmeri. Kam nje verejtje te vogel per termat “palokiane” apo sic thuhet shpesh “berishiane”. Duket se u jepet jehone ketyre depozitave te leres.
Nuk mund te thuhej psh “pergjigje palokeshe”? Megjithese I shkon per shtat thenia e dikujt:
” nje palok, dy pa lo..”(zbato rregullin e shumesit te emrave). Me falni per “devijimin”.