Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e energjisë elektrike ka filluar të konkretizohet. Kosova dhe Shqipëria kanë konkretizuar dje marrëveshjen për themelimin e tregut të përbashkët të energjisë, ku dy vendet do të jenë një zonë e vetme tregtare.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci, kanë formalizuar në Prishtinë edhe themelimin e Komitetit Drejtues për tregun e përbashkët energjetik, për çka kanë formuar edhe grupet punuese.
“Puna e përbashkët e këtij komiteti, e cila do të materializohet me politika të përbashkëta, mund të çojë edhe në investime të përbashkëta, siç diskutuam sot (dje) për mundësitë e investimeve të përbashkëta Shqipëri-Kosovë në objekte gjeneruese, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, nëpërmjet mundësive komplementare që ka Kosova, nëpërmjet linjitit, e Shqipëria, nëpërmjet hidrës”, u shpreh Ministri ynë i Energjisë.
Blerand Stavileci, Ministër i Zhvillimit Ekonomik në Kosovë theksoi nga ana e tij se “të gjithë në Kosovë dhe në Shqipëri janë të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, për rëndësinë e themelimit të një tregu të përbashkët, pra për sektorin e energjisë, një sektor që ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe është parakusht i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik, edhe të Kosovës, edhe të Shqipërisë”.
Gjiknuri ka takuar në Prishtinë edhe kryeministrin Isa Mustafa, me të cilin po ashtu diskutuan për thellimin e bashkëpunimit dhe për shfrytëzimin e përbashkët të linjitit që ka Kosova.
Pas takimit me Mustafën, Gjiknuri dhe Stavileci vizituan edhe punimet në ndërtimin e interkonjeksionit 400 kilovoltësh, që lidh Kosovën me Shqipërinë. Ministri Stavileci tha me këtë rast se Kosova tashmë ka përfunduar një të tretën e punimeve dhe deri në fund të vitit e përfundon komplet projektin.
