Tregtia me Kosovën bllokohet nga monopolet

redaktor

Të gjithë ne shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë u gëzuam nga futja në punë e autostradës Durrës-Morinë(e mbiquajtur Rruga e Kombit), edhe pse i kishte kushtuar mbi 1 miliardë euro Buxhetit tonë të Shtetit. Por ajo nuk po sheh shkëmbime intensive tregtare, maune që të kalojnë pa pushim sa nga njëra ane, aq nga ana tjetër e rrugës. Janë mbushur 13 vjet pas luftës në Kosovë dhe as ne në Shqipëri e as kosovarët nuk kemi arsye të jemi të kënaqur me nivelin e këmbimit tregtar, të këmbimit të përvojave, me nivelin e bashkëpunimit ekonomik dhe me nivelin e formave të avancuara të bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë. Ka një mungesë të theksuar komunikimi mes të dy qeverive, në nivel teknik.  Barrierat tregtare dhe doganore si në Shqipëri,qoftë dhe në Kosovë, po  dëmtojnë përherë e më tepër bashkëpunimin ekonomik, por edhe imazhin e Shqipërisë dhe Kosovës si dy vende të afta të mundësojnë një treg të lirë të unifikuar. Dy projekte mes dy vendeve tona, si Interkonjeksioni dhe porti i Shëngjinit, aq shumë të folura dhe të miratuara në parim nga të dyja palët, nuk kanë parë asnjë lëvizje, veç fjalëve. Patriotizmi folklorik mund të ndikojë fluksin turistik mes të dyja vendeve, por jo shtimin e tregtisë. Marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës vazhdojnë të jenë zhgënjyese. Shumë projekte për të cilat ka pasur premtime të mëdha, kanë mbetur vetëm në nivel të premtimeve elektorale. Raportet tregtare mes dy vendeve vuajnë nga një strukturë shumë e papërshtatshme e eksporteve dhe importeve, ku dominon hekuri, qoftë si mbeturinë dhe skrap. Kjo strukturë ka 10 vjet që nuk po ndryshon, a thua të dyja ekonomitë e Shqipërisë dhe Kosovës nuk kanë gjë tjetër për t’ju ofruar konsumatorëve të tyre. Ende mes dy vendeve nuk ka marrëveshje të plota për heqjen e tatimeve të dyfishta, ende punohet me rregullore të UNMIK-ut dhe nuk ka grupe të përbashkëta të ekspertëve (apo task forca, sikurse i pëlqen qeverisë sonë t’i quajë) , që do ta analizonin tregun e bujqësisë, energjitikës apo industrisë. Energjia mbetet një ndër sfidat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe Shqipëria e Kosova kanë fatin e prodhimit të saj nga burime të ndryshme. Një ndërthurje mes tyre do të ulte varësinë hidrike të Shqipërisë dhe do të ndihmonte Kosovën të plotësonte nevojat e saj në periudha të ndryshme të vitit. Megjithatë ndërtimi i një linje lidhëse për shkëmbimin e energjisë elektrike po shtyhet prej vitesh, ndonëse e financuar nga qeveria gjermane. Ambasadorja gjermane në Tiranë, Karola Myler-Holtkemper dy muaj më parë ishte fare e qartë në evidentimin e përgjegjësisë së qeverisë shqiptare në zvarritjen e këtij projekti. Duke u mjaftuar vetëm me shifrat e turistëve kosovarë, të cilët shfrytëzojnë plazhet e Shqipërisë, Ministria jonë e Turizmit duket pak e interesuar për të zgjeruar mundësitë e bashkëpunimit, qoftë edhe me propozimin e ndërhyrjeve të ndryshme fiskale. Përgatitja e një oferte të përbashkët turistike, me shfrytëzimin e bregdetit të Adriatikut dhe Jonit gjatë verës dhe maleve të Kosovës gjatë dimrit apo prezantimi te turistët e huaj me paketa të ndërthurura, duket ende fanta-turizëm. Mosmarrëveshjet dhe betejat tregtare Tiranë-Prishtinë në rastet e çimentos apo patates janë pa dyshim dëshmi e një mungese komunikimi dhe koordinimi mes dy qeverive. Interesat e disa monopoleve të caktuara bllokojnë zgjidhjet e natyrshme tregtare. Në rast se, për të zgjidhur problemet e mëdha të energjisë apo korridoreve të transportit nevojiten financime të mëdha dhe kohë e ndjeshme, për të kaluar pengesat burokratike mjafton vullneti dhe këmbëngulja. Mjafton të kujtojmë se zyrtarët shqiptarë e kanë të vështirë të shpjegojnë arsyet për të cilat kalimi i kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës është më i vështirë se ai me Malin e Zi. Shqipëria dhe Kosova e kanë aktualisht shansin e zgjerimit dhe bashkëveprimit. Përtej deklaratave publike, në pikëpyetje mbetet vullneti qeveritar për t’i shtyrë problemet drejt zgjidhjes.

 

 

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri mbledh biznesin dhe krerët e administratave

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sulejman Selimi mblodhi dje në një tryezë të organizuar në selinë e tij krerët kryesorë të administratës tatimor, doganore, të Ministrisë së Financave të dy vendeve. Qëllimi i këtij takimi ishte problemet permanente që janë ndeshur në pikën doganore, të qarkullimit të mallrave nga të dy vendet. Edhe pse në takim u evidentua fakti që ka rritje të eksportit dhe importit nga të dy shtetet, ato sërish mbeten në nivele të ulëta dhe në produkte të kufizuara. E kërkua nga palët që tej retorikës politike shumë të mirë të të dy vendeve, të ketë një bashkëpunim teknik më eficient duke nxjerrë domosdoshmërinë e krijimit të komisionit të përbashkët dhe evidentimin e problemeve sa herë ato lindin, para se të bëhen mediatike dhe të cojnë në dëmtimin e imazhit të kompanive të të dy vendeve. Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit të Kosovës në këtë takim kërkuan heqjen e çmimit të referencës për mallrat e tyre qe eksportohen në Shqipëri. Kreu i “Aleancës për Biznes”, Agim Shahini, u shpreh se “heqja e këtyre barrierave për prodhimet kosovare do të rriste shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, si dhe do të unifikonte tregun”. Por sipas tij biznesi duhet t’i nënshtrohet të gjitha rregullave dhe bazës ligjore, duke kërkuar një trajtim të barabartë për të gjitha kompanitë e jo sipas interesave të momentit. Një tjetër lajm pozitiv që doli nga ky takim është se pritet që në muajin maj sistemi doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës do të unifikohet, çka do të lehtësojë procedurat burokratike për biznesin. Krerët e dy administratave doganore premtuan heqjen e të gjitha barrierave dhe përmirësimin e performancës së tyre në shërbim të biznesit. Gjatë kohëve të fundit kishte nisur një luftë e ftohtë tregtare mes autoriteteve të dy vendeve, duke bllokuar reciprokisht mallrat e ndryshme të bizneseve. Marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës janë bërë objekt i diskutimeve në forume dhe tryeza të ndryshme. Gjatë dy muajve të parë të vitit Shqipëria ka importuar në Kosovë mallra në vlerë prej 1.7 mld lekë, ndërsa eksportet kanë qenë 734 milionë lekë.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *