Tregtarë flamujsh

redaktor

Çfarë është partia për aktorët e politikës shqiptare? Partia për aktorët e politikës shqiptare është si puna e kalit të huaj që ha pak dhe mban shumë. Ose e thënë shkoqur, “kalova lumin të dhjefsha kalin”. Kjo është de facto panorama që shfaqet kudo dhe kurdoherë në skenën e politikës tonë.

Është vërtet absurde, por plotësisht reale dukuria e “eksodit” të aktorëve të politikës që shkojnë sa majtas djathtas dhe anasjellas duke ju ngjeshur si rrodhe asaj partie që i dhuron post, emër dhe privilegj. Kështu pseudo-politikanët tanë që nuk u realizohen dëshirat dhe egot e tyre për t’u rritur në karrierë, rebelohen, irritohen dhe emigrojnë në partitë që i joshin dhe i hapin dyert krahas faktit që janë tërësisht parti me kah dhe pikëpamje dhe ideale të ndryshme. Mjafton t’u realizohen dëshirat dhe qëllimet e tyre të ngushta dhe vetjake.

Ç’ka mund të themi është se në Shqipëri shumë intelektualë dhe aktorë të ndryshëm të politikës tonë nuk janë aspak të mësuar me idealin që përfaqësojnë dhe predikojnë, përkundrazi shndërrohen sa më parë në sekserë të paskrupullt të besimit që anëtarësia dhe mbështetësit e partive i kushtojnë.

Këta janë vërtetë tradhtarë idealesh dhe virtytesh, por pikë së pari mund dhe doemos duhen përbuzur si “trafikantë” të rrezikshëm të burimeve njerëzore që dëmtojnë rëndë jetën politike, neve edhe demokracinë tonë që akoma edhe sot pas 23 vitesh mbetet ende e brishtë dhe e pa emancipuar.

I nderuar zoti kryeredaktor i Ditës! Të nderuar staf! Më lejoni t’ju falënderoj përzemërsisht për kohën, durimin dhe përkujdesjen që tregoni me dorëshkrimet tona, duke i ilustruar, redaktuar dhe korrektuar me profesionalizëm të shkëlqyer, pastaj duke i botuar në faqet e gazetës tuaj të shkëlqyer. Faleminderit që na pranoni si bashkëudhëtarë në rrugën tuaj. Vërtet ndihemi të privilegjuar. Respekte!

 

Letër e nënshkruar

Preng Pjetri, Zejmen, Lezhë

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *