Një vajzë e re fatmirësisht është shpëtuar nga forcat blu në tentativën e saj për t’i dhënë fund jetës. Rreth orës 04:30 të mëngjesit të djeshëm, 22-vjeçarja tentoi të hidhej nga mbikalimi te “Kthesa e Kamzës”. Policia, e cila mbërriti në vendngjarje bashkë me forcat zjarrfikëse, negocioi dhe bindi vajzën që të zbriste. Nuk dihet identiteti i vajzës së re që tentoi të hidhej, pasi u mbajt sekret për shkaqe etike, ndërsa mbeten të paqarta rrethanat e ngjarjes. Dyshohet se vajza ka pasur mosmarrëveshje në familje dhe më tej ka vendosur të flijohet duke u hedhur nga mbikalimi. Gjithashtu pritet dëshmia e vajzës dhe familjarëve për të mësuar më shumë rreth motiveve të ngjarjes. Nuk përjashtohen edhe motivet personale, ndonjë lidhje që mund të ketë përfunduar keq. Tentativa vetëvrasjeje ka pasur edhe në Lushnjë ku një 26 vjeçar tentoi të vetëvarej dhe në Durrës, ku një 22-vjeçare piu një sasi helmi dhe po mjekohet në spital.
