Hepatitet janë përgjegjëse për një sërë ndërlikimesh të rënduara të mëlçisë, zbulimi i vonë i të cilave çon deri në pasoja fatale për jetën. Përballë shifrave në rritje të numrit të pacientëve të prekur nga hepatitet, ekspertët e shëndetit publik apelojnë për më shumë kujdes në njohjen e pasojave të hepatiteve, kryerjen e testimeve të hershme, hapa të cilat ndihmojnë që edhe trajtimet të jenë më efikase për të parandaluar kështu vdekjet e panevojshme nga ky infeksion i parandalueshëm dhe i trajtueshëm i mëlçisë.
Hepatiti C është edhe një ndër patologjitë e shpeshta që shfaqet edhe në vendin tonë. Infeksioni nga virusi i hepatitit C shkakton hepatit akut dhe kronik dhe zakonisht është pa shenja të dukshme klinike, çka në pjesën dërrmuese të rasteve çon në zbulimin e sëmundjes në stade shumë të rënduara. Hepatiti C mund të shkojë nga një sëmundje e lehtë që zgjat disa javë, deri në një gjendje të rëndë, apo të përjetshme që mund të çojë në cirrozë apo kancer të mëlçisë.
Sa i takon shenjave të dukshme klinike, mjekët thonë se periudha e inkubacionit (e fshehtësisë,
mungesës së shenjave klinike) për hepatitin C shkon nga 2 javë deri në 6 muaj. Pas infektimit fillestar, përafërsisht 80 për qind e njerëzve nuk shfaqin asnjë simptomë. Ata njerëz që shfaqin shenja mund të kenë ethe, lodhje, rënie të oreksit, të përziera, të vjella, dhimbje barku, urinë të errët, feçe të çngjyrosura në gri, dhimbje të kyçeve, si dhe zverdhje të lëkurës dhe të bardhës së syve.
Për shkak të faktit se infeksioni akut me virusin e hepatitit C është zakonisht asimptomatik, çka do të thotë pa simptoma paralajmëruese, diagnoza e hershme e infeksionit është e rrallë. Tek ata njerëz që zhvillojnë infeksionin kronik, infeksioni mund të mbetet i padiagnostikuar deri kur shfaqen dëmtime serioze të mëlçisë. Infeksioni me virusin e hepatitit C diagnostikohet nëpërmjet një testi serologjik. Nëse testi është pozitiv për antitrupat C, një test tjetër (RNA) është i nevojshëm për të konfirmuar infeksionin kronik. Kjo sepse rreth 15-45 për qind e njerëzve të infektuar me hepatit C pastrohen spontanisht prej infeksionit nga një përgjigje e fortë imunitare e organizmit, pa pasur nevojë për trajtim. Edhe pse nuk janë më të infektuar, ata ende do të rezultojnë pozitivë për antitrupat antivirus C.
Përveç kësaj, duhet të bëjnë një test laboratorik për të identifikuar llojin e virusit dhe shkallën e dëmtimit të mëlçisë, të cilat përdoren për të marrë vendimet e trajtimit dhe menaxhimit të sëmundjes. Nëse personi diagnostikohet me infeksion kronik të hepatitit C, duhet të bëjë një vlerësim të shkallës së dëmtimit të mëlçisë nëpërmjet biopsisë së mëlçisë, ose testeve të tjera të rekomanduara nga një mjek specialist.
Diagnoza e hershme mund të parandalojë problemet shëndetësore që mund të rezultojnë nga infeksioni, si dhe të parandalojë transmetimin e virusit te të tjerët. Medikamentet antivirale mund të kurojnë gati 90 për qind të personave me hepatit C, dhe të reduktojnë rrezikun e zhvillimit të cirrozës dhe kancerit të mëlçisë, por mundësia për diagnostikim dhe trajtim është e ulët. Aktualisht nuk ka vaksinë për hepatitin C, megjithatë studimet në këtë fushë vazhdojnë.
Rrugët si transmetohet virusi i hepatitit C janë:
- Duke injektuar drogë nëpërmjet shkëmbimit të pajisjeve të injektimit.
- Në institucionet shëndetësore për shkak të ripërdorimit apo sterilizimin jo adekuat të pajisjeve mjekësore.
- Nëpërmjet transfuzionit të gjakut dhe produkteve të tij të pakontrolluara.
- Hepatiti C mund të përhapet edhe nëpërmjet rrugës seksuale, si dhe të kalojë nga një nënë e infektuar tek bebi i saj.
- Hepatiti C nuk përhapet nëpërmjet qumështit të gjirit, ushqimit ose ujit, apo nga kontaktet e përditshme të tilla si puthja, përqafimi, ngrënia e ushqimit ose pirja nga një person i infektuar. p.k/dita
