Një nga zhvillimet pozitive gjatë këtij viti për sistemin bankar ka qënë frenimi i kredive me probleme.
Ky tregues qëndron prej muajsh pranë nivelit 24%, megjithëse portofoli i kredisë të paktën deri në fund të Qershorit, ka qënë në rënie.
Stabilizimi i kredive me probleme ka sjellë edhe përmirësim të ndjeshëm të rezultatit financiar të sistemit bankar, që për 6-mujorin e parë të këtij viti arriti vlerën rekord prej 5.4 miliardë lekësh.
Po të shohim strukturën e kredive me probleme sipas kategorive, duke qartë se përmirësime ka pasur në dy kategoritë e para, kreditë që klasifikohen si nënstandarde dhe të dyshimta.
Kreditë nënstandarde, që përfshijnë ato me vonesë në kthim mbi 90 ditë, në fund të Qershorit kishin vlerën e 42 miliardë lekëve, në rënie me 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Edhe kategoria tjetër, ajo e kredive me vonesë mbi 180 ditë, ka rënë në vlerë me 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ulja e kredive me problem në dy kategoritë e para tregon se, në thelb, gjatë 12 mujave të fundit bankat kanë krijuar më pak kredi të reja problematike.
Kjo lidhet me një qëndrim më të kujdesshëm dhe më konservator që po ndiqet në kreditim gjatë viteve të fundit.
Njëkohësisht, një ndikim kanë pasur edhe masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, veçanërisht ato që lidhen me lehtësimin e ristrukturimit. Me rregulloren e mëparshme, çdo kredi që ristrukturohej duhej klasifikuar automatikisht si kredi me problem.
Me rregulloren e re, bankave ju lejohet të ristrukturojnë kredi, pa i zbritur domosdoshmërisht si kredi të këqija.
Kjo masë e ka lehtësuar risturkturimin që në hapat e parë dhe ka lehtësuar marrëdhëniet mes bankës dhe klienëtve, ndërsa ka ndikuar qartë edhe në frenimin e rritjes së kreidve të këqija.
